Prishtinë, 1 tetor – Janë 16 konkurrentë që synojnë këtë vit çmimin “Artistët e së nesërmes”. Qendra për art bashkëkohor “Stacion” ka publikuar emrat e tyre, duke treguar se po ata do ta sfidojnë veten e tyre për të krijuar vepra të reja artistike, me qëllim që të zgjedhën fitues e të bëhen pjesë e rezidencës artistike në SHBA.
Melos Gashi, Fatbardha Goga, Shkamb Jaka, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Enkela Maxhuni, Brilant Milazimi, Butrint Morina, Shkurte Ramushi, Vernona Rrustemi, Sadie Tadi-Suhodolli, Jetullah Sylejmani, Somer Şpat, Valdrin Thaqi, Yll Xhaferi dhe Dion Zeqiri, janë 16 konkurrentët.
Vitin e kaluar fituese e garës së përvitshme, që shpërblen artistët e rinj, ishte Qëndresë Deda. Me veprën e titulluar “Care” mposhti dy finalistët e tjerë, Dion Zeqiri dhe Altin Krasniqi. Zeqiri është në garë edhe këtë vit.
Vala Osmani, menaxhere dhe udhëheqëse e programit të “Stacionit”, ka thënë se qëllimi i çmimit është që të ofrojë mbështetje për artistët e rinj dhe të lehtësojë vazhdimin e punës së tyre. “Duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se janë të kënaqur me aplikimet dhe veprat që janë dërguar nga artistët kosovarë.
Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në New York dhe mbështetet nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")