As pas më shumë se një dekade, përpjekjet për një ligj të ri për kinematografi nuk dalin të jenë të harmonizuara. Jo pak vërejtje i janë bërë Projektligjit për Kinematografi në diskutimin publik të martën. Centralizimi i vendimmarrjes në Qendrën Kinematografike të Kosovës, rabati prej 30 për qind për produksione të huaja, shuarja dhe transformimi i “KosovaFilmit”, janë pikat kryesore për të cilat nuk ka gjuhë të përbashkët
Fuqia vendimmarrëse që parashihet të ketë drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, rabati prej 30 për qind që shteti synon t’ua kompensojë produksioneve të huaja, shuarja e “KosovaFilmit” e përmbajtja e asaj që quhet “vepër audiovizuale”, janë pikat më të nxehta të komunitetit të kkineastëve në raport me Projektligjin për kinematografi.
Të paktën kështu del të jetë në bazë të diskutimit që filmbërësit kanë zhvilluar të martën si mysafirë të Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Në diskutimin publik të organizuar nga ky Komision deputetët kanë dëgjuar kritikat e këshillat e një pjese të komunitetit, për Projektligjin që ka më shumë se një dekadë që draftohet. Më 2 shkurt Projektligji është miratuar në parim në Kuvend, tash pritet që Komisioni Parlamentar nëpërmjet grupit të vet punues të ndërhyjë në bazë të rekomandimeve e më vonë të dërgohet për miratim final në ndonjë nga seancat e ardhshme plenare të legjislativit.
Kompetencat problematike të drejtorit
I paralajmëruar për në orën 12:00, diskutimi publik ka nisur me 24 minuta vonesë. Vetëm deputetet Albena Reshitaj dhe Adriana Matoshi kanë qenë të pranishme me kohë. Kryetari i Komisionit, deputeti Ardian Gola, ka mbërritur në sallë me vonesë dhe pa të nuk ka nisur diskutimi. Nga dhjetë deputetët që janë anëtarë në këtë Komision, diskutimi ka nisur me vetëm tre prej tyre. Eliza Hoxha ka arritur në sallë në orën 12:56, kurse kolegia e saj, Arjeta Fejza shumë më vonë. Kanë munguar: Enis Kervan, Arijeta Rexhepi, Jahja Kokaj, Ardian Kastrati dhe Vlora Dumoshi.
Nga komuniteti i filmbërësve kanë qenë të pranishëm 11 veta. Samir Karahoda ka qëndruar vetëm një orë, përderisa i gjithë diskutimi ka zgjatur 2 orë e 35 minuta.
Edhe
Kinematografia bëhet me ligj të ri, ankesa deri në Kushtetuese
Disa prej kinematografëve të pranishëm kanë ngritur shqetësimin e pavarësisë së QKK-së dhe kompetencave të drejtorit që parashihet t’i ketë sipas projektligjit. Me ligjin aktual, i miratuar më 2004, Qendra Kinematografike e Kosovës ka Këshill drejtues të përbërë nga pesë anëtarë. Të gjithë emërohen nga ministri i Kulturës, por e përbëjnë nga një i deleguar i Ministrisë për Kulturë, një i producentëve vendorë, një i Shoqatës sё Artistëve të Filmit, një i distributorëve dhe njё i kritikëve tё filmit. Kjo përbërje harton politikat e miraton planin e vjetër të punës. Drejtori është krejtësisht menaxher ekzekutiv. Me Projektligjin e ri situata përmbyset. Parashihet të ketë këshill profesional, i cili “këshillon ministrin për politikat zhvillimore të QKK-së, mbikëqyr dhe vlerëson zbatimin e politikave zhvillimore të QKK-së dhe harton raporte dhe rekomandime mbi efektshmërinë e zbatimit të politikave aktuale dhe masave që duhet të ndërmerren nga Ministria në funksion të avancimit të kinematografisë”. Po ashtu “këshillon drejtorin në përzgjedhjen e jurive dhe të komisioneve të QKK-së”. Ndërsa drejtori “është organi kryesor menaxhues dhe drejtues i QKK-së”. Në raport me këshillin profesional, vetëm këshillohet. Për këtë kanë qenë të zëshëm disa kineastë. Sipas tyre, bëhet centralizim i plotë i funksionimit të QKK-së.
Kastriot Avdyli, producent e regjisor dhe regjisori Agim Sopi e kanë kundërshtuar këtë përcaktim të funksionimit të QKK-së.
“Draftligji në fjalë, në vend se ta shndërrojë në institucion plotësisht të pavarur Qendrën Kinematografike te Kosovës, e bën të kundërtën. E defaktorizon, e centralizon dhe shtetëzon Qendrën Kinematografike të Kosovës. E zhvesh nga atributet dhe rregullimi ligjor”, ka thënë Sopi në emër të shoqatës së artistëve të filmit “Pro Arte”. Ka thënë se përfaqëson mbi 80 filmbërës dhe për këtë çështje kanë mbajtur pesë takime. Në këtë pikë është mbështetur nga deputetja Eliza Hoxha.
“Nuk mund të flitet për pavarësi intelektuale e as profesionale kur të gjitha janë në dorë të një ministri. Duhet parë mundësia që vendimmarrja të mos i mbetet në dorë vetëm drejtorit. Ne duhet të mendojmë që institucioni të funksionojë e të jetë në shërbim të filmbërësve edhe kur ne nuk jemi në pozitat që mbajmë”, ka thënë ajo derisa krejt këtë e ka elaboruar gjatë. Madje u ka dhënë të drejtë filmbërësve kur kanë kërkuar që të ceket në Projektligj që drejtori duhet të ketë përgatitje universitare në kinematografi pasi kështu siç është Projektligji gjithçka mbetet në dorë të atij udhëheqësi. Për Këshill Drejtues ka qenë edhe deputetja Albena Reshitaj. Në anën tjetër regjisorja Bleta Basholli ka pasur tjetër mendim.
“Nuk mendoj që drejtori duhet të jetë vetëm ekzekutiv. Por të ketë përgjegjësi dhe ta dimë ku të kërkojmë përgjegjësi”, ka thënë ajo.
Rabati midis atraktivitetit dhe keqpërdorimit
Diskutimi i filmbërësve ka ngjallur edhe shumë polemika sa i përket asaj që Projektligji e përcakton si rabat prej 30 për qind. Në praktikë mendohet që nëse një produksion i huaj bën në Kosovë shpenzime prej 1 milion eurosh, shteti t’ia rimbursojë 300 mijë prej tyre. Synimi është që Kosova të përfitojë ekonomikisht e po ashtu edhe në anën e marketingut si opsion për turizëm. Por brengë e disa kinematografëve është mundësia që kjo të keqpërdoret. Shembull janë marrë mundësitë për të lidhur kontrata e të fryra me subjekte vendore e më pas paratë të kthehen prapë te producenti. Një grup kineastësh e përkrahin rabatin prej 30 për qind me kërkesën që shteti të ketë mekanizma për kontrollin e tyre.
Në këtë pikë më i zëshmi ka qenë regjisori Agim Sopi. Por midis atyre që e kanë përkrahur rabatin e që dukej se ishin shumicë qe edhe aktori Sunaj Raça. “Rabati është ide fantastike, por edhe mund të keqpërdoret”, ka thënë ai.
Edhe
Projektligji për kinematografi drejt miratimit final, pavarësisht kritikave
Përplasjet për “vepër audiovizuale”
Sipas versionit aktual të Projektligjit, me vepër audiovizuale nënkuptohet një vepër si: filmi, filmi eksperimental, projekti filmik multimedial dhe transmedial, seriali filmik, videolojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje, me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes. Në këtë pikë prapë “flamurtar” ka qenë Agim Sopi. Sipas tij, drafti pretendon të shtoje si substancë “veprimtarinë audiovizuale”, si një shtrirje të pakufishme veprimtarish amatore e komerciale në emër të të cilave grupe të ndryshme të shoqërisë civile do të kenë mundësi që me lehtësi të përfitojnë edhe nga buxheti i kinematografisë. Por, sipas koleges së tij, regjisores Blerta Basholli, “audiovizualja” nuk ka të bëjë vetëm me spote e videolojëra dhe reportazhe.
“Me akte nënligjore mund të rregullohet kjo çështje dhe duhet të mendojmë se nga po shkon kreativiteti pasi sot idetë janë të ndryshme”, ka thënë ajo. Sipas saj, keqpërdorimet e buxhetit nuk mund të ndalen nëpërmjet një ligji por me raste e tilla duhet të merren institucionet e drejtësisë. Shteti parasheh që të rrisë dozën e përkrahjes financiare.
“Vlera e mbështetjes financiare e veprave filmike dhe audiovizuale vendore të metrazhit të gjatë mund të arrijë deri në 80 për qind të buxhetit total të veprës, përveç veprave të regjisorëve debutues dhe filmave të metrazhit të shkurtër dhe të mesëm, që mund të mbështeten deri në 100 për qind të buxhetit total të veprës”, shkruhet në Projektligj.
Fati i “KosovaFilmit” sërish në tryezë
Blerta Basholli ka dalë në krah të “gjeneratës së vjetër” për çështjen e “KosovaFilmit”. Sipas Projektligjit, “ndërmarrja shoqërore ‘Kosovafilm’ e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale, është njësi e posaçme në Qendrën Kinematografike të Kosovës”. Regjisorja Basholli ka thënë se nuk e mbështet idenë që ky institucion të jetë njësi brenda QKK-së. Më i zëshmi kundër asaj që parashihet me Projektligj ishte ish-drejtori i “KosovaFilmit”, Gani Mehmetaj. Sipas tij, me këtë akt po vazhdohet tradita e shuarjes së institucioneve siç ka ndodhur me të përditshmen “Rilindja”. Statusi i “KosovaFilmit” është një çështje e kahershme. Në 15 vjetët e fundit ka disa herë vendime për shuarje e shfuqizim vendimesh.
“Shuarja e ‘KosovaFilmit’ është krim. Nuk e di kush e merr këtë guxim dhe në anën tjetër shteti do të financojë seriale televizive”, ka thënë ai. Ka pasur propozime që “KosovaFilmi” të jetë institucion më vete dhe të shndërrohet në kinotekë.
Edhe
Dymbëdhjetë projekte kinematografike synojnë buxhetin e shtetit
Historia e projektligjeve në këtë fushë është e vjetër. Katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për Kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend, më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.
Më 2016 ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e atij versioni të projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të atij projektligji ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Me Projektligjin e ri mënyra e zgjedhjes së jurive vlerësuese mbetet të përcaktohet me akt nënligjor. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj.