Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rasim Thaçi-Cima kujtohet si emblemë e kulturës shqiptare në Kosovë

Miq, familjarë e zyrtarë të shtetit e kanë kujtuar Cimën në njëvjetorin e vdekjes si figurën që rrezon shembullin e humoristit ikonik në këto anë, i cili vdiq në 26 marsin e vitit të kaluar në moshën 71-vjeçare. “Sa herë të kujtojmë në familje e sa herë të kujtojnë njerëzit e këtij nënqielli, babë na kthehet fuqia, optimizmi, buzëqeshja dhe dashuria për njeriun e këtij vendi dhe për këtë vend”, ka thënë e bija e humoristit, Adelina Thaçi – Meta. “Cima ka qenë jo vetëm një pjesëtar i komunitetit artistik, por aktivist i kombit dhe kulturës pjesë e një rezistence të përgjithshme të popullit tonë”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku

Krejt e thjeshtë por kuptimplote, ka qenë ceremonia përkujtimore e humoristit të shquar, Rasim Thaçi - Cima, në njëvjetorin e vdekjes së tij. Vetura e njohur e tij “Reno 5” e bardhë, me portretin ikonik bardhezi në të, ka zënë vend në hyrje të objektit të Ministrisë së Kulturës, të shtunën. Miq, familjarë e zyrtarë të shtetit e kanë kujtuar Cimën, si figurën që rrezon shembullin e humoristit ikonik në këto anë, i cili vdiq në 26 marsin e vitit të kaluar në moshën 71-vjeçare.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se vendi është krenar për kontributin e Cimës.

Në emër të familjes ka folur e bija e artistit, Adelina Thaçi-Meta e cila krejt në fillim ka thënë se sa herë që kujtojnë të atin, u rikthehet fuqia dhe optimizmi. Duke kujtuar ditët e fundit të të atit, ajo ka thënë se ai po aktronte edhe në aktin e fundit të shfaqjes së tij jetësore, pasi i kishte bërë të besonin se do ta tejkalonte. Cima vdiq si pasojë e COVID-19.

“E kam të vështirë të ndalem sot në këtë ditë te nata kur ndërroi jetë babai, ngase ajo sado e shënjuar është vetëm një natë, një nga dhjetëra mijëra net të tjera që ai na ka dhuruar e vazhdon të na i dhurojë edhe sot e kësaj dite me dashurinë, buzëqeshjet e tij, me humorin e me fjalën e ëmbël mbështetëse jo vetëm për ne si familje. Një vit me parë kur po lëngonte nga COVID-i të gjithë ne si familje që ishim në kontakt intensiv me të ishim të sigurt se ai po ia dilte ta mundte këtë sëmundje”, ka kujtuar sopranoja Adelina Thaçi-Meta. Ka thënë se edhe në atë gjendje, ai gjatë gjithë kohës shfaqte forcën dhe kurajën.

“Ishte me humor dhe shumë optimist, por më shumë gjasë ai po aktronte edhe në aktin e fundit të shfaqjes së tij jetësore. Sa herë të kujtojmë në familje e sa herë të kujtojnë njerëzit e këtij nënqielli, babë na kthehet fuqia, optimizmi, buzëqeshja dhe dashuria për njeriun e këtij vendi dhe për këtë vend”, ka thënë Adelina Thaçi – Meta.

Edhe Çeku: Do ta dokumentojmë punën dhe artin e Rasim Thaçit - Cimës Kulturë Çeku: Do ta dokumentojmë punën dhe artin e Rasim Thaçit - Cimës
Image
Kujtimet për të e figura e tij si artist që sillte buzëqeshje edhe në ditët e zymta, i ka bërë bashkë miqtë, familjarët e bashkëpunëtorët e Rasim Thaçit - Cimës në njëvjetorin e vdekjes së tij, të shtunën, në ceremoninë para Ministrisë së Kulturës ku ka zënë vend edhe “Reno 5” ikonike e tij me portretin që e shquante (Foto: Ministria e Kulturës)

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se vdekjen e Cimës e kishte përjetuar rëndë, duke qenë edhe në ditët e tij të para në këtë detyrë. Sipas tij, aktori i njohur i humorit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën e vendit.

“Jemi këtu për ta kujtuar personalitetin e tij, veprën e tij edhe gjithë gjurmët e pashlyeshme që i ka lënë mbrapa dhe për të cilat besoj që ju si familje jeni krenarë, por edhe ne si institucione dhe si shoqëri jemi krenarë. Cima ka qenë jo vetëm një pjesëtar i komunitetit artistik, por aktivist i kombit dhe kulturës, pjesë e një rezistence të përgjithshme të popullit tonë. Për mua është posaçërisht e vështirë, sepse në ditët e para të marrjes së detyrë jam përballur me lajmin për vdekjen e tij ka qenë moment i rëndë, nuk ka qenë forma më e mirë për me e nisë detyrën, punën. Ai jeton me veprat e tij. Ne e kemi për detyrë jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta dokumentojmë veprën e tij”, ka thënë ministri Çeku.

Njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij ka qenë Mustafa Halili, skenarist i skeçeve të “Treshi përsheshit” që bashkoi Cimën, Ibrahim Krajkovën-Lecin e Sevdai Radogoshin-Qumilin. Për Cimën ka thënë se ai do të mbetet i paharrueshëm për veprën që ka lënë.

“Rasim Thaçi mbetet një emblemë e kulturës sonë shqiptare në Kosovë, mbetet një emblemë e komunitetit artistik, mbetet një emblemë e krijimtarisë artistike në veçanti humoristike që meriton respekt të veçantë”, ka thënë Halili.  

I lindur më 13 korrik 1949 në katundin Vukoc (Komuna e Drenasit), si i dyti në një familje me shumë fëmijë, Thaçi i përshkruante vitet e fëmijërisë si të vështira, mes skamjes e kushteve të rënda për jetesë.

“Fëmijëria ime ka qenë e vështirë”, do të niste ai fillin e rrëfimit jetësor në emisionin “PRO X” në Kohavision, dhënë në vjeshtën e vitit 2016.

Që në vegjëli, ai ishte i dhënë pas topit – një ëndërr që vite më vonë do t’i realizohej vetëm pjesërisht. “Rrallëkujt i realizohet ëndrra”, tregonte Cima për kohën kur luajti për ngjyrat e “Prishtinës” dhe “Flamurtarit”.  Një lëndim i rëndë në gju do ta bënte ta braktiste përgjithmonë ëndrrën e saponisur në fushën e blertë.

Edhe Humorist në shpirt Kulturë Humorist në shpirt

Gjithnjë sipas rrëfimit të tij në vetën e parë, kjo nuk e ia zbehu shpirtin e tij për humor.

Publiku do ta njihte për të parën herë Cimën në projektin filmik “Treshi përsheshi” me Ibrahim Krajkova – Lecin dhe Sevdai Radogoshin –  Qumilin, që u bënë treshja simpatike që parodizoi dhe vuri në lojë, nëpërmjet humorit, mikrokozmosin social të kohës. 

Në ditëvdekjen e tij artistë, kolegë e të njohur të aktorit e kishin vlerësuar njëzëshëm kontributin e tij shumëvjeçar në televizion e pjesë humoristike.

Me një dedikim prekës, aktori nga Gjakova, Sevdai Radogoshi, do të shkruante se lajmi i dukej i pabesueshëm.

“Fjalët nuk po i gjej për ta shprehur dhimbjen për ty”, kishte shkruar Radogoshi, i cili për vite me radhë kishte interpretuar Qumilin në serialin “Treshi përsheshi”.

Teksa e kishte vlerësuar rolin e tij si baba shembullor e të përkushtuar, ai kishte shtuar: “Kujtimet tona së bashku nuk kanë fund”.

Duke ndarë për publikun një fotografi nga vitet ’90, këngëtari Sinan Vllasaliu kishte bërë një kushtim të shkurtër: “Rasim, shumë kemi qeshur bashkë, por sot më bëre me lot”.  Po kështu edhe regjisori, Ben Apolloni kishte shkruar se “bota jonë e varfër me buzëqeshje, qenka varfëruar edhe më shumë”. 

Edhe Lamtumira për Cimën me vlerësime për jetën dhe veprën e tij Video Lamtumira për Cimën me vlerësime për jetën dhe veprën e tij

“Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshnim gjithë jetën e tij”, kishte shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani një vit më parë, kur Cimës me ceremoni shtetërore iu dha lamtumira e fundit. “Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lërë një zbrazëtirë të madhe. Por ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!”