Kulturë

“Re-Connect” do të bashkojë talentet vendore e të diasporës në “DokuFest”

“DokuFest”

Si nismë nga Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” dhe festivali i filmit “Kino Kosova” që organizohet në Zvicër, “Re-Connect” si platformë ka për synim bashkimin e të rinjve kreativë nga Kosova dhe diaspora. Rezultati i projekteve do të jetë premiera në edicionin e sivjetmë, të 24-tin me radhë që mbahet prej 1 deri më 9 gusht (Foto: Ferdi Limani)

Temat e identitetit, trashëgimisë së përbashkët, të drejtave të njeriut dhe diversitetit kulturor do të trajtohen në programin “Re-Connect” për krijimin e filmave. Si nismë nga Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” dhe festivali i filmit “Kino Kosova” që organizohet në Zvicër, ka për synim bashkimin e të rinjve kreativë nga Kosova dhe diaspora. Rezultati i projekteve do të jetë premiera në edicionin e sivjetmë, të 24-tin me radhë që mbahet prej 1 deri më 9 gusht. 
Projekti konsiderohet si mundësi e eksplorimit të identitetit kulturor të pjesëmarrësve përmes fuqisë së filmit. 

Nga “DokuFest” përshkruhet si “program bashkëpunimi i krijimit të filmave” dhe se ai “ofron një përvojë praktike dhe unike të të mësuarit në tregimin dokumentar”. 

“Përmes një përzierjeje seminaresh, leksionesh dhe filmash në grup, pjesëmarrësit do të eksplorojnë tema të identitetit, trashëgimisë së përbashkët, të drejtave të njeriut dhe diversitetit kulturor. Me këtë program do të fitoni aftësi praktike në tregim, kinematografi, tingull, montim dhe filmim etik”, shkruan “DokuFest” për programin. 

Programi do të mbahet në gjuhën angleze dhe të gjitha shpenzimet për pjesëmarrësit janë të mbuluara. Punëtoria për filmbërje do të zgjasë dy javë në Prizren, nga 8 deri më 21 qershor. Tek ajo se çfarë mund të presin të përzgjedhurit, midis tjerash përfshihet edhe premiera në edicionin e sivjetmë të  Festivalit. Gjithashtu edhe mentorimi nga filmbërës me përvojë nga Kosova dhe diaspora, krijimi bashkëpunues i filmave dokumentarë të shkurtër si dhe njohje të reja dhe përvoja kulturore. 

Një program i përafërt është mbajtur nga 21 prilli deri më 9 maj. Katër filmbërës nga Britania e Madhe dhe po aq nga Kosova i ka bërë bashkë projekti i Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe i Institutit Skocez i Dokumentarit.

Prodhimi i katër filmave synohet të jetë produkti final i projektit “Breaking Borders” që, po ashtu, premierën do ta kenë në edicionin e sivjetmë të festivalit në Prizren.

“’Breaking Borders’ është një program i financuar nga ‘British Council’ të cilin jemi duke e bërë bashkë me ‘Scottish Documentary Institute’. Është një program që sjell nga katër ‘alumni’ të programeve tona që i kemi në kuadër të ‘Future is here’ e programeve të tjera edukative dhe të cilat ndihmojnë në krijimin e filmbërësve. ‘Scottish Documentary Institute’ i ka përzgjedhur katër pjesëmarrës dhe ne dy, e të cilët do të punojnë në çifte dhe do të jenë në programin e rezidencës që mbahet në Prizren nga 21 prilli deri më 9 maj”, pati shpjeguar udhëheqësi i “DokuLab”, Eroll Bilibani për KOHËN. 

Nga filmbërësit vendorë pjesëmarrës janë: Manushaqe Ibrahimi, Leart Rama, Dafina Daka dhe Hana Ahmeti. Ndërsa nga ata që vijnë nga Instituti Skocez i Dokumentarëve janë filmbërësi nga Bangladeshi, Riad Arfin, arabi Huss Al-Chokhdar, Meray Diner dhe Eoin Wilson.