Kulturë

Humorist në shpirt

Si Chaplini, edhe mjeshtri i artit komik shqiptar, Rasim Thaçi – Cima, do ta niste jetën mes skamjes e varfërisë. Megjithëkëtë, dhuntia e tij prej gaztori transcendoi kohërat më të vështira: nuk u ligështua as kur një lëndim e privoi përgjithnjë nga futbolli, duke ia shuar ëndrrën e rinisë; gjallëroi njerëzit me buzëqeshje edhe kur Kosova po terratisej nga retë e periudhës represive nën pushtimin serb; po kaq sfidues me humorin e tij ishte edhe kur ekstremistë islamikë e sulmuan dhe e kërcënuan me jetë

Tingujt drithëruese të kabasë së pavdekshme të Laver Bariut i kanë mbajtur iso lamtumirës së fundit për aktorin jetëndërruar, Rasim Thaçi. Me “flamurin” e artit komik në gjysmështizë, familjarë, miq e dashamirë kanë përnderuar mjeshtrin e buzëqeshjeve dhe gajasjeve që për herë të parë u lajmërua në ekranin televiziv në fundvitet ’80.

I njohur me shkurtesën e emrit të tij, që mishëroi edhe një nga personazhet fiktive të serive, burleskave e skeçeve humoristike, Cima vdiq mesditën e së premtes në betejën e pamundur me COVID-19.

Rreth dy javë zgjati ballafaqimi me virusin vdekjeprurës duke u luhatur mes përmirësimeve të shkurtra dhe përkeqësimit gjithnjë e më serioz, çka bëri që të shtrohej në Klinikën Intensive.

Me gjithë 71 vjetët mbi supe dhe virusin që po ia mpakte fuqitë, edhe në të mbramat ditë të jetës aktori i njohur përçoi mesazhe shpresëndjellëse te ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Me ndihmën e djalit, Artanit, Thaçi nga shtrati në spital gjeti kohë për t’u bërë thirrje njerëzve të kishin kujdes në rrethanat e pandemisë.

“I lutem Zotit së pari për shëndetin e të gjithë pacientëve, e po ashtu edhe të doktorëve me stafin e tyre, që po rrezikojnë për ne, e të dalim faqebardhë nga kjo situatë”, kishte shkruar nga Klinika Infektive.

“Lamtumirë artist…”

I organizuar nga Ministria e Kulturës, homazhi në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës u kthye mëngjesin e së shtunës në pikëmbledhje për qindra qytetarë, që me lule pranë fotografisë dhe fjalë të ndjera në librin e zisë shprehën konsideratat për artistin e cilësuar si ikona e artit komik shqiptar.

Homazhe, ndër të parët, kanë bërë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së presidentit dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Pas përshëndetjes me familjarët, ata kanë vënë buqeta lulesh pranë fotografisë së aktorit Thaçi, si dhe janë nënshkruar në librin e zisë.

“Një mysafir i pashmangshëm”

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, ka thënë se po i jepet lamtumira e fundit artistit të humorit popullor, që për dekada ishte pjesë e pandashme e familjeve shqiptare.

“Për ne që kemi lindur në vitet ‘80 ka qenë e pamundur të pritej Viti i Ri e Rasim Thaçi të mos ishte mysafir i pashmangshëm”, ka thënë Konjufca.

Ai ka vlerësuar se aktori i ndjerë bënte humor të veçantë duke falur buzëqeshje edhe në kohën e zymtisë së okupimit.

“Vepra e tij është e paharrueshme dhe humori i ditëve të sotme, që është i natyrës popullore, është shumë i ndikuar prej asaj që në fund të viteve ‘80 bënte treshja e njohur e humoristëve”, ka thënë Konjufca, teksa ka shtuar se nuk do të harrohen artistët që popullin e ndihmuan edhe në kohë të vështira.

“Kur u rritëm e mësuam se quhej Rasim Thaçi”

Duke e vlerësuar lart kontributin e të ndjerit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Cima gjatë jetës së tij mund të ketë qenë ndonjëherë i palumtur dhe i pakënaqur, porse ai ishte gjithnjë i gëzuar para të tjerëve.

“Guximi i tij ka qenë guxim për të e për të gjithë ne kudo që e takonim, në ekrane apo rrugët e kryeqytetit. Për shkak të kësaj mënyre të jetesës, përplot gëzim, vdekja e tij, përveçse e parakohshme, ngjan edhe e pabesueshme”, ka thënë Kurti.

Përafërsisht të njëjtat vlerësime i ka përcjellë edhe në librin e zisë, duke e quajtur atë si një aktor me të cilin janë rritur sa e sa breza.

“Jemi rritur si fëmijë me Cimën. Kur u rritëm e nuk ishim më fëmijë e morëm vesh se quhej Rasim Thaçi. Gëzimin dhe humorin e tij e shtonte kudo, duke e ndarë me të tjerët. Ne tash duhet ta zvogëlojmë dhembjen e pikëllimin për të, duke e ndarë atë me njëri-tjetrin”, ka shkruar Kurti.

“Një yll i familjeve tona”

Në orët në vijim homazhe kanë bërë edhe krerë të partive politike në vend. Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në librin e kujtimeve ka shkruar se “në kohën e okupimit, kur popullit të Kosovës po i veniteshin ëndrrat dhe shpresat, ishte Cima me humorin e tij që i mbante gjallë”.

Teksa është përkulur para fotografisë së tij, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pandemia mori shumë artistë të njohur të vendit.

“Me pikëllim e morëm lajmin për vdekjen e aktorit të madh Cima, që ka qenë gjithmonë yll i skenës në Kosovë e në familjet tona. Ka qenë njeri që na e ka dhënë buzëqeshjen në kohët më të vështira”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe ish-ministrja e Kulturës, tani deputete në Kuvendin e Kosovës, Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar Thaçin si një artist të veçantë, që solli gëzime në një “kohë të pakohë”.

“Ai do të mbetet gjithmonë si një trashëgimi që do të përcillet nga gjenerata në gjeneratë”, ka thënë Dumoshi.

Image
I organizuar nga Ministria e Kulturës, homazhi në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës u kthye mëngjesin e së shtunës në pikëmbledhje për qindra qytetarë, që me lule pranë fotografisë dhe fjalë të ndjera në librin e zisë shprehën konsideratat për artistin e cilësuar si ikona e artit komik shqiptar

“Cima e Leci jetojnë në zemrat tona”

Pa i përmbajtur lotët, miku i tij nga ditët e serisë “Treshi përsheshi”, aktori Sevdai Radogoshi, ka thënë se skenës së artit iu shkëput një artist i madh.
“Ai u nda fizikisht, por populli do ta kujtojë atë përjetë e mot, njësoj si edhe Lecin. Ata do të jetojnë në zemrat e popullit, sepse bënë shumë që të na bënin të qeshnim në kohërat më të vështira”, ka thënë Radogoshi, i cili në treshen e njohur njihej për rolin e Qumilit.

Brenda pak orësh, dhjetëra mesazhe kanë nxirë faqet e librit të kujtimeve. Me fjalë të ndjera, aktori dhe shkrimtari Ismet Krasniqi-Lala ka shprehur mirënjohjen për veprën e Thaçit.

“Ishe e do të mbetesh ikona e artit shqiptar dhe sidomos humorit”, ka shkruar ai.

“O Cima i keq, nuk o fer babo”, ka shkruar miku i tij, Arsim Gërxhaliu.

“Ishe hareja jonë për vite të tëra, në veçanti sa ishim në mërgatë gjatë viteve të nëntëdhjeta”, pason mesazhi tjetër, i nënshkruar nga zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

“Malli për të do të rritet”

Disa orë më pas, trupi i Rasim Thaçit është përcjellë në varrezat e vendlindjes së tij në Vukoc. E bija e artistit të ndjerë, këngëtarja Adelina Thaçi-Metaj, ka thënë se dhimbja me kohë do të zvogëlohet, por do të rritet malli për të.

“Është shumë e vështirë të flasësh për babin, prindin, që ka qenë krenari e jona si familje”, ka thënë ajo mes lotësh.

I lindur 71 vjet më parë në katundin Vukoc (Komuna e Drenasit), si i dyti në një familje me shumë fëmijë, Thaçi i përshkruante vitet e fëmijërisë si të vështira, mes skamjes e kushteve të rënda për jetesë.

“Fëmijëria ime ka qenë e vështirë”, niste ai fillin e rrëfimit jetësor në emisionin “PRO X” në Kohavision, dhënë në vjeshtën e vitit 2016.

Që në vegjëli, drenicaku i ri ishte i dhënë pas topit – një ëndërr që vite më vonë do t’i realizohej vetëm pjesërisht. “Rrallëkujt i realizohet ëndrra”, tregonte Cima për kohën kur luajti për ngjyrat e “Prishtinës” dhe “Flamurtarit”.

Një lëndim i rëndë në gju do ta bënte ta braktiste përgjithmonë ëndrrën e porsanisur në fushën e blertë.

Gjithnjë sipas rrëfimit të tij në vetën e parë, kjo nuk e ligështoi shpirtin e tij përherë gaztor.

Publiku do ta njihte për të parën herë Cimën në projektin filmik “Treshi përsheshi”: tok me aktorët Ibrahim Krajkova – Leci dhe Sevdai Radogoshi – Qumili, u bënë treshja simpatike që parodizoi dhe vuri në lojë, nëpërmjet humorit, mikrokozmosin social të kohës.

Guximi në kohë të vështira

Përjetimet në prapaskenat e këtyre projekteve filmike i ka të freskëta edhe tani Mustafë Halili. Duke evokuar pafund momente nga koha e xhirimeve në studion e Televizionit të Prishtinës, ai asokohe shkruante skenarin e dy serive të popullarizuara gjatë viteve ‘80.

“Ndodhte shpesh që Cima kërkonte të xhiroheshin skena deri në dhjetë herë, vetëm e vetëm që gjithçka të dilte sa më mirë”, ka thënë Halili për KOHËN.

Sado që asokohe skena mediale kishte vetëm një medium, ai kujton se shfaqjet e emisionet bëheshin në mënyrë profesionale.

“Cima, bashkë me Lecin dhe Qumilin, nisën një punë me mjaft guxim, sepse kohërat ishin të tilla”, ka thënë Halili. “Dhe të thuash që shteti ose pushteti po e bën këtë ose atë jashtë vullnetit të popullit, nuk ishte e lehtë asokohe”.

Duke folur për censurën e asokohshme, ai ka thënë se realizuesit e këtyre emisioneve gjithnjë donin që t’i lëshonin skeçet e tyre, pavarësisht konsekuencave që mund të kishin.

“Por, edhe njerëzit që kishin funksione më të larta në televizion tregonin mirëkuptim, sepse mendonin njësoj si ne”, ka shtuar Halili.

Me mbylljen e Televizionit të Prishtinës erdhën kohëra të tjera, për të cilat Halili thotë se sollën një heshtje artistike. Ishte pikërisht kjo kohë kur prodhimet artistike nisën t’i gjenin kasetat si medium shprehës.

“Skeçet e Cimës, Lecit e Qumilit vazhdonin të pëlqeheshin nga njerëzit”, thekson ai, teksa nuk ngurron t’i vërë në pah vlerat e Thaçit si njeri e si aktor.

“Rasimi i kishte të gjitha ato karakteristika që nuk i kishin të tjerët: mimikën, gjestet, artikulimin dhe shtruarjen e mendjes së tij në ato që interpretonte. Nuk mund të mos qeshje”.

Kontrasti i fëmijërisë së vështirë

Në të gjallë të tij, aktori gaztor ishte krahasuar shpesh edhe me Chaplinin. Megjithatë, më pak është zënë në gojë një tjetër e përbashkët e tyre: aktori anglez në autobiografinë e njohur i përshkruante vitet e fëmijërisë si të vështira e nën çekanin e kudhrën e varfërisë. Të tillë e kujtonte edhe vetë Cima jetën e tij në fshatin Vukoc.

“Me bashkëdyzimin e Rrustemit dhe Habibes linda unë”, e niste ai si me shaka fillin e rrëfimit jetësor.

Ishte i dyti nga dhjetë fëmijët, prej të cilëve vetëm pesë mbijetuan. I rritur në “bashkallëk” me familjen e gjerë shumanëtarëshe, vogëlushi drenicak do ta ruante gjënë e gjallë në katund.

Pasi mbaroi Fakultetin e Kulturës Fizike, ai u kyç në ekipet prishtinase të futbollit, e më pas punoi edhe si profesor i edukatës fizike në gjimnazin “Xhevdet Doda”.

“Kam qenë gjithmonë humorist në shpirt”, vijonte Cima rrëfimin e tij për kohën që parapriu përfshirjen e tij në projektet humoristike të kohës, e më pas edhe në skeçet që u përhapën përmes kasetave.

Me kostumet laramane

Në “treshen” e njohur, aktori drenicak do të bëhej simpatik me kostumin dhe kravatën e tij lara-lara, që do ta vishte edhe në dekadat pasuese. Në intervistat e tij, këtë përzgjedhje e shpjegonte si të mbetur nga vitet ’90, kur ktheheshin nga kurbeti mërgimtarët.

Origjinal në interpretimet e tij, Cima guxoi të vinte në lojë nëpërmjet ironisë e satirës realitetet e mikrokozmosit social. Të tilla janë edhe skeçet ku fshikullonte fanatizmin fetar. Në prill të vitit 2010, Cima ishte therur katër herë me thikë nga persona të panjohur. Një grup anonim – sipas të gjitha gjasave ekstremistë fetarë – kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen në tentativë të humoristit të njohur për shkak të, siç ishte thënë, “talljes me fenë islame”. Edhe kur kishte folur për këtë ngjarje, këtë e kishte bërë me humor. Si për ta konfirmuar atë që e thoshte thjesht për veten: humorist në shpirt.