Jo rastësisht ngjarja “Ditët e Lalës” është titulluar kësisoj. Aty janë njerëzit që njohin çdo rrëfim të veprave të tij, sado në kulm të jetë edhe abstraksioni. Për të dytën herë, sivjet portreti i Luan Mulliqit e skulptura e tij vijnë si retrospektivë e çmuar e si trashëgimi për brezat e rinj në mediumin që iu përkushtua gjithë jetën
Në oborrin e shtëpisë së tij si park skulpturash, kujtimet për doajenin e artit, Luan Mulliqi, janë ngjallur bashkë me homazhin për të e në nderimin e veprës së tij. Jo rastësisht ngjarja “Ditët e Lalës” është titulluar kësisoj. Aty janë njerëzit që njohin çdo rrëfim të veprave të tij, sado në kulm të jetë edhe abstraksioni. Për të dytën herë, sivjet portreti e skulptura e tij vijnë si retrospektivë e çmuar e si trashëgimi për brezat e rinj në mediumin që iu përkushtua gjithë jetën.
Pak para se të bjerë muzgu, oborri i shtëpisë së tij – ku gjendet edhe atelieja e tij si monument i krijimtarisë së çmuar për skenën e artit në vend përtej – është në frymë të atmosferës atraktive e ambient i ngrohtë në ditë të freskët vjeshte. Skulpturat e Luan Mulliqit kanë qëndruar aty si monumente të trashëgimisë e historisë së artit shqiptar. Ritmet e muzikës jazz janë dëgjuar që para hyrjes në oborrin e Rezidencës së artistit të ndjerë. E ato përzihen me cicërimat e zogjve në peizazhin e bukur të rrethuar me gjelbërim.
I pari imazh që bie ne sy është skena e përgatitur për panele. Aty janë shenjëzimet për panelet e edhe për punëtorinë me fëmijë që ka qenë duke u zhvilluar. Nga xhamat e derës së katit përdhesë, skulpturat e shumta të dimensioneve më të vogla të artistit kanë qenë të dukshme. Mysafirët aty kanë qenë të rrethuar me artin e tij.
Pritja e mysafirëve ka nisur në orën 16:00. Gjysmë ore më pas, sipas agjendës, ka ndodhur shëtitja e fëmijëve në kopshtin e skulpturave duke u mundësuar brezave të rinj njohjen me veprat e Luan Mulliqit. Po aty është organizuar edhe një punëtori kreative me ta me mentorë edukatorët e artit, Rina Gosalci dhe Arton Behrami. Në këtë punëtori është prezantuar arti i skulpturës përmes vëzhgimit dhe krijimit me terakotë të frymëzuar nga vepra “Hasjanja” e Luan Mulliqit.
Derisa punëtoria zhvillohej, të mbledhurit kishin rastin të ngrinin nga një gotë duke kujtuar e biseduar për skulptorin i cili gjashtë ditë më parë mbushi dy vjet të ikjes në amshim. Vdiq më 21 tetor të 2023-s.
E biseda për të ka qenë e hapur edhe nëpërmjet rrëfimeve të miqve e bashkëpunëtorëve të tij në dy panele diskutimi.
Krijimtaria si frymë e mëvetësisë
I parë është zhvilluar nën temën “Jeta dhe trashëgimia e Luan Mulliqit” me panelistë historianin e artit Hivzi Muharremi dhe artistët Orhan Kurtolli e Burim Berisha si diskutim mbi jetën shumëdimensionale dhe ndikimin e Mulliqit në art dhe pikturë. Qëllimi ka qenë që edhe publiku ta njoh figurën e artistit të ndjerë përtej biografisë. Ta njohë dimensionin njerëzor të tij.
Muharremi e ka quajtur Mulliqin si doajenin më të madh të skulpturës në të gjitha trojet shqiptare.
“Bota e tij imagjinative ka qenë e tillë sa ka dalë jashtë kornizave të artistëve figurative, jo vetëm tek ne por edhe në Ballkan dhe në Evropë”, ka thënë ai në hyrjen e rrëfimit për të.
Prej vitit 2000, Mulliqi qe drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës me mandat prej dhjetë vjetësh. Muharremi është shprehur se i ndjeri Mulliqi e pati menaxhuar shkëlqyeshëm institucionin më të lartë të artit vizual në vend.
“Puna jonë kreative ka qenë në Galerinë e Arteve të Kosovës ku ka qenë drejtor i Galerisë dhe puna e veprat e tij, vizioni, çdoherë ka ndikuar që arti të shkojë sa më përpara, të avancojë. Veçanërisht të rinjve u ka kushtuar shumë vëmendje dhe u ka lënë vend në programet vjetore për hapjen e ekspozitave. Lirisht mund të them që galeria funksionin e vet e ka kryer në mënyrën më të mirë nën drejtimin e tij. Ka pasur edhe të tjerë që vite pas e kanë menaxhuar institucionin më të lartë të artit pamor”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për krijimtarinë e tij, ka thënë ajo ka qenë frymë e mëvetësisë.
“Veprat e tij janë cilësuar si moderne dhe pikësynimi i tij në krijimtari ka qenë post-modernizmi, abstraksioni gjeometrik. Ka qenë frymë e mëvetësishme, personale e tij që e ka studiuar dhe të gjitha veprat shihen nga cikli i parë deri tek i fundit me titull ‘Hasjanet’”, është shprehur historiani e kritiku i artit, Hivzi Muharremi.
Artisti Orhan Kurtolli ka kujtuar takimin e parë me Mulliqin. Ka thënë se fakti që kanë mbetur dy projekte të tij në gjysmë janë gjurmë të vazhdimësisë së veprës së tij.
“Kemi qenë shumë të rinj, kontakti i parë është i jashtëzakonshëm. Kishte karizëm edhe si fëmijë. Puna e pare ka qenë cigarja për njeri-tjetrin. Ka qenë karater i jashtëzakonshëm. Periudha kur ka qenë në Amerikë, ka lënë një boshllëk të madh. Ka shumë barsoleta me të. Kishte një dell krijues të jashtëzakonshëm. Kam shume kujtime me të”, ka thënë Kurtolli.
Ka thënë se njeh çdo rrëfim të veprës së tij.
“E njoh çdo rrëfim të veprës së tij, duket abstrakte por çdo gjë ka rrëfim brenda. E preokuponte shumë dhuna që ndodhi ndaj grave e vajzave dhe mendonte gjithmonë se si do ta paraqiste atë në veprën e tij”, është shprehur Kurtolli.
E skulptori Burim Berisha ka thënë se Mulliqi u ka rezistuar pengesave të kohës në industrinë kreative. E ka konsideruar kontribuuesin kryesor në zhvillimin e artit, e veçmas atë të skulpturës, në vend.
“E kam vlerësuar dhe adhuruar formën e punës së tij dhe e kam vlerësuar pjesën e menaxhimit të punës së tij në Galerinë Kombëtare, pra krejt e kam parë prej jashtë. Interesi ishte në gjendjen e tregut të artit në Kosovë dhe natyrisht duhet ditur si të gjendesh në këtë treg në Kosovë. Ëndrra për të qenë pjesë e këtij institucioni dhe kjo ndjenjë pasi që dukej shumë e mundshme të shkosh të ekspozosh aty, nuk ka pasur dallime”, është shprehur Berisha.
Vizioni për artin e Kosovës në botë
Paneli i dytë ka ardhur si vazhdimësi e atij të parit me të njëjtën temë. Të dyja janë moderuar nga historiania e artit, Drita Kabashi, e ajo në të dytin ka pritur drejtoresha e qendrës kulturore të Kosovës në Paris, Frederique Duversin, drejtorin e fotografisë Afrim Spahiu dhe artisten Zake Prelvukaj.
Në panel është bërë e ditur se që nga viti i ardhshëm do të hapet programi edukativ për fëmijë ku mentore do të jetë Rina Gosalci. Qëllimi i këtij programi është bërë i ditur të jetë mësimi dhe njohja e brezit të ri me artin e Mulliqit.
Frederique Duversin, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, institucion të cilin e themeloi së bashku me Luan Mulliqin, nëpërmjet lidhjes nga Parisi ka thënë se kishin organizuar dy ekspozita në Paris me artistë nga Kosova, si veprimtari e Qendrës. Ka kujtuar themelimin e saj.
“Kemi ndarë vizionin e përbashkët për të promovuar kulturën dhe artin e Kosovës. Përherë kemi diskutuar mundësitë e organizimeve të ekspozitave për artistët kosovarë në Paris, për të mbështetur ata dhe për të zhvilluar shkëmbimet kulturore. Kur filluam projektin, kishim një qëllim: të shohim zhvillim në këtë drejtim. Më kujtohet kur i thashë ish-presidentit Ibrahim Rugova për nevojën e krijimit të një qendre kulturore të Kosovës në Paris dhe ai tha ‘po’. Luani dha gjithë mbështetjen e mundshme për projektin dhe i kërkoi Ministrisë së Kulturës buxhet të rregullt për qendrën kulturore”, ka treguar ajo në panel nëpërmjet platformës “Zoom”.
Artistja Zake Prelvukaj ka thënë se Mulliqi kishte njohuri të përgjithshme. Se ai e njihte vendlindjen e saj më mirë se ajo.
“Në luftë dhe në represionin më të madh botëror janë bërë vepra të mëdha. Edhe gjenerata jonë ishte midis tyre. Shpesh kur dilnim natën në kafiteri na mbyllnin. Shumë herë edhe me Luanin shkonim në studio dhe mblidhnim e pinim. Unë vija nga një vend që është pjekur rakia e që i ka pëlqyer Luanit shumë. Ai dinte më mirë për Malësinë dhe malësorët, seç dija unë”, është shprehur ajo.
E fotografi e kinematografi Afrim Spahiu ka treguar se shoqëria midis tij e Mulliqit daton shumë herët.
“Kam pasur fatin të shoqërohem me profesorin e tij, Agim Çavdarbashën, me të cilin kam ndarë një pjesë të jetës dhe mbyllem e formohem edhe me frymën e formatit të prekshëm skulpturor. Për ditë të tëra, me profesor Agimin bëja pyetje dhe merrja informata për atë se çfarë është skulptura. Ajo mundësi dhe pasuri që të shoqërohem me profesorin dhe të bëj një numër të madh të fotografive më hapi një horizont të ri që ta ndërlidh me atë që e kam pasur pasion dhe profesion – fotografinë”, është shprehur ai duke treguar sesi me të ndjerin Mulliqi i bashkoi puna në projektin e monografisë për artin bashkëkohor në vend.
“Në këtë tërësi, Luani më hapi derën për herë të dytë pastaj me një punë shumë madhore që e menaxhoi ai, me një dashuri shumë të fuqishme, me guxim të paparë deri atëherë – të krijojë mundësinë të realizohet një monografi e artit kontemporan kosovar. Një numër i madh i fotografive që duhej të realizoheshin me teknologji analoge, mua më jepte jo vetëm frymëzim, por edhe një guxim për të bërë eksperimentim të qasjeve të drejtimeve të artit pamor”, ka vazhduar ai më tej.
Pas panelit janë shfaqur punimet si produkte nga punëtoria për fëmijë si dhe të pranishmit janë udhëhequr në një rrugëtim nëpër galeri dhe atelie.
Krejt aktiviteti është mbyllur me performancë muzikore nga këngëtarja Diana Mehmetaj dhe kitaristi Leonard Canhasi.
Ëndronida Shala, koordinatore e fondacionit “Luan Mulliqi”, që e ka organizuar ngjarjen “Ditët e Lalës”, ka thënë se qëllimi i këtij fondacioni është ringjallja e hapësirës në shërbim të brezave të rinj.
“Duke pasur parasysh që Luan Mulliqi është një figurë e njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, Evropë e në gjithë botën dhe ka lënë një trashëgimi shumë të madhe, siç janë mbi dyqind skulptura dhe vepra të tjera të tij në atelie me gjithë ato vegla të punës që kanë një vlerë shumë të madhe, qëllimi i Fondacionit është ringjallja e kësaj hapësire që ua ka lënë gjeneratave të reja, skulptorëve e artistëve të rinj që të vijnë dhe ta shfrytëzojnë duke vazhduar ta formojnë identitetin e Kosovës përmes këtyre punimeve. I ndjeri ka qenë edhe patriot, duke u bazuar në veprën e tij, feminist, dhe të gjitha karakteristikat e mira”, ka thënë ajo.
“Ditët e Lalës” është ngjarje e organizuar nga fondacioni “Luan Mulliqi”, i krijuar në nderim të trashëgimisë së artit të shquar sipas të cilit është emërtuar fondacioni. Ka për qëllim të mbështet talentet e reja, të promovojë artin si dhe të krijojë mundësi për zhvillim krijues.