Në botën e modës frymëzimi i vërtetë mund të shfaqet nga vendet më të papritura. Disenjatorja Krenare Rugova vjen me një koleksion befasues që nxjerr gjallërinë e mrekullinë e Prishtinës. Me koleksionin “In the streets, we’re briefly gorgeous”, në rreth 50 veshje, ofron një udhëtim magjepsës në zemër të qytetit. “Prishtina më inspiron gjithmonë si qytet, por edhe njerëzit e Prishtinës, edhe titulli vetë prej gjuhës angleze, që nëse zbërthehet e ka kuptimin që për një moment të caktuar të gjithë dukemi bukur”, ka thënë Rugova
Plateja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve për disa orë është shndërruar në pistë mode, me dritat e kaltra, karriget anash dhe mes tyre një hapësirë e ndriçuar që priste modelet për të shpalosur koleksionin “In the streets, we’re briefly gorgeous” të disenjatores së njohur Krenare Rugova. Shfaqjet e modës shpesh përkufizohen nga veçantia e tyre dhe kjo e fundit nga Krenare Rugova nuk ishte asgjë më pak sesa një dëshmi e veçantive të Prishtinës. Kryeqyteti i gjallë i Kosovës u bë muzë e Rugovës. E ka frymëzuar atë për të krijuar një koleksion magjepsës që përmbledh thelbin e qytetit.
Sfilata të mërkurën mbrëma nisi me një shfaqje të pjesëve bardhezi, duke përgatitur skenën për atë që do të ishte një mbrëmje e mbushur me surpriza dhe shkëlqim. Përderisa modelet ecin me hijeshi në pistë, kreacionet monokromatike shfaqin elegancë që duket se i bën jehonë historisë së qytetit. Zgjedhja e titullit të koleksionit, “In the streets, we’re briefly gorgeous”, qe një shenjë për bukurinë e fshehur që gjendet në rrugët e Prishtinës, natyrën dhe njerëzit e saj.
“Prishtina më inspiron gjithmonë si qytet, por edhe njerëzit e Prishtinës, edhe titulli vetë prej gjuhës angleze, që nëse zbërthehet e ka kuptimin që për një moment të caktuar të gjithë dukemi bukur. Kam pasur dëshirë të sjell tekstura të ndryshme, sepse ashtu është Prishtina dhe është hera e parë që përdor edhe shkëlqime në materiale dhe të gjitha materialet me shkëlqim kanë qenë të printuara me printe origjinale prej nesh”, ka thënë Rugova.

Futja e ngjyrave të gjalla në koleksion ishte një moment kthese. E kuqja, e kaltra e thellë dhe e gjelbra i dhanë jetë pistës duke e bërë të lehtë edhe krahasimin me ngrohtësinë që Prishtina e përçon.
Vëmendja e përpiktë e Rugovës ndaj detajeve është e dukshme në çdo veshje, si një letër dashurie për jetën urbane, me kreacione të ndërlikuara, asimetri dhe mjeshtëri të hollë.
“Këmishët që janë detaj shumë kryesor në këtë koleksion, të gjitha janë prerje prej konstruktit të gjinisë mashkullore, por janë unisex të konstruktuara për të dy gjinitë dhe kam dashur të tregoj që edhe një këmishë klasike mund të duket goxha alternative”, ka thënë Rugova.
Një nga aspektet më të ngrohta të sfilatës së Rugovës ishte përzgjedhja e modelistëve, të gjithë me prejardhje nga Prishtina. Angazhimi i saj për të shfaqur frymën autentike të qytetit nuk është kufizuar vetëm në dizajnët e saj. Sipas disenjatores, modelet janë shtylla kurrizore e gjithë ngjarjes, duke i dhënë jetë vizionit të saj.
“Disa prej tyre janë edhe aktore dhe karakteri i secilës i është përgjigjur temës së sfilatës, koleksionit dhe lokacionit ku është mbajtur sfilata. Ka kohë që e kam këtë lokacion në mendje dhe gjithçka erdhi në vete dhe u ndërlidh shumë bukur me këto vajza dhe djem të Prishtinës”, ka thënë Rugova.
Në një intervistë në prapaskenë, Krenare Rugova ka zbuluar përpjekjet që janë bërë në koleksionin e saj të fundit. I kishte kushtuar muaj të tërë pune të përpiktë dhe përkushtimit të palëkundur për të sjellë në skenë “In the streets, we’re briefly gorgeous”. Ky koleksion nuk ishte thjesht një tjetër deklaratë mode, por mënyra e saj për të nderuar karrierën e jashtëzakonshme 20-vjeçare në industri. Pasioni dhe krijimtaria e Rugovës kanë evoluar me kalimin e viteve dhe me këtë shfaqje ajo synoi të përmblidhte thelbin e rrugëtimit të saj duke nderuar peizazhet urbane gjithnjë frymëzuese që kanë ushqyer shtytjen e saj artistike. Përkushtimi i saj për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme është i dukshëm, pasi çdo pjesë tregon kulmin e rrugëtimit të saj dy dekadash në botën e modës.

“Në këtë koleksion punoj qe disa muaj, sepse më herët i kam pasur edhe koleksionet e tjera që i kanë paraprirë këtij të fundit. Arsyeja pse kam dashur ta prezantoj tash është se kam pasur kohë dhe kam dashur që ta përmbyll këtë punën time 20-vejçare që e bëj në Prishtinë dhe më është dukur shumë e arsyeshme, sepse kam punuar ndoshta pak më shumë në këtë koleksion se në koleksionet e mëparshme të viteve të fundit”, ka përfunduar Rugova.
Shumë nga djemtë dhe vajzat që parakaluan me kreacionet më të fundit të Rugovës, mbrëmjen e së mërkurës e kishin përvojë të parë në modelim. Erza Pallaska është njëra prej tyre. Ajo është shprehur e lumtur që kjo mundësi iu dha pikërisht nga Krenare Rugova, një prej kreatoreve më të dashura për të.
“Kur e kam marrë ftesën së pari që të vij si modele, kam qenë shumë e gëzuar, sepse është edhe sfilata ime e parë, kështu që për mua ta kem sfilatën e parë te Krenarja do të thotë shumë, sepse më ka pëlqyer gjithmonë stili i saj dhe krejt rrobat që i krijon kanë qenë gjithmonë të mrekullueshme”, ka thënë Pallaska.
Modelja Dorentina Berisha e ka vlerësuar si privilegj mundësinë për të modeluar me kreacionet e Rugovës.
“Emocione kam pasur shumë, por si sfilatë e parë ka qenë një eksperiencë shumë e mirë duke pasur parasysh që veshjet kanë qenë tepër të mira, koleksioni ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka thënë Berisha.
Koleksioni i Krenare Rugovës me gjithsej 50 kreacione është një dëshmi e bukurisë së qëndrueshme të rrugëve të Prishtinës dhe një kujtim se ndonjëherë, në momentet kalimtare, gjenden frymëzimet më të thella.