Pas të reshurave të cilat sollën vërshime gjatë së martës, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka deklaruar se në disa shkolla ka qenë gjendja më e rënduar.
Sipas Shahinit, gjendja e rënduar vazhdon të jetë në shkollat “Hasan Prishtina” në kryeqytet dhe “Afrim Gashi” në Hajvali. Shahini në emisionin “60 Minuta” në KTV, tha se akoma nuk dihet nëse mësimi do të vazhdojë nesër në këto dy shkolla.
“Isha duke shkuar në shkollën 'Hasan Prishtina' para se të vija këtu për shkak të rrjedhjes së ujit nga muri. Do të shohim si do të progresojë gjendja në këtë shkollë. Në anën tjetër një vëmendje të veçantë kemi edhe në shkollën ‘Afrim Gashi’ në Hajvali për shkak të gjendjes më të rënduar duke qenë se kanalizimi rrugor është bllokuar nga sasia e madhe në atë drejtim dhe nga pamundësia e ‘Ujësjellësit’ për të intervenuar duke qenë se kjo nuk është në domain të komunës të intervenojë. As zjarrëfiksit pavarësisht që ishin disa minuta më parë nuk patën mundësi të intervenojnë në pjesën e rrugës. Nëse nuk intervenohet shpejt uji mund të kalojë në podrumin e shkollës i cili përmban edhe gjeneratorin e shkollës dhe rrezikohet pastaj edhe ngrohja. Po e shohim si do të veprojmë për nesër dhe a do të pezullohet mësimi edhe nesër”, deklaroi Shahini.
Shahini tutje ka thënë se iu janë përgjigjur me kohë të gjitha raportimeve në shkollat në të cilat ka pasur rrjedhje uji si pasojë e të reshurave. Por, sipas tij, për shkak të bllokimit të rrugëve që do të vështirësonte edhe qarkullimin e prindërve, u mor vendim të pezullohet sot mësimi.
“Sot kemi pasur një gjendje jo të mirë, në veçanti e rëndaur në disa shkolla në lagjen Hajvalia dhe anën tjetër në Taukbahçe. Kemi pasur disa probleme në shkollën ‘Gjergj Fishta’ me rrjedhje të ujit në bodrumet e kësaj shkolle. Njëjtë ka ndodhur në shkollën ‘Afrim Gashi’, pastaj ‘Shkëndija’. Një rrjedhje tjetër nga kulmi i shkollës ‘Asim Vokshi’. Të gjitha janë trajtuar në kohë së bashku me NPB-në dhe Zjarrfikësit e Kryeqytetit përmes shtabit emergjent që sot në mëngjes herët është aktivizuar me vendim të kryetarit të Prishtinës. Pas diskutimeve me drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca është parë që mund të ketë rrezik të shtuar gjatë ditës, bllokim të rrugëve që do të vështirësonte dhe qarkullimin e prindërve dhe pastaj u mor vendim që për sot të pezullohet mësimi”, deklaroi Shaihini.
Sa i përket gjendjes në shkollat e fshatrave në Prishtinë, drejtori i Arsimit Samir Sahini deklaroi se nuk është pranuar ndonjë raportim për rrjedhje uji a diçka e tillë.
Teksa të mërkurën është thirrë seancë ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe “miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës”, Shahini deklaroi se drejtoria që ai e udhëheq ka qenë më e prekura nga bllokimi i buxhetit.
“Kemi një numër të madh të shërbimeve dhe përfituesve, duke filluar nga pastrimi i objekteve shkollore, materialet higjenike, ushqimi në kopshte, ushqimi në shkollat me mësimin tërëditor dhe një numër i madh i mjeteve të planifikuara për mirëmbajtje e renovime që edhe sot po na shpërfaqen janë si pasojë e bllokimit të buxhetit për kryeqytetin”, deklaroi Shahini në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Gjatë ditës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë urgjente për siç ka thënë bllokimin arbitrar të buxhetit të kryeqytetit nga Ministria e Financave.
Rama ka akuzuar në vazhdimësi Ministrinë e Financave dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për çështjen e buxhetit të vitit 2025. Murati ka thënë se faji është te pushteti komunal që e ka vonuar miratimin në Asamble dhe i partive opozitare që më pas nuk po e përkrahin formimin e komisioneve parlamentare për të kaluar tutje këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.