Çudë! Edhe feministët kanë filluar të bezdisen nga feminizmi radikal. Feministja australiane, Germaine Greer, është një ndër feministet veterane më të zellshme në kritikë të patriarkalitetit dhe sistemit që e riprodhon atë si në strukturë dhe gjuhë.
Libri i saj “Hudumi femëror”, apo “Eunuku femëror”, ka qenë Bibël e feministëve para disa dekadave. Por, duket se edhe Greer-i është lodhur nga feministët e uritur për pushtet, shpeshherë vetëm gulçues në debat, por nganjëherë edhe të dhunshëm në kampuse universitare, konferenca e vende tjera brenda dhe jashtë katedrës akademike. Këta feministë të rinj radikalë kanë kaluar çdo kufi dhe nuk janë në gjendje për dialog akademik e politik.
Së fundi e kanë kritikuar Greer-in mjaft shumë, madje duke e fyer rëndë, për shkak se ka dashur të theksojë se ndryshimi i gjinisë, si ka bërë së fundi një personalitet i njohur në SHBA, prej burri (mbi 50 vjeçar) në grua, nuk e bën atë grua. Ajo kishte theksuar se ai person nuk e ka psikologjinë e gruas dhe kishte theksuar se nuk është në rregull që të jetosh 40 vite me grua dhe të kesh fëmijë e të përfitosh nga puna e saj e papaguar dhe po ashtu të kesh ndjerë gjatë gjithë kohës se “brenda je grua” dhe tek pas 40 vite martesë të shkosh nëpër terapi transformuese të ndërrimit të seksit dhe “bëhesh” grua. E hiç më mirë nuk është që, pos të gjitha këtyre, të shpallesh edhe “gruaja e vitit”, siç qenka shpallur një transgjinor i mirënjohur tani në SHBA. Por, këto komente të Greer-it, sado që njihet si një ndër feministet klasike, shkaktuan traumë te feministët e valës së fundit (pakkush e se cila valë fryn tani në peizazhin e feminizmit!), valë kjo e cila karakterizohet me mendime radikale në lojën e “politikave të identitetit”.
Feministët radikalë e shpallën Greer-in “shtrigë” dhe nisën gjuetinë ndaj saj. Por, ky fakt që ka ndodhur me Greer-in tregon se feminizmi radikal është duke kaluar nëpër matriciadë (vrasje e nënës) periodike, pa asnjë hezitim, vetëm për të marrë me çdo kusht pushtetin, prej duarve të burrave dhe prej duarve të feministëve liberalë, të cilët së bashku “çojnë ujë në mulli të riprodhimit të neoliberalizmit”.
Kjo fraza e fundit, lidhet me idetë e një feministeje fort kritike ndaj riprodhimit të neoliberalizmit. Ajo është Nancy Frazer. Frazer-i ka shkruar një sërë esesh nga pikëpamja e “teorisë kritike” dhe në shumicën e shkrimeve të saj e ka shqetësim konceptin e drejtësisë në raport me gjininë. Sipas saj, ideja e drejtësisë është, thënë shkurt, dhënia e drejtësisë sipas qejfeve grupore e personale. Harrohet fakti se koncepti i së drejtës, prej liberalizmit klasik e këndej është krijuar për t’ia kufizuar shtetit arrogancën për t’u bërë tiran, e jo për t’ia imponuar shtetit një milion e një amendamente, për të përkëdhelur ndjenjat e shumta të individit dhe grupit. Në vazhdën e emancipimit feminist radikal, Frazer-i jep recetë të hollësishme se si duhet të transformohet shoqëria sa i përket barazisë gjinore. Ajo kritikon deri në mohim feminizmin liberal të mundësive të barabarta dhe garantimit të procesit të realizimit të këtyre mundësive të barabarta për gratë në secilën sferë të shoqërisë. Asaj nuk i intereson meritokracia e bazuar në dhënie të mundësive të barabarta. Frazer-i promovon barazinë gjinore të bazuar në korrje të rezultateve të barabarta.
Edhe Dita Ndërkombëtare e Gruas: Tetë veprime për një botë më të barabartëLe ta sqarojmë këtë me ilustrim. Nëse feminizmi liberal synon që gratë duhet të ketë të drejtë të barabartë për punë në shërbimin publik të zjarrfikësve dhe të inkurajohen të aplikojnë dhe ndoshta edhe të kenë edhe përfitime tjera që nuk lidhen direkt me punën e zjarrfikësve, por që garantohen nga mundësi tjera, feminizmi radikal synon që shërbimi i zjarrfikësve duhet të punësojë 50% gra pati apo nuk pati, deshën apo nuk deshën ato. Pra, synon që rezultati në punë të jetë 50-50 mes burrave dhe grave. Natyrisht se ky ilustrim, e ilustrime tjera të shtigjeve të njëjta të angazhimit publik, nuk iu pëlqejnë feministëve radikalë. Atyre iu pëlqejnë angazhimet politike: aty ku është pushteti. Për shembull: kuotat në parlament. Feministët radikalë duan kuotën 50% për gra deputete në parlament. Ndaj argumentit syçelë se kur vendoset që të angazhohen në parlament 50 % deputete gra, disa prej të cilave nuk kanë më shumë se një numër treshifror votash nga populli, veç për hir të kuotës gjinore, ato nuk arrijnë të ndikojnë as në politika të “emancipimit të grave” as në politika gjinore, por vetëm riprodhojnë pushtetin e burrave që i kanë vendosur aty, atëherë feministët radikalë dalin me një propozim radikal e egoist. Ato e nominojnë veten. Thonë “po e vërtetë, andaj duhet futur feministe në parlament, jo gra”. Pra, eliminohet edhe koncepti “grua” në favor të konceptit “feminist”. Krejt kjo tregon se nuk ka synime serioze për përmirësimin e statusi të gruas në sferën publike, por për marrjen e pushtetit nga vetë feministët. Fakti se feminizmi është filialë majtiste (madje feminimi radikal i përket spektrit të së majtës ekstreme), ideja është që përmes këtij grupi të krijohet aleanca konformiste e së majtës për të konsoliduar njëherë e përgjithmonë shoqërinë e “motrës së madhe”, një kontrol direkt mbi lirinë individuale.
Feministi radikal zakonisht etiketon argumentet e tilla si “paranojë patriarkale”. E drejta e paragjykimit është e drejtë individuale. Madje paragjykimi është mundësi e mirë për fillim të dialogut akademik e politik. Por, mbi të gjitha, shqetësimi i gjeneratës së sotme, është një shqetësim filozofik e antropologjik për konformizmin e pashoq të kohës sonë ndaj ideve utopike që vijnë jo me revolucion të gjakut që shpërthen e derdhet në betejë, si në shekujt e kaluar, por gjakut që vlon e jepet si “donacion” në katedra akademike, medie, art e qeveri. Jo vetëm në shoqëritë perëndimore, në ato shoqëri të cilat kanë kaluar nëpër thyerje e përthyerje të ndryshme, ndërmjetëza e pragje, konflikte e katarza të shumta, por edhe në shoqëritë e vogla. Në shoqëritë e vogla argumenti jepet kështu: “idetë e tilla radikale, nuk zënë vend në truallin tonë”. Por, vendet e vogla kanë pësuar më së shumti nga idetë radikale, sikurse ajo e komunizmit.
Nancy Frazer ka shkruar ese të shumta dhe libri i saj me ese të përmbledhura, “Fatet e feminizmit: prej kapitalizmit të menaxhuar nga shteti te kriza neoliberale” (Fortunes of feminism: from state-managed capitalism to neoliberal crisis, 2013), është një libër që vjen në kohën të favorshme për Frazer-in, si socialiste dhe feministe. Kjo për faktin se së fundi ndodhi kriza financiare bankare dhe shteti ndërhyri që të shpëtojë bankat private: një argument perfekt për të majtët radikalë. Madje në këtë kohë Karl Marx-i qe bërë portreti më i pranishëm nëpër medie, postere ligjëratash, libra, etj. “E shihni? Marx-i ka pasur të drejtë”, thuhej pa ndërprerë nëpër medie. Por, te titulli i këtij libri është vendosur një fjalë që përndjell shumë kuptime. Fjala “fortune” në gjuhën angleze ka kuptimin e fatit, por edhe kuptimin e “pasurisë”. Por, “fortune” është kyçe në kompozitën “fortune-teller” që përkthehet si “falltare”. Duket sikurse Frazer-i ka dashur që të përçojë mesazhin e parashikimit edhe si mesazh metaforik.
Në fakt, qysh në parathënie, pa hyrë tutje, lexuesi e vëren se Frazer-i, tenton që ta “rizbulojë feminizmin radikal” si platformë, në aleancë me forcat tjera progresive, që ta mbajë tregun kapitalist nën kontroll. Kjo rezonon me idenë se problemet e krijuara, në tregun kapitalist të vendeve kryesisht perëndimore, në dekadën e parë të mileniumit të ri, duhet të kontrollohen nga shteti. E me lehtësi elegante argumentohet se ky problem është problem vetëm i kapitalizmit apo neoliberalizmit që po e mbajka gjallë. Tutje, ajo që Frazer synon të na thotë është se feminizmi duhet të dalë nga vagoni i dytë i kulturalizmit te vagoni i parë i lokomotivës së ideologjisë feministe, që është ai i shpërndarjes apo ridistribuimit ekonomik. E kjo duhet bërë në sferë globale, thotë Frazer-i. Sepse për ndryshe, neoliberalizmi vetëm sa forcohet. Kultura nuk ia lë shenjë lëkurës së tij të trashë androcentrike. Frazer-i madje kritikon Judith Butler-in për këtë. Fillimisht Frazer-i, pas shqyrtimit dhe empatisë, kritikon Habermasin se nuk ka shfrytëzuar potencën e argumentit të tij sa duhet. Pastaj në kapitullin dy, nën hijen e mendimin fukotian, jep një recetë feministe që nuk ia vlen të diskutohet gjatë. Një sërë kapitujsh janë predikues dhe propozues për politika konkrete universale për një shtet utopik majtist. Ndonëse tekstet janë ese që janë shkruar gjatë një periudhe njëzetë e sa vjeçare, ato lexohen si dokumente strategjike të diktuara nga udhëzimet e utopistëve ideologjikë. Eseja kundër argumentit kulturalist të Judith Butler-it, është mjaft specifike, sepse tregon thjesht se Frazer-i fort largpamëse në idetë e saj: ajo duket sikurse po i paraprin të ardhmes, sikur po e lexon fatin e feminizmit dhe gjithë shoqërisë paraprakisht.
Pjesa e tretë e librit përmbledh ese specifike ku secila është “gozhdë luteriane” në portat e neoliberalizmit. A ka diku ndonjë argument solid në diskutimin e Frazer-it? Në fakt, në gjithë lëmshin e saj ideologjik për feminizmin si shpëtimtar të gjendjes së krijuar, Frazer-i bën me gisht te një nga elefantët më të mëdhenj në dhomë: pushtetin e korporatave që janë në rritje ekstreme. Pushteti i korporatave të mëdha, si Google e të tjerat është aq i fuqishëm sa që tejkalon edhe fuqinë e qeverisë amerikane, asaj kineze e të tjera. Pushteti i asociacionit politik më të madh në 2-3 shekujt e fundit, shteti-komb është duke u bërë servil ndaj pushtetit korporativ. Së fundi shteti ndërhyri të shpëtojë bankrotimin e korporatave të mëdha. Dhe ky realitet është i frikshëm. Andaj, në esenë e fundi, Frazer-i sakrifikon edhe feminizmin për hir të betejës kundër pushtetit të tillë dhe ky është një argument që nuk mund të mënjanohet lehtë. Por, nëse kthehemi te ideja e saj fillestare, pyetja kryesore mbetet: si ta lexojmë Frazer-in? Si feministe apo majtiste? Pa dyshim, e gjithë proza e saj është një ndër sintezat më të përputhshme mes feminizmit dhe majtizmit në literaturën feministe. Frazer-i na jep indicie që feminizmi e ka të vështirë të mbijetojë pa kritikën ndaj kapitalizmit, kritikë kjo që përbën strumbullarin e mendimit majtist. Parimisht, Frazer-i e bën këtë për shkak të besimit të saj majtist feminist, por duke parë se si po bredh kapitalizmi i tanishëm, dhe çfarë leviatani po krijohet nga pushtetit korporativ, argumenti i saj i specifik mbi ekonominë politike mund të jetë cytës e ndoshta edhe frytdhënës kur lexohet e mendohet me kryeftohtësi.
Edhe
Gruaja që ndryshoi mënyrën se si trajtohej dhimbja e abuzimit te gratë
Në esetë e Frazer-it vërehet se ajo mund të shkruajë edhe pro edhe kundër feminizmit. Ka një sy të hollë të gjetjes së çarjeve në episteme të ndryshme, në argumente të autorëve, të interpretimit të momenteve të çalimit të mendimit egalitarist dhe mundësive të rivitalizimit, të argumenteve të duhura në kohën e katarzës apo tranzicionit të caktuar politik, etj. Pra, duket sikur Frazer-i, në fakt është në mes gjithë imagjinatës filozofike mbi të drejtën, shtetin, gjininë, kahet e qeverisjes e shumë aspekte tjera, por ka zgjedhur për arsye të bindjes të jetë propaganduese e feminizmit radikal që bëhet edhe simahor edhe doras i përmbysjes së gjithë mendimit e veprimit neoliberal për të rehatuar shpirtin egalitarist. Kjo për faktin se ajo thekson qartë se feminizmi radikal ka humbur betejën por duhet të rivitalizohet sikurse “neoliberalizmi” i viteve ‘80 e më vonë. Pra, ajo e njeh strategjinë dhe historinë e strategjisë së betejës politike dhe propozon plan, duke njohur dobësitë e veta dhe dobësitë e tjetrit përball. Argumentuesit e tillë janë për t’u marrë seriozisht, edhe kur argumentet janë kryesisht të “politikave të identitetit grupor”. Në mos për asgjë tjetër, argumentimi i Frazer-it, është ndër argumentet më provokative dhe cytëse në prozën feministe. Një frazë popullore amerikane thotë: “e urrej mëkatin, por e dua mëkatarin”. Për Frazer-in, do të thuhej ndryshe: “e urrej mëkatin, por dua të dialogoj me mëkataren”.
Fundi na sjell në fillim. Theksova se fjala “fortune” në gjuhën angleze, e vënë në titull të këtij libri, konoton edhe “fortune-teller” apo “falltaren” në gjuhën shqipe. Se cili është fati i feminizmit radikal në rizbulimin e energjisë për ta mposhtur neoliberalizmin populist, këtë as Frazer-i nuk e di.