Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Riatdhesimi” si reagim e thirrje për kthimin e artefakteve nga Beogradi

Agata Çetta ka kohë që është duke bërë një lloj rijetësimi të shenjave autoktone. Përdor artin e saj unik për të sjellë versione të ndryshe të artefakteve që janë pjesë e historisë së këtyre anëve. Teknika e kombinuar në argjile i bën imazhet e gjetjeve arkeologjike të vijnë në ngjyra e forma të ndryshme. Por sivjet nuk po e bën vetëm këtë. I është bashkuar programit të Muzeut Kombëtar të Kosovës për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve më 18 maj. Çetta, që jeton në Münich, nëpërmjet një ekspozite virtuale ka përzgjedhur që të ngrejë zërin për një çështje me të cilën Kosova e pasluftës nuk është marrë edhe shumë. Të paktën, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

“Riatdhesimi/Repatriation”, mban titullin ekspozita virtuale e Çettës. “Leda dhe mjellma” që është ilustrim i një fibule të shekullit III, “Maskë antropomorfe” bazuar në artefaktin e shekullit V para erës sonë, e “Figurinë antropomorfe” në atë të Neolitit të vonë, janë veç tri nga nëntë artefaktet që vijnë si vepra në argjilë nga Çetta, shkruan KOHA. 

Janë një lloj fushate për kthimin e thesarit të Muzeut Kombëtar të Kosovës që gjatë viteve 1998 dhe 1999 ishte bartur për në Beograd për një ekspozitë të përkohshme. Pos “Hyjneshës në gron” që në vitin 2002 ishte kthyer nga ish-kryeadministratori i UNMIK-ut, Michael Steiner, janë zyrtarisht 1244 artefakte të tjera arkeologjike dhe etnografike që qëndrojnë në Beograd. Çetta i “kthen” ato.

“Të gjitha artefaktet që janë marrë dhe nuk janë në vendin e tyre të origjinës e kanë rëndësinë dhe bukurinë e vet. Këto 9 eksponate i kam zgjedhur si një simbolikë që paraqesin histori nëpër etapa të ndryshme të zhvillimit, të cilat edhe për nga forma janë shumë artistike”, ka thënë ajo. Ka treguar se ka pasur dëshirë që të përfshijë motive nga çdo sferë e jetës, si besimi, mitologjia, dekorimet e gjëra shtëpiake “Tjetër kriter ka qenë disponueshmëria e imazheve. Shumicën e tyre nuk kam pasur mundësi t'i gjej në fotografi. Pastaj kam qenë e kushtëzuar edhe nga kualiteti i motiveve të paraqitura në artefakte, duke konsideruar vjetërsinë e tyre, format e disa motiveve është vështirë të deshifrohen. Përveç të tjerash, ka ndikuar edhe shija subjektive”, ka thënë Çetta, e bija e mbledhësit të folklorit e udhëheqësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Anton Çetta.

Sipas asaj që shkruhet në konceptin e ekspozitës, në vitin 1993, me iniciativën e galerisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Beograd, është marrë një vendim për prezantimin e një numri të artefakteve arkeologjike dhe objekteve etnologjike nga Muzeu i Kosovës në një ekspozitë të përkohshme në Beograd e më pas këto objekte nuk janë kthyer në Prishtinë.

Edhe “Riatdhesimi” në vepra arti Kulturë “Riatdhesimi” në vepra arti

“Rikthimi i trashëgimisë nuk është procedurë që bartet nga individët, e as nga organizatat kulturore. Iniciativat për kthimin e objekteve të trashëgimisë kanë qenë të pakta, ku ka munguar qasja konsistente nga institucionet e Kosovës, e si pasojë, edhe pas më shumë se 20 vjetësh, kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur”, shkruhet në koncept.