Kulturë

“PriVocali” në epilog gjurmon nëpër traditën e këngës maqedonase

“PriVocal” është mbyllur tamam si i shkon për shtati një ngjarjeje që i dedikohet vokalit. “Pro Ars” nga Maqedonia e Veriut ka sjellë program të veçantë me vepra folklorike

“PriVocal” është mbyllur tamam si i shkon për shtati një ngjarjeje që i dedikohet vokalit. “Pro Ars” nga Maqedonia e Veriut ka sjellë program të veçantë me vepra folklorike

“Gjuha mund të mos kuptohet, por muzika flet vetë” ka qenë një lloj maksime që e ka shoqëruar krejt koncertin e korit “Pro Ars” që është pagëzuar “12 months” me po aq këngë nga thesari i muzikës maqedonase. Nën udhëheqjen e dirigjentit Sasho Tatarchevski, kori ka zbërthyer aranzhimet e kompozitorit maqedonas, Zhivolin Glishikj, që përmblidhen në një vepër të vetme madhore, përderisa titulli prek nuancat e abstraktes

Janë gjithsej 12 këngë folklorike maqedonase në koncertin “12 months”. Duket se secila korrespondon me njërin muaj, por ky është më shumë një iluzion i dëgjuesit. Ritme e madje edhe melodi krijon kori “Pro Ars”, duke shpalosur kulturën muzikore të shtetit fqinj në Prishtinë. 

Nën udhëheqjen e dirigjentit Sasho Tatarchevski, kori ka zbërthyer aranzhimet e kompozitorit maqedonas, Zhivolin Glishikj, që përmblidhen në një vepër të vetme madhore sipas së cilës është emërtuar koncerti me të cilin është përmbyllur edicioni i shtatë i Festivalit ndërkombëtar të muzikës vokale në Prishtinë. 

“PriVocal” të dielën mbrëma është mbyllur tamam si i shkon për shtati një ngjarjeje që i dedikohet vokalit. Kjo është krejt çfarë ka qenë në qendër të natës përmbyllëse. Ka qenë krejtësisht në dorë të koristëve që me zërat e tyre të këndojnë e të mbajnë ritmin. Veçmas me një program të veçantë me vepra folklorike maqedonase. 

Ashtu siç ka thënë në fillim të koncertit dirigjenti Sasho Tatarchevski, se “gjuha mund të mos kuptohet, por muzika flet vetë”, ashtu edhe ka ngjarë. Ritmet e zërat e bukur që shpesh kanë luajtur edhe pika solo, kanë qenë gjuha e përbashkët dhe lidhja midis interpretuesve në skenë dhe publikut në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. 

E kanë nisur interpretimin me këngën “Liljano mome”. Më pas kanë kënduar edhe këngët “Kiten, nakiten”, “Zoshto mi se srdish libe”, “Koce berberot”, “Po drum odam majche”, “Potrchano”, “Ni prela gora, ni tkala”, “Dervishko mome”, “Kinisa da oda”, “Cvetinite ochi” e “Davaj me mila mamo”. 

E kanë mbyllur koncertin me këngën “Kalajdzhisko” që ka qenë tejet e veçantë. Ka nisur me shuplakat e dirigjentit, ritëm që është ndjekur nga ato të korit. Duartrokitjet e shumta të publikut e kanë bërë korin të interpretojë edhe një herë pjesën “Dervishko mome”. 

Dirigjenti dhe themeluesi i korit, Sasho Tatarchevski, ka thënë se të gjitha janë këngë tradicionale, disa prej tyre shumë më të vjetra e më të reja. Ka thënë se këto aranzhime janë të vështira të interpretohen.

“Kompozitori, në fakt aranzhuesi, është profesor, kompozitor i famshëm maqedonas i cili i ka punuar në bashkëpunim me mua dhe Korin, sepse e dinte se do të ishte shumë e vështirë të këndohen këto këngë. Kjo, ngase janë instrumentale në mënyrën e të menduarit, por ne vetëm donim të shtynim veten të bënim diçka që nuk kemi bërë më parë. E pranuam sfidën, edhe pse na u desh më shumë kohë për ta punuar programin, por në fund është shumë kënaqësi t’u japim jetë këtyre aranzhimeve të cilat nuk janë shumë të zakonshme në regjion”, ka thënë ai, derisa ka thënë se ndërlidhja e 12 këngëve me muajt e vitit është koncept abstrakt.

“Kompozitori ka menduar për secilën këngë, i ka zgjedhur ato dhe i ka parë si një muaj të vitit. Nëse një këngë do t’i dukej si janari, atëherë do ta konsideronte ashtu, është koncept më abstrakt, nuk është e definuar”, ka thënë ai derisa për procesin e punës në përgjithësi ka thënë se ka qenë tejet i kënaqshëm. 

“Ishte shumë kënaqësi ta bëjmë këtë projekt. E interpretuam një herë në Shkup dhe një herë në Ohër, tani është hera e tretë që i dhamë jetë këtij cikli veprash. Kori ekziston tash 11 vjet dhe jemi kori ‘de facto’ i Filharmonisë së Maqedonisë, edhe pse jo zyrtarisht, por të gjitha veprat me muzikë vokalo-instrumentale i punojmë së bashku”, ka thënë më tej dirigjenti Tatarchevski. 

Ai ka marrë diplomën e tij master në dirigjimin koral, simfonik dhe operistik në Fakultetin e Muzikës në Shkup. Ka ndjekur masterklasë të dirigjimit në New York, Romë, Berlin, Shën Petersburg, Firence, Sarteano dhe Moskë. Tatarchevski ka performuar me Filharmoninë e Maqedonisë, Operën dhe Baletin Maqedonas, Orkestrën Kamertale të Manastirit, Orkestrën Simfonike di ICE – Romë, Orkestrën Simfonike “Hermitage”, Operën e Manastirit e të tjera si dhe shumë ansamble të tjera korale, kamertale dhe simfonike.

Ka realizuar numër të madh koncertesh dhe ka fituar çmime ndërkombëtare me ansamble të ndryshme në Portugali, Spanjë, Francë, Britani, Belgjikë, Greqi, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Itali, Serbi, Bullgari, Republikën Çeke, Rusi, Austri, Sllovaki, Rumani, Poloni, Bosnjë e Hercegovinë, Hungari dhe Turqi. Po ashtu, ai ka fituar disa çmime në dirigjim. Aktualisht, punon si profesor në Fakultetin e Muzikës në Shkup dhe si dirigjent i orkestrës “FM Soloists” dhe korit të miks “Dragan Shuplevski”.
Maestro Tatarchevski është anëtar jurie në disa konkurse ndërkombëtare, drejton Forumin Ndërkombëtar Koral në Strugë si drejtor artistik dhe është anëtar i bordit dhe këshilltar artistik i Fondacionit të Korit të Rinjve në Botë.

Ka qenë hera e parë që “Pro Ars Choir” ka interpretuar në Prishtinë. Por për dirigjentin Tatarchevski skena muzikore në Prishtinë është hapësirë e njohur kulturore. Ai ka qenë dirigjent në koncertin ku Kori i Filharmonisë së Kosovës më 15 tetor hapi sezonin. Koncerti ka qenë kombinim veprash botërore, epokash e stilesh të ndryshme. 

Koristja Elena Vasola ka konsideruar se me koncertin “12 months” skena muzikore e Maqedonisë së Veriut është prezantuar në Prishtinë. 

“Ishte shumë kënaqësi të përgatisim këtë program. Në fillim kishim frikë pasi janë vepra origjinale, ishim nën presion disi. Mendoj se është repertori më i mirë që kemi interpretuar dhe besoj se në të ardhmen do ta perfeksionojmë më shumë duke praktikuar secilën herë. Veprat janë në gjuhën maqedonase, të gjitha këngë maqedonase. E prezantuam Maqedoninë në Prishtinë”, ka thënë ajo. 
Drejtori i festivalit “PriVocal”, Hajrullah Syla, ka thënë se programi i koncertit ka qenë mjaft kërkues.
“Një program që me të vërtetë u realizua mjaft mirë nga kori, të cilët i përgëzoj, sikurse edhe dirigjentin Sasho Tatarchevsky, i cili ka bërë punë mjaft të mirë me ta. Unë personalisht e njoh si kor dhe kam pasur rastin të punoj me ta në Shkup. Janë në nivel mjaft të lartë profesional dhe besoj se kjo është vërejtur edhe sonte në performancën e tyre”, ka thënë Syla. 

Festivali ndërkombëtar i vokalit sivjet ka zhvilluar edicionin e shtatë prej 14 deri më 20 tetor. Syla ka thënë se edicioni i shtatë i festivalit ka qenë i suksesshëm.

“Edicioni filloi të hënën më datë 14 me Adelina Palojën që u prit mjaft mirë nga publiku, një koncert me program të larmishëm. E kishim realizimin e një opere që nuk është e zakonshme në aspektin e realizimit të një opere tradicionale. Ishte një operë e krijuar në një formë ndryshe, një orkestër virtuale dhe me performancën e solistëve, me skenografi modeste, por që kjo ishte ideja e operës”, ka thënë Syla. 

Sopranoja Paloja e kishte hapur “PriVocalin”, duke sjellë repertorin lirik botëror e atë vendor në koncertin recital në Prishtinë. Titulli i koncertit – “Eternal echoes” bashkë me pianisten Lirika Pula-Kasapolli dhe kuartetin harkor “Amati” – ka qenë në frymën e ngjarjes e cila feston përjetësinë e zërit.