Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur ekspozitën e finalistëve të çmimit Artistët e së nesërmes 2018.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele - YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Jelena Vesić, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, Adrian Deva, artist dhe edukator arti, dhe Amanda Parmer, drejtore e programit e Independent Curators International (ICI), Nju Jork, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2018
Punët e Qëndresë Dedës, Altin Krasniqit dhe Dion Zeqirit mbulojnë një rrafsh të gjerë të praktikës artistike aktuale në Kosovë, përfshirë pikturën, tekstin, instalacionin, grafikën dhe fotografinë. Punët reflektojnë një interesim të përbashkët për marrëdhëniet mes kontekstit lokal dhe jetës bashkëkohore si dhe gjetjen e trajektores personale të procesimit të materialit dhe ambientit psikologjik të qyteteve të Kosovës.
Një intimitet gjendet në shumë prej punëve, ndërsa implikimet janë shpesh shoqërore dhe politike.
Edhe
Mësohen finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”
Qëndresë Deda (1988) ka përfunduar Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Dizajn Grafik (2008 – 2010). Aktualisht studion në Universitetin e Lubjanës, Akademinë e Arteve të Bukura dhe Dizajn – Departamenti i videos dhe mediave të reja.
Qëndresë Deda është artiste që punon përmes disiplinave të ndryshme, zakonisht duke vënë vetën në rol të objektit dhe subjektit. Kur shfrytëzon fotografinë, ajo e trajton kamerën si pasqyrë. Edhe pse puna e saj duket të jetë personale dhe intime, ajo merret me fenomenet e rrethanave të menjëhershme.
Është një listë e gjatë e ekspozitave individuale dhe kolektive në të cilat ka marrë pjesë. Puna e Qëndresë Deda në ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 ka të bëjë me çështjet e identitetit, “hapësirë utopike” të lirisë, refuzimit, dhe të gjithë etiketimeve që mund t’i refuzosh, peshës së rëndë të çkado që mban me vete, rëndësisë së krijimit të hapësirës, dhe kur nuk ke hapësirë që përdor trupin-vetën si hapësirë.
Altin Krasniqi (1994) është artist që vepron në Kosovë. Në vitin 2014 ka përfunduar shkollën e mesme të arteve aplikative "Odhise Paskali" në Pejë, në drejtimin e pikturës. Ka vazhdur studimet në drejtimin “Pikturë dhe Arte Vizuele” nga viti 2014 deri në vitin 2017. Krasniqi ka marrë pjesë në koloni të shumta artistike dhe ekspozita kolektive. Altin Krasniqi ishte fitues i çmimit të dytë dhe pjesëmarrës në punëtorinë “Urgjencat delikate" - Cittadellarte, Itali dhe Art House, Shkodër, Shqipëri.
Për ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Altin Krasniqi tregon punën "Dyqani i pavarur tregtar" që shpërfaq raportet shoqërore, si dhe mjedisin shoqëror, ekonomik, politik, kulturor.
Edhe
“Artistët e së nesërmes” me 16 konkurrentë
Dion Zeqiri (1996) ka përfunduar studimet bachelor në dizajn enterier në Universitetin e Prishtinës (2018). Ai punon në një kompani të dizajnit si përpilues i projekteve kreative. Dion Zeqiri ka filluar të pikturojë në shkollën fillore, në stile të ndryshme. Zeqiri punon me mediume të ndryshme si: instalacion, skulpturë, video dhe objekte të gatshme të gjetura, që në vazhdimësi kërkon të vë në pyetje ato objekte të gjetura për përkthimin e tyre në komunikim, që e bën gjuhën në shkallë shoqërore.
Ekspozita e parë e Dion Zeqirit ishte ekspozita personale “Rumination” (2018) e mbajtur në “Hapësira Motrat”, Prishtinë, Kosovë.
Puna për ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2018 trajton transformimin e hapësirës urbane si rezultat i ndërtimit të keq si dhe shumë faktorë të tjerë. Këto situata bëjnë që objekti, hapësira, shenjat e trafikut, dhe gjëra të tjera që nuk shfrytëzohen për destinimin e tyre themelor. Kur këto objekte, të cilat kanë pasë një funksion, edhe pse të njejtë në pamje, ato tashmë nuk përdorën për atë destinim. “Deterritorializimi” dhe zhvendosja e tyre në kushte të tjera, tregon interpretime të ndryshme. Pyetjet gjithnjë e bëjnë Dion Zeqirin të hulumtoj esencën e dukurive, objekteve apo subjekteve.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpallet me 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2018.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York.
Edhe
“Artistët e së nesërmes” për veprën mbi identitetin e përballë utopisë
Çmimi “Artistët e së nesermës” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare.
Çmimi “Artistët e së nesërmës” 2018 është përkahur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Fondacioni Friedrich-Ebert (FES) zyra në Prishtinë. Çmimi është mbështetur edhe nga Drejtorati për Kulturë i Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG.