“Sot ka qenë takim shumë emocionues dhe frymëzues. Do të kemi projekte të mrekullueshme për vitin e ardhshëm”, ka thënë Rita Ora të dielën në pritjen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e që ka përkuar edhe me ditëlindjen e saj. Pa precizuar projekte konkrete, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim u trajtuan edhe “mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj”
Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, nga Prishtina ka paralajmëruar projekte të reja për vitin që po vjen. Ndonëse vizita e saj e fundit në vitin 2018 ishte rezultat i koncertit në kryeqytet me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, për ardhjen e saj tani nuk ka zbuluar detaje. Të dielën Ora dhe bashkëshorti i saj, aktori e regjisori nga Zelanda e Re, Taika Waititi, janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në vendlindjen e saj ka festuar ditëlindjen e 33-të. Në videon e shpërndarë në platformën “X” nga kryeministri Kurti ajo ka thënë se vizita në Prishtinë “është mënyrë e mrekullueshme për të festuar ditëlindjen”.
“Jam 33 vjeçe sot dhe mendoj se kemi bërë punë shumë frymëzuese. Sot ka qenë takim shumë emocionues dhe frymëzues. Do të kemi projekte të mrekullueshme për vitin e ardhshëm. Ky udhëtim dhe ky takim më kanë bërë shumë emocionuese për të ardhmen”, ka thënë këngëtarja Ora.
Regjisori nga Zelanda e Re, Taika Waititi, ka thënë se Prishtina i ngjan në vendlindjen e tij.
“Është hera e parë këtu për mua. Është nder të vij këtu dhe të vizitoj vendin e gruas sime. Është e njëjta energji dhe i njëjti qëndrim i njerëzve në vendin prej nga vij unë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti e këngëtarja Ora e kanë konsideruar “të diel të mrekullueshme” takimin e tyre.
“Faleminderit Rita që na ke bërë krenarë si popull, si vend. Do të duhet ta shoh këtë video më vonë që ta kuptoj se ka ndodhur me të vërtetë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kur e ka shpërndarë videon nga takimi, kryeministri Kurti ka shkruar se “Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën, duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe”.
“Ishte një nder të mikpritja atë dhe Taika Waititi sot në ditëlindjen e saj. Kosova, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re duken pa kufij përballë artit”, ka shkruar ai.
Disa orë pas pritjes së yllit botëror, Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit ka dalë me komunikatë për media, ku është bërë e ditur se Ora ka qenë e shoqëruar edhe nga aktorja e producentja Odessa Rae – producente e dokumentarit “Navalany” që vjet mori “Oscar” – e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu, si dhe nga motra Elena Ora. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.
“Gjatë këtij takimi miqësor ata folën për fushën e artit e të kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e Qeverisë për të zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës”, shkruhet në komunikatë. Po aty shkruhet se “u trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj”.
“Ajo theksoi dëshirën për t'u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit”, citohet Ora.

Ylli botëror, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës qysh prej vitit 2015, ka aterruar në Prishtinë në orët e para të së dielës. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është pritur nga kryetari, Përparim Rama. Në pamjet që ka publikuar, këngëtarja shihet se “bekohet” me tokën e Kosovës sapo zbret nga avioni. Vizita e saj ka qenë pa paralajmërim.
“Mirë se erdhe në vendlindje e dashur Rita Ora! Nuk ka se si të jetë ndryshe, vetëm se i mbushur me shumë emocione, mall e dashuri çasti kur shkel në tokën e bekuar të Kosovës që gjithmonë e ke në zemër e mendje! Momente të paharrueshme na presin bashkë!”, ka shkruar Rama në Facebook.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, këngëtarja është pritur me befasi me rastin e ditëlindjes së saj.
Përmes disa fotografive të publikuara në faqen zyrtare të tij, ANP-ja e ka uruar yllin edhe për ditëlindjen e saj. “Mirë se vini në shtëpi dhe urime ditëlindjen Rita Ora! Me gjithë zemër, Aeroporti Ndërkombëtar Limak Kosova”, thuhet në njoftimin e Aeroportit.
As nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Prishtinës nuk janë dhënë informacione për projekte konkrete të Rita Orës në Kosovë.
Vizita e saj e fundit në Prishtinë kishte qenë me karakter humanitar. Kishte realizuar një fushatë me Fondin për Mbrojtjen e Fëmijëve – UNICEF. Këngëtarja kishte bërë edhe një paraqitje të shkurtër publike atëkohë, në ngjarjen vjetore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë “Activate Talks”.
Më 17 shkurt të 2018-s kishte mbajtur koncert me rastin e jubileut të 10-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet kishte dalë në skenë me urimet në gjuhën shqipe e veshur me ngjyrat kuqezi. Skena gjigante dhe imazhi i sheshit të mbushur me njerëz, mbi të gjitha interpretimi fantastik i këngëtares kishte qenë fotografia me të cilën u dokumentua mbrëmja në të cilën Ora – e lindur në Prishtinë më 1990 prej prindërve që kishin lënë Kosovën në vitin 1991 – e kishte kthyer vëmendjen e botës nga shteti i izoluar në Evropë. Përvjetori i dhjetë i Pavarësisë qe bërë sebep që këngëtarja të rikthehej me namin e yllit. Të parën herë, më 2012, kur fama e saj veç kishte marrë hov, në Prishtinë e realizoi klipin e këngës “Shine ya light”. U konsiderua si imazhi më i mirë i shtetit të ri. Tre vjet më vonë u emërua Ambasadore Nderi e Kosovës.
“Sapo më thanë që rreth 300 mijë njerëz kanë dalë për të më parë. Urime Dita e Pavarësisë! Nuk do të doja të isha askund tjetër në botë. E kemi nisur këtë së bashku. Nuk do të isha këtu pa ju. E kam nisur ëndrrën time gati para tetë vjetësh dhe kjo ndjenjë nuk largohet asnjëherë. Jam mirënjohëse. Jam krenare. Jam shqiptare. Deri herën tjetër”, kishte shkruar Rita Ora në rrjetet sociale me fotot e publikuara pas koncertit. Koncertin e kishte hapur me këngën “I will never let you down” e më pas kishte interpretuar edhe “Shine ya light”. “Kosovë kjo është për ju”, kishte thënë ajo para se të niste interpretimin. Ajo çfarë mbetet më së shumti në mendje nga ky koncert ishte befasia e saj për publikun. Bashkë me valltarët kishin interpretuar “Vallen e Rugovës” të miksuar me këngën “Black Window”, bashkëpunimi i saj me reperen Iggy Azalea. Ora kishte interpretuar gjithashtu “Your song” e “Hot right now” me të cilën kishte nisur të bëhej e njohur.
Kur në vitin 2015 ishte dekoruar “Ambasadore Nderi e Kosovës” nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, në konferencën që kishte mbajtur atëkohë kishte rrëfyer se si e kishte pranuar një titull të tillë.
“Kur e mora titullin e ‘Ambasadores së shtetit’ e pyeta babanë se çka duhej të bëja. Një ditë isha këngëtare, ditën tjetër model për këto vajza dhe doja të bëja gjënë e duhur. Ai më tha të vazhdoja atë që jam duke bërë, të jem vetvetja, të jem falënderuese dhe të jem krenare me vendin prej nga vij”, kishte thënë këngëtarja shqiptare me famë botërore.
Rita Ora kujdeset gjithmonë që t'i tregojë botës me krenari për vendin e origjinës dhe rrënjët e saj. Ajo u lind në Kosovë dhe u rrit në Londër.
Vitin e kaluar, po për ditëlindjen e saj, ajo u bë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës. Pulla me imazhin e Orës ishte lëshuar në qarkullim postar më 26 nëntor, me rastin e ditëlindjes së saj.
Në shtator të vitit të kaluar, Rita Ora ka interpretuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Në performancën që kishte zgjatur për gati një orë, Rita kishte qenë fjalëpakë. Kohë pas kohe mes interpretimit të tekstit të këngëve kishte përsëritur fjalën “Të dua”, për ta përçuar të gjithë dashurinë që i kishin dhënë skena e publiku shqiptar.
