Me “Qeramika artistike bashkëkohore”, Lirije Buliqi sjell një rilexim të veçantë të teknikave të moçme të skulpturës dhe shenjave tradicionale. Të veçanta janë format e objekteve, dekorimi grafik, gdhendja dhe ilustrimet me qeramikë. Krijimtaria e saj artistike është unike ngase punimet e saj janë kryesisht me elemente qeramike, në të cilat ajo përshtat thjesht variacionet delikate tradicionale
Simbolet etnike vijnë në kompozicione e kombinime të ndryshme. Estetika është njëra anë e ekspozitës. Teknika u jep peshë më vete. “Qeramika artistike bashkëkohore” e skulptores Lirije Buliqi u bën një rilexim të veçantë teknikave të moçme të skulpturës dhe shenjave tradicionale. Data 4 maj është dyfish e veçantë për Buliqin, pasi festës për ekspozitën ia shtoi edhe atë të ditëlindjes së 67-të të saj.
Në punimet e Buliqit, të bëra bashkë në kafe-galerinë “KultPlus”, të veçanta janë format e objekteve, dekorimi grafik, gdhendja dhe ilustrimet me qeramikë. Veprat e realizuara në argjilë i janë ekspozuar nxehtësisë në një apo më shumë pjekjeje, që sjell produktin final – qeramikën dekorative. Për ta formësuar dhe për ta bërë më të qëndrueshme, punimet duhet të kalojnë në disa procese.
“Teknika ‘raku’ është më e komplikuar, por është shumë e lezetshme të bëhet. Domethënë bëhet pjekja e parë, pas saj ngjyroset dhe vendoset në ‘byk’, ku lihet për pesë minuta dhe pastaj vendoset në ujë të ftohtë”, ka thënë autorja e ekspozitës, teksa ka treguar se punimet e saj janë kryesisht të realizuara në këtë teknikë.
Por nuk janë vetëm muret që janë pushtuar prej veprave. Në njërën nga tavolinat në hyrje të galerisë kanë zënë vend enët prej qeramike të formave të ndryshme, që plotësojnë të tjerat kryesisht ngjyra nga elementet e veshjeve kombëtare e qilimave në odat tradicionale.

“Kam qenë e inspiruar pasi jam nga Dukagjini. Është kombinim i baltës me pëlhurë, kjo është teknika. Balta më ka tërhequr edhe si fëmijë, si çdo fëmijë tjetër vazhdova të punoj me të”, ka thënë skulptorja Lirije Buliqi
Vija zig-zage dhe pjesë portretesh janë format më konkrete në këto enë.
Edhe
Arti i qeramikës modelon pasione, bashkon gjenerata
Në veprat e Buliqit, simbolet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në mënyrë të thjeshtë, por mjaft të qartë. Edhe detaje nga thasët mbulojnë disa nga sipërfaqet e qeramikës, që të kthejnë në kohë muret e rrjepura të lëna në mëshirën e kohës.
“Kam qenë e inspiruar pasi jam nga Dukagjini. Është kombinim i baltës me pëlhurë, kjo është teknika. Balta më ka tërhequr edhe si fëmijë, si çdo fëmijë tjetër vazhdova të punoj me të”, ka thënë skulptorja Buliqi.
Përveç teknikës “raku” ka përdorur edhe atë të kombinimit të baltës së bardhë dhe të zezë. Ndërkaq në mur janë vendosur pjata shumëngjyrëshe të ngjyrosura me ngjyra qeramike dhe të pjekura një herë. Ajo ka vlerësuar se kjo është punë më e lehtë se të tjerat që ka aplikuar deri më tani.
Krijimtaria e saj artistike është unike ngase punimet e saj janë kryesisht me elemente qeramike, në të cilat ajo përshtat thjesht variacionet delikate tradicionale. Ajo synon ta vërë publikun në një mendje me të, duke ngjallur imagjinatën rreth paraqitjeve të punimeve të saj.
“Nuk ka qenë e lehtë të bëhet një përzgjedhje e tillë e qeramikave, është një teknikë e veçantë, specifike, që rrallëherë i shohim në Kosovë dhe për mua ka qenë mjaft e vështirë, pasi që Lirija disponon me një numër të madh të qeramikave dhe jemi munduar të përzgjedhim cikle të ndryshme që janë prezantuar edhe më parë, mirëpo me shumicën e tyre nuk është parë”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi, në fjalën e tij hyrëse gjatë ekspozitës, teksa ka treguar se inspirim për këto kompozicione kanë qenë kostumet tradicionale, përmes të cilave tradicionalja kthehet në bashkëkohoren.
Lirije Buliqi ka kryer studimet për skulpturë në Fakultetin e Arteve Figurative, ndërsa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri në vitin e kaluar kur kishte dalë në pension. Përgatitjeve të saj profesionale më pas i shtohen edhe përfundimi i magjistraturës e mirënjohjet e shumta, si vendore e ndërkombëtare, teksa ka dhënë kontribut të çmuar duke e përcjellë teknikën që aplikon edhe te gjeneratat e reja, në punëtori të ndryshme.
Edhe
Qeramikat e bashkuara në ekspozitë – mozaik i transformimit artistik
Ekspozita e së mërkurës mbrëma është vetëm një nga lista e gjithë ekspozitave përgjatë përvojës së saj mbi 50-vjeçare, të cilat ndër vite i ka realizuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Galerinë e Arteve, në qytete të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj, si në Rijekë të Kroacisë.
Ekspozita me veprat prej qeramike e Lirije Buliqit do të jetë e hapur për dy javë në kafe-galerinë “KultPlus” në Prishtinë.

Edhe detaje nga thasët mbulojnë disa nga sipërfaqet e qeramikës