Në shkollën “Zenel Hajdini” në kryeqytet, ku zhvillohet mësimi gjithëditor, gjatë orëve mësimore të së premtes kanë munguar 71 nxënës. Në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë këtë e ndërlidhën me bojkot të nxitur politikisht. Për bojkot folën edhe në Këshillin e Prindërve, tek thanë se veprimi është bërë me vendim të disa prindërve e pa dijeninë e tyre
Shtatëdhjetë e një nxënës kanë munguar në orët mësimore të së premtes në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Vranjevc të Prishtinës, pa paralajmërim paraprak.
Ata janë pjesë e gjashtë klasave që me vendim të Drejtorisë Komunale të Arsimit, nga fillimi i viti shkollor janë zhvendosur nga shkolla “Asim Vokshi” në atë “Zenel Hajdini”, ku zhvillohet mësim gjithëditor.
Për mungesën e këtyre nxënësve, drejtoresha e shkollës “Zenel Hajdini”, Mirvete Bahtiri, nuk ka pranuar të flasë para kamerës.
E drejtori i shkollës “Asim Vokshi”, Nazif Jashari, përgjegjësinë për nxënësit që munguan ia atribuoi institucionit shkollor, në të cilën ata aktualisht i vijojnë mësimet.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cilësoi mungesat si pjesë të bojkotit me prapavijë politike.
“Bojkoti është i nxitur nga të njëjtit organizatorë me prapavijë politike nga LVV. Të njëjtët organizatorë kanë nxitur protesta para zgjedhjeve të 12 tetorit, e tash, 2 ditë para zgjedhjeve të balotazhit, zgjedhin bojkotin. Dyshojmë se kjo është nxitur me arsyetimin se kinse nuk janë plotësuar kushtet për mësim tërëditor. Nuk qëndron një gjë e tillë, derisa në këtë shkollë kemi kryer investime të mëdha në renovim të thellë të objektit”, ka theksuar Shahini.
Për bojkotin foli edhe kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Nexhmi Hoxha, tek tha se ai është organizuar nga disa prindër dhe pa dijeninë e këshillit.
“Jo Këshilli i Prindërve, por disa prindër në këtë kohë, në këtë moment, kanë filluar të njëjtin avaz sikurse para një muaji kur ishin zgjedhjet, edhe tash zgjedhjet janë të dielën… po dalin kundër Këshillit të Prindërve, kundër shkollës, kundër DKA-së. Ata kanë thënë me bojkotu mësimin e që nuk është në rregull. Nuk është në rregull me bojkotu mësimin, është në rregull me protestu, me u anku, por jo me bojkotu asnjë orë...”, ka thënë Hoxha.
Disa prindër sipas Hoxhës, kanë shprehur pakënaqësi ndaj reformës së mësimit gjithëditor dhe kanë kërkuar që fëmijët e tyre të kthehen në shkollën amë.
“Prindër të nxënësve të shkollës ‘Zenel Hajdini’ kanë kërkuar që të mos aplikohet mësimi tërëditor dhe të kthehen në shkollën amë që kanë qenë, në ‘Asim Vokshi’, gjë të cilën Drejtoria e Arsimit e ka refuzuar për arsye që kanë qenë të njoftuar me kohë se mësimi tërëditor do të fillojë në shkollën ‘Zenel Hajdini’”, ka deklaruar Hoxha.
Për këto arsye, prindër të nxënësve në shkollën “Asim Vokshi” patën protestuar më 14 tetor para objektit të shkollës “Zenel Hajdini”, me kërkesë që fëmijët e tyre të kthehen në shkollën në të cilën e kanë vijuar mësimin para kalimit në procesin e mësimit gjithëditor.
Ata kanë thënë se vendimi për zhvendosjen e nxënësve në objekt tjetër shkollor është marrë pa konsultim me ta.