Pemët e lulëzuara e rrjedha e ujit të Lumbardhit hapin pamjet e dokumentarit që për 18 minuta rrumbullakon historinë e qytetit të Prizrenit. Dokumentari “Prizreni - qyteti i burimeve dhe i bukurisë”, i prodhuar nga “Zastava Film” në vitin 1972, nis me të kaluarën e qytetit dhe të rajonit. Shpjegohet se bregut të Drinit të Bardhë mijëra vjet më parë kanë jetuar dardanët. Për ta përcjellë vazhdimësinë e këtij fisi, në dokumentar merren shembuj veshjet e rajonit të Hasit, shkruan sot Koha Ditore.
Filmimet e grave të fshatit Romajë shpërfaqin veshjen që bart simbole të kultit dardan. Dielli e elemente të tjera janë filmuar edhe në zbukurimet e gravimet që u janë bërë djepave. Në dokumentar shpjegohet se banorët e kësaj ane kishin vendosur që midis Drinit të Bardhë e Lumbardhit të ndërtojnë jetën në atë që tash është Prizreni.
Rrëfimi historik ndiqet me pamjet e objekteve si Kisha e Arkangjelit e varri i Car Dushanit. Kalohet në periudhën e pushtimit sllav. Kalaja zë vend bosht si monument që ka kaluar në tri pushtime, atë romak, bizantin dhe osman.
Pamjet tregojnë për një qytet që në fillim të viteve ’70 kishte shumë pak ndërtesa kolektive. Kryesisht duken shtëpi qytetare. Pushtimi i Perandorisë Osmane përshkruhet me pamjet e xhamisë “Kërëk”. E Xhamia e Sinan Pashës e ndërtuar më 1615 del të ketë qenë monument goxha i vizituar në vitin 1972, madje edhe nga vizitorë të huaj.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)