Kulturë

Privatësia e të drejtat e punëtorëve përballë botës së filmit

Dokumentarët zbulojnë të fshehtat e sistemeve e ato mblidhen në ngjarjen tanimë me nam dhe shfaqen para publikut në Prizren. Një shëtitje nëpër “kamerat turistike” në Stamboll dhe zbulimi i jetës brenda kantierit të ndërtimit të rrokaqiejve bëhen bashkë në një pikë: në protestë për të drejta

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” tash e 22 vjet e ka fuqinë të dokumentojë ngjarje e fenomene. Dokumentarët zbulojnë të fshehtat e sistemeve e ato mblidhen në ngjarjen tanimë me nam dhe shfaqen para publikut në Prizren. Një shëtitje nëpër “kamerat turistike” në Stamboll dhe zbulimi i jetës brenda kantierit të ndërtimit të rrokaqiejve bëhen bashkë në një pikë: në protestë për të drejta.

Filmi dokumentar “March 8, 2020: A memoir” i vjen publikut si një kartolinë për të kujtuar. Hapet në sheshin “Taksim” me pamjet e kamerave. Janë pamjet e drejtpërdrejta që publikun e vënë në kërkim të tyre nëpërmjet ekranit të kompjuterit. Sa hyn aty shfaqet një fëmijë derisa luan me një tullumbace të kuqe në njërën prej atyre që quhen kamera turistike. Derisa ndërron kamerën që vrojton qasje, afrohet për ta parë edhe më tutje në të gjithë rrugëtimin e tij e të familjes nëpër qytet.

Në atë ueb-faqe mund të shohësh të gjithë qytetin nga shtëpia, nga e gjithë bota. Mund të shohësh çdo cep të qytetit me pamjet më të gjera dhe prej atyre më të afërta. Janë dy zëra që shpjegojnë gjithçka çfarë ndodh. Producentja Aylin Kuryel dhe regjisori Firat Yucel janë në rolin e narratorëve.

Pamjet marrin kuptim tjetër tanimë, atë të mbikëqyrjes publike. Kjo pikëpamje jepet prej faktit se ato ishin hapur në vitin 2012 dhe ishin mbyllur po atë ditë, pasi turma e “Marshit Feminist” ishte shpërndarë nga policia. Kamerat ishin hapur prapë. Disa prej pamjeve më të largëta regjistrojnë vetëm thirrjet e sloganet e protestuesve për liri e të drejta të grave më 8 mars 2020.

Në dokumentar thuhet se tri ditë më pas në Turqi ishte regjistruar rasti i parë me Covid. Aty jepen pamjet se si krejt hapësirat ishin të boshatisura dhe tanimë “kamerat turistike” po përdoreshin për të dokumentuar dhe vëzhguar nëse po respektoheshin masat parandaluese ndaj pandemisë, e që përdoren edhe prej mediave.

Regjisori i filmit, Firat Yucel, ka thënë se nuk u desh hulumtim paraprakisht për ngjarjen që kanë paraqitur, porse kanë dashur ta mbajnë si kujtim ngjarjen e “Marshit Feminist”. “Këto kamera, për të cilat miqtë tanë po flisnin që po shfaqeshin në media kudo. Edhe nëse ato mbyllen ju mund t’i hapni dhe të kontrolloni se nga vjen policia. Disa njerëz vërtet i shohin dhe kështu unë fillova të incizoja. Më pas filloi pandemia dhe unë vazhdova me xhirimin me anë të ‘screen record’ dhe thashë se kjo po shkon diku. Rrugët po zbrazen, kishte diçka për të treguar”, ka thënë Yucel.

Por rrëfimi në dokumentar shkon përtej sipas producentes Aylin Kuryel. “Tregimi i stories është se si ne mbikëqyremi dhe çfarë shfaqin ato imazhe dhe çfarë nuk duhet të shfaqin. Është e pamundur të mos jenë të qëllimta. Ne ndryshuam funksionin e tyre. Është edhe një tentativë për të kujtuar. Ka ndodhur aq shumë në Turqi, si “Marshi Feminist”, një prej mënyrave më të zakonshme për të qenë në rrugë. Ndodh çdo vit dhe ne donim të kujtonin, ta mbanin çështjen të hapur dhe të mos e harrojmë”, ka thënë ajo.

Regjisori Yucel këtë situatë e krahason me atë të mbikëqyrjes totale në Kinë. “Mbikëqyrja çdoherë lidhet me privatësinë personale. Për shembull, në Kinë është rezistencë e madhe ndaj mbikëqyrjes. Është një çështje për të cilën duhet të flasim në kuptimin e lirisë personale e individuale, por edhe për lirinë e masës, për këtë arsye e vëmë frustrimin tonë në këtë dokumentar”, ka thënë regjisori e kritiku turk i filmit, Firat Yucel.

Në “DokuKino” është shfaqur edhe dokumentari “Drifting” i regjisores po ashtu turke Somnur Vardar. Jepen pamjet e qytetit që rrënohet e ndërtohet në të njëjtën kohë. Pluhur gjithandej, zhurma të makinerisë e lisat që hiqen janë prej imazheve, me të cilat nis dokumentari. Janë rrokaqiej pa fund. Dhe fokusohet në punën e një grupi punëtorësh turk e kurd. Në rrethojat e vendpunishtes jepet thënia “hapnin portat për një jetë shumëngjyrëshe” për ta “izoluar” zymtësinë dhe punën e rëndë të punëtorëve të ndërtimit.

Regjisorja kap momentet kur Sindikata e Punëtorëve të Ndërtimit në Turqi organizon një protestë, ku ata kërkojnë të drejtat e tyre. Punëtorët nuk po merrnin pagat me muaj të tërë dhe nuk po u ofroheshin kushte të tjera. Disa prej tyre synojnë të zhvendosen në Algjeri për kushte më të mira dhe të vazhdojnë studimet. Ata punojnë ndërtim sikurse baballarët e gjyshërit e tyre me dekada. Ata thonë se do të bëjnë gjithçka që fëmijët e tyre të mos e kenë të njëjtin fat.

Aty shfaqet edhe mënyra e jetesës në konvikte, mbledhjet me shoqëri tek kalojnë mbrëmjet duke gjetur ngushëllim në dëshpërimin e njëri-tjetrit. Jepen protestat e punëtorëve që shpërndahen me forcë pasi sulmohen me armë. Në lajme jepen të dhënat për 105 punëtorë të arrestuar në të gjithë Stambollin atë ditë.

Shkëputja nga vendpunishtja, për të vazhduar në Algjeri veçse fillon. Ëndrra e të gjithë atyre ishte të studionin dhe të vazhdonin me punë në profesionet që do t’i përkitnin.

Regjisorja turke Somnur Vardar, që ka qenë e pranishme në shfaqjen e filmit dokumentar, ka thënë se dy punëtorët kurdë, Ferhat, që po studionte edukim, e ka marrë tani diplomën dhe po punon si mësues, derisa Emrah po punon në Algjeri si arkitekt. Dokumentari ishte xhiruar tre vjet më parë.

“Nuk deshëm të fusim politikën aty, por që shikuesi ta ndiejë atë. Është ana tjetër e pjesës së Stambollit. Aty është një llupë dhe ata duan të përfshihen aty. Sistemi do që ti ta imagjinosh e ta shikosh ndërtesën, por të mos e paramendosh se kush dhe si e ka bërë”, ka thënë regjisorja turke, Somnur Vardar.

Ajo ka treguar se krejt kishte nisur kur po planifikonte të bënte një film për ndryshimet masive në zonën ku po jetonte nëna e saj. “Desha të filmoja shkurt dhe të mos humbja shumë kohë në të, por më pas kuptova se po fokusohesha në punëtorët. I shihja tek bëjnë punë të rënda, për çka isha e impresionuar. Pas imazhit të parë që e keni parë, fillova të jem edhe më e fokusuar. Ajo skenë ishte bërë shumë më herët sesa filmi”, ka thënë Vardar, derisa ka treguar se ka xhiruar herë pas here për dokumentarin, në mënyrë që të mos ua rrezikojë punëtorëve vendin e tyre të punës.

“Të shkosh në vendpunishte ndërtimi, sidomos si grua nuk ndodh shpesh, sepse duhet të kesh shumë vetëbesim. Ishte shumë e vështirë të filmosh edhe në rrugë. Më pas takova shumë punëtorë, që ishin shumë të gatshëm për të paraqitur punën e tyre në dokumentar. Mendova se do të ishte njëfarë filmi episodik, sepse puna e ndërtimtarisë është e tillë, nuk është si të tjera punë. Doja të paraqisja atmosferën aty. Ishin shumë bashkëpunues dhe ndihmues, jam falënderues që gjithashtu më lanë të hyja në vendet ku flinin”, ka thënë regjisorja Vardar.

Nga konviktet e deri te protestat në rrugë me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, në dokumentarin “Drifting” shpalosen historitë e tyre të luftës, rezistencës, familjeve, shpresave dhe ëndrrave të tyre.