LAJMET E MBRËMJES

Prindërit kërkojnë që fëmijët të kthehen në shkollën “Asim Vokshi”, shkaku i rrugës së rrezikshme

Prindër të nxënësve në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë protestuar të martën para objektit të shkollës “Zenel Hajdini”, duke e kërkuar kthimin e fëmijëve të tyre në shkollën në të cilën e kanë vijuar mësimin para kalimit në procesin e mësimit gjithëditor. Ata kanë thënë se vendimi për zhvendosjen e nxënësve në objekt tjetër shkollor është marrë pa konsultim me ta. E, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë kanë thënë se janë duke mbajtur diskutime me prindër për ta gjetur një zgjidhje për çështjen

Detyrimi që fëmijët të kalojnë këmbë përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë–Podujevë për të shkuar në shkollë ka krijuar pasiguri tek prindërit, të cilët të martën e kanë kundërshtuar me protestë zhvendosjen e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” në atë “Zenel Hajdini” në kryeqytet me qëllim të zhvillimit të mësimit tërëditor.

Vendimi për transferim, sipas prindërve, është marrë pa konsultim me ta dhe pa u krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e mësimit tërëditor. Për këtë arsye ata kanë kërkuar gjatë protestës që fëmijët e tyre të kthehen në shkollën “Asim Vokshi”, ku më herët e kanë vijuar mësimin.

Njomza Berisha-Poqani, e cila është përfaqësuese e prindërve protestues, ka shprehur pakënaqësinë me mënyrën e marrjes së vendimit dhe me mosrealizimin e premtimeve për mësim tërëditor.

“Kemi bërë një peticion me rreth 200 nënshkrime të prindërve të shkollës ‘Asim Vokshi’, ku kemi shprehur pakënaqësinë tonë për transferimin që është bërë të fëmijëve tanë prej shkollës ‘Asim Vokshi’ në shkollën ‘Zenel Hajdini’, me premtimin që është bërë për t’u mbajtur mësimi tërëditor. Nuk janë plotësuar kushtet për mësim tërëditor dhe mësimi tërëditor nuk ka filluar”, ka theksuar Berisha-Poqani.

Ajo ka alarmuar se rruga të cilën fëmijët duhet ta kalojnë për të mbërritur te shkolla është e ngarkuar dhe e rrezikshme.

“Fëmijët tanë e kapërcejnë rrugën kryesore, pothuajse magjistrale, që është shumë e frekuentuar. Edhe kjo pjesa këndej nga vijnë është rrugë shumë e ngarkuar, nuk është rrugë e thjeshtë e lagjes, por është rrugë ku kalojnë autobusët dhe shumë automjete të mëdha. Për fëmijët prej moshës 5-vjeçare që fillojnë parashkollorin deri në klasën e 12-të është rrugë shumë e rrezikshme. Nuk jemi kundër proceseve që ndodhin nëpër shkolla, nëse nëpër krejt shkollat ka ndodhur mësimi tërëditor le të bëhet edhe për ne, por të bëhet në shkollën tonë për shkaqe të sigurisë”, është shprehur ajo.

Berisha-Poqani ka paralajmëruar që në rast të mosmarrjes së një përgjigjeje për kërkesën, atëherë prindërit e nxënësve të shkollës do të ndjekin rrugë ligjore për të kërkuar siguri për fëmijët e tyre.

“Nëse nuk marrim përgjigje, besojmë që do të shkojmë në mënyrë ligjore të kërkojmë siguri për fëmijët tanë që kemi të drejtë. Kjo çështje është e përfshirë edhe me decentralizimin e shkollave që ne kemi të drejtë si prindër të kërkojmë mirëqenien e fëmijëve tanë, për sigurinë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë me instanca më të larta”, ka thënë ajo.

Edhe për Florim Zejnullahun, i cili e ka fëmijën gjithashtu në këtë shkollë, siguria e fëmijëve është shqetësimi kryesor.

“Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, e cila është rruga më e ngarkuar në Prishtinë. Para disa ditësh ka ndodhur edhe një aksident, ku një fëmijë është shkelur nga vetura dhe të ardhmen e kemi problem dhe shqetësim shumë të madh. Komplet shkolla ‘Asim Vokshi’ është ardhur këtu”, ka thënë ai.

E nëna e një nxënësi, Arta Isufi, ka theksuar se vendndodhja e shkollës së re është duke shkaktuar vështirësi jo veç për fëmijët, por edhe për gjithë familjet.

“Edhe unë e kam këtë shqetësim, sepse duhet të dalë nga puna dhe të vij për ta marrë fëmijën ose për ta detyruar dikë që të vijë ta marrë. E kam nënën pensioniste, ajo është shumë e vjetër për ta marrë. Nuk e di a munden të vijnë deri këtu, duhet t’i kalojnë disa rrugë”, ka theksuar ajo.

Lidhur me këto ankesa drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka thënë se është mbajtur takim me prindër, porse ai nuk ka qenë i frytshëm. Ai ka shtuar se një tjetër takim do të mbahet të mërkurën për t’i diskutuar kërkesat e prindërve dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

“Disa kanë kërkuar që fëmijët të kthehen, pa asnjë kusht, veç të kthehen në shkollën ku ka qenë. Disa kanë kërkuar të sigurohet kalimi në rrugën që çon për në Bardhosh, rruga kryesore, gjë me të cilën jemi marrë, për të vendosur sinjalizimin dhe jemi duke punuar t’i vendosim pengesat rrugore për ta ngadalësuar shpejtësinë e veturave. Ka pasur paqartësi mes grupit, andaj takimi nuk ka qenë i frytshëm. Nesër e kemi takimin e radhës në orën 09:00, për të parë se çka janë kërkesat e prindërve dhe si mundemi t’i trajtojmë”, ka thënë ai.

Për mosrealizimin e mësimit tërëditor, Shahini e ka akuzuar qeverinë për bllokimin e buxhetit komunal.

“Për shkak se qeveria Kurti 2 ka bllokuar buxhetin e Prishtinës dhe ka pamundësuar realizimin e projektit të aneksit të kuzhinës në shkollën ‘Zenel Hajdini’, e cila do ta mundësojë shërbimin e shujtave për nxënës në mënyrë që mësimi tërëditor të mbahet në orarin që parashihet. Pa shujta nuk mund të kemi proces të mësimit tërëditor, fatkeqësisht”, është shprehur ai.

Në këtë fillimvit shkollor, rreth 240 nxënës të shkollës “Asim Vokshi” me vendim të DKA-së janë dërguar në shkollën “Zenel Hajdini” për zhvillimin e mësimin tërëditor, e i cili ende nuk ka nisur pasi që shkolla nuk i ka plotësuar kushtet.