Për Muzeun Kombëtar të Kosovës, kthimi i artefakteve të Kosovës, të cilat prej vitit 1999 mbahen në Beograd, është detyrim i trefishtë i Serbisë. Letrës që drejtori i MKK-së ua ka dërguar tri institucioneve në Serbi i është bashkëngjitur edhe ajo e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “Besoj që veprimet tona nuk duhen ndalur derisa ta kthejmë gjithë koleksionin”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për KOHËN të mërkurën vonë
Dy shkresa nëpërmjet të cilave kërkohet kthimi i artefakteve që gjenden në kryeqytetin serb që prej fundit të viteve ’90, janë nisur në adresë të tri institucioneve në Beograd. Muzeu Kombëtar i Kosovës, bashkë me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Ministrinë e Punëve të Jashtme, e kanë bërë këtë të mërkurën, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, kërkohet që 1247 artefakte të kthehen në Kosovë. Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u janë kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës, pas më shumë se dy dekadave.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, u është drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështjeje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dua t’jua kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës”, shkruhet në shkresën e Lecit, e protokolluar të mërkurën. Ka shkruar se ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë përkatëse të Serbisë. Ka shkruar se kthimi i tyre është detyrimin i trefishtë. Si detyrim të parë ka përmendur marrëveshjet e nënshkruara midis institucioneve, që parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë të cilit janë.
“Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër.
Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd. Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.
“Ato duhet të kthehen sa më parë në vendin e tyre të origjinës. Për ta realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, shkruhet në letër. Aty po ashtu kërkohet të caktohet një takim midis institucioneve të të dyja shteteve.
Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u është dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Dyshja ka shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë.
“Pasuria kulturore e Kosovës, e marrë në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet t’i kthejë artefaktet e Kosovës, duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur”, shkruhet në letër.
Aty po ashtu shkruhet se institucionet e Republikës së Kosovës do t’ia ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi. Ceket se mirëpresin propozimin për ta themeluar një grup të përbashkët pune midis muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare, për ta hartuar një plan dhe për ta mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë.
“Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga Qeveria në Beograd, për ta përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherësh zotohemi që nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tonë”, shkruhet në letër.
Të mërkurën vonë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka thënë KOHËS se për dërgimin e letrave është duke u kujdesur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “Do të thotë nëpërmjet kanaleve diplomatike”, ka thënë se Çeku. Sipas tij, letrat janë vetëm veprimi i parë.
“Besoj që veprimet tona nuk duhen ndalur derisa ta kthejmë gjithë koleksionin”, ka thënë Çeku.
Nga 1247 artefakte sa përmenden në letra, të cilat i mban Serbia, vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.
Politika kosovare deri tash nuk ka arritur që ta bëjë ndonjë hap konkret në raport me kthimin e artefakteve.
Prej vitit 2011, prej se mbahen ato që janë quajtur bisedime teknike midis Kosovës e Serbisë në Bruksel, kjo dhe çështje të tjera që lidhen me trashëgiminë kulturore kanë qenë temë e një raundi të vetëm. Madje, pala kosovare më 2011 kishte thënë se pala serbe me fjalë kishte treguar gatishmëri për kthimin e artefakteve.
Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e palës kosovare në bisedime, kishte thënë se Kosova ka dërguar në Bruksel edhe këtë çështje si nevojë për të biseduar, por në agjendë nuk është futur. Sipas Tahirit, në vitin 2011 – kur ka filluar dialogu teknik – një prej çështjeve që ka qenë në agjendë me Serbinë ishte edhe kompensimi i dëmeve të luftës që ka bërë Serbia në Kosovë në fushën e trashëgimisë kulturore. Asokohe, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i kishte dorëzuar asaj platformën dhe strategjinë e bisedimeve sa i përket trashëgimisë kulturore. Në njërin prej raundeve të bisedimeve, palën kosovare e ka shoqëruar edhe delegacioni i MKRS-së. Ishte kërkuar edhe kthimi i artefakteve.
“Është parë një gatishmëri ndoshta më tepër retorike sesa ndonjë seriozitet”, kishte thënë Tahiri.
E më 2014, Kosova kishte përgatitur një skemë të temave për të cilat do të diskutohej në të ardhmen. Aty bënte pjesë edhe kthimi i artefakteve. Por, propozimet nuk kishin hyrë kurrë në agjendën e dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë fushatës zgjedhore në shkurt të këtij viti, ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte përmendur dy “fronte” ku do të punohet për kthimin e artefakteve: mundësinë e kushtëzimit në dialog midis dy shteteve dhe mundësinë e një padie ndërkombëtare.