Kulturë

Prishtina pikturohet pa kaos si thirrje për tjetër realitet

rron

Ekspozita nuk ka titull. Por kuruesi i saj, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i referohet si “Qyteti neoromantik i Rron Qenës”. Të hënën mbrëma në galerinë “Hani i Dy Robertëve” është hapur horizonti i radhës i Qenës mbi portretizimin artistik urban të kryeqytetit

Rron Qena e ka Prishtinën e tij ideale: pa kaos, të gjelbëruar me shenjat e saj identitare që nuk zbehen dot nga kujtesa e tij. Ai e pikturon atë për t’ia ndjellë bukurinë. Sjell edhe ngjyrat e Bremenit ku jeton prej vitesh, por ato nuk janë vetëm kontrasti. “Ndoshta është si një thirrje që Prishtina ka bukuri dhe identitet, por do të ishte mirë të ruhej pak, të mos ndodhte gjithë ky kaos”, ka thënë Qena

Urbanistika e Prishtinës është kryefjalë në veprat e Rron Qenës. E portretizon vendlindjen me një qasje poetike të përkthyer në pikturë përplot ngjyra. Është një lloj homazhi. E zbukuron atë pasi e tillë është në perceptimin e tij larg saj. Ndërkohë që pak më shumë se dy mijë kilometra ku jeton, bukuria e këtij vendi afirmohet duke dokumentuar atë që veçse ekziston. Por Prishtinën e kthen vite pas, nëpërmjet nostalgjisë së tij, pa kaosin e sotëm.

Ekspozita nuk ka titull. Por kuruesi i saj, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i referohet si “Qyteti neoromantik i Rron Qenës”. Të hënën mbrëma në galerinë “Hani i Dy Robertëve” është hapur horizonti i radhës i tij mbi portretizimin artistik urban të kryeqytetit. Ka ngjyrosur muret e kësaj hapësire e cila zë vend aty ku asnjë prej veprave të Qenës nuk e ilustron në një pikturë të tij.

“Te KEK-u” plot ngjyra, me një numër të vogël veturash siç ngjan në disa të tjera, sa për simbol të një qyteti të gjallë, por jo të ngulfatur. Jo si ai që është sot. Hedhja e ngjyrave të ngrohta sjell iluzionin për kompleksin “Santea”. Kjo vepër është një lloj treguesi se jo domosdo kishte vlerë objekti, por hapësira si vendtakim e si referencë për vendet e caktuara në kryeqytet.

Në anën tjetër, plot luledielli ka në veprat “Shtatori në Bremen” dhe te “Lule të diellit në Bremen”. Vepra “Në park (Berlin)” sjell një lloj bashkëjetese njerëzish midis bimësisë të ndërthurur me figuracione të ndryshme që i rrethon siluetat e subjekteve. Pikturat janë si udhëpërshkrime të këtyre qyteteve. Veçmas ato të kryeqytetit.

Artisti Rron Qena ka thënë se gjelbërimi i Prishtinës në veprën e tij është tendencë e tij që ashtu të ngjajë.

“Ka punime të Prishtinës dhe të Bremenit. Ato me lule janë më shumë pamje nga Bremeni sepse ka shumë lule ndërsa tonat nuk kanë shumë gjelbërim, por është thjesht një tendencë për të qenë më shumë natyrë në pamjet e Prishtinës”, ka thënë artisti Qena.

Ka bërë të ditur se imazhet e Prishtinës janë kryesisht prej atyre që vijnë nga kujtesa e tij dhe jo nga ajo çfarë sot sheh në të.

“Më shumë janë ashtu prejse kam shkuar në Gjermani i kam pamjet prej viteve’90 siç më kanë ngelur në kokë dhe më me dëshirë i anashkaloj veturat dhe kallaballëkun. Marr vetëm ndërtesat që e përfaqësojnë Prishtinën si ‘Ulpiana’, ‘Banesat e Gjelbra’ në ‘Dardani’, ‘Rruga e Dubrovnikut’, ato që mua më japin kujtime më të hershme”, është shprehur ai.

Vjeshta përplot gjelbërim strehohet në të verdhën dominuese të tij në njërën prej pikturave që ilustron peizazhin e Prishtinës në stinën e gjetheve.

E “Vallja e Tropojës” nga pluhuri i ngjyrave të tij formëson silueta burrash me veshje kombëtare në elementin e tyre të kërcimit të valles tradicionale. “Te Biblioteka” vjen godina e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës duke sjellë kështu trashëgiminë kulturore të qytetit, të shkrirë në perspektivën e tij të veçantë artistike.

Në mënyrë unike portretizon kryeqytetin në pjesë të ndryshme dhe kjo kuptohet nga titujt e thjeshtë të veprave, por mjaft domethënës e informues – “Ulpiana”, “Kurrizi”, “Banesat e Gjelbra”, “Aktashi”, “Pjesë nga Prishtina”, “Dardania” e “Rrugës për Breg të Diellit”.

Për artistin Qena, kaosi urban e ka ndryshuar Prishtinën, megjithëse ka pjesë të pandryshueshme.

“Janë disa pamje që janë të pandryshueshme, por në tërësi Prishtina ka ndryshuar shumë për shkak të kaosit urban që ka ndodhur. Njerëzit, kur jetojnë këtu, nuk mund ta shohin Prishtinën si një qytet të bukur por kur largohesh pak fillon të bëhet vend pak më nostalgjik dhe më i zbukuruar. Ndoshta është si një thirrje që Prishtina ka bukuri dhe identitet, por do të ishte mirë të ruhej pak, të mos ndodhte gjithë ky kaos”, është shprehur artisti Rron Qena.

Veprat e ekspozuara i ka punuar në një periudhë dyvjeçare. Midis tyre është edhe një portret – ai i aktivistes kulturore Nita Deda. Si një lloj thyerje e pjesës tjetër të veprave, vijnë edhe portrete të mjegulluara e figura njerëzish.

Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se veprat e punuara në këtë stil e identifikojnë krijimtarinë e artistit Qena.

“Piktori Rron Qena është një piktor unik i artit vizual. Një artist unik i cili Prishtinën, qytetin e tij, e ka lajtmotiv, pothuajse në pjesën dërrmuese të punimeve dhe të tilla këto motive vijnë në forma dhe në variante të ndryshme me një stil të veçantë që e identifikon autorësinë e Rronit. Një pikturë e tij në motivet e Prishtinës ose disa piktura me motive të qytetit janë të dukshme në kuptimin e veçantisë që ato lidhen me fahun krijues, me frymëzimin që ka Rron Qena”, ka konsideruar ai.

Krasniqi ka thënë se Qena e ka sjellë motivin e kryeqytetit si askush tjetër.

“Ka arritur që motivin e qytetit të Prishtinës ta sjellë me shumë forma dhe kolorit e përmbajtje interesante në pikturat e tij. Në këtë ekspozitë shoh që ka përfshirë motive nga qyteti i Bremenit ku aktualisht jeton dhe vepron, ose pjesën më të madhe e kalon. Kjo e bën gjithsesi, në këndvështrimin tim, rolin e një piktori të veçantë të artit figurativ ose një artist të veçantë të artit vizual në vendin tonë”, ka vlerësuar Krasniqi.

Kuruesi i ekspozitës, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, në tekstin e tij kuratorial e quan Qenën si “artisti më urbanocentrik i brezit të artistëve kosovarë të pasluftës”. Se botëkuptimet, frymëzimet e qasja e tij vijnë nga përditshmëria urbane që e rrethon. I qëndron titullit që i ka vënë këtij teksti: “Qyteti neoromantik i Rron Qenës”.

“Qena ka një qasje neoromantike ndaj qytetit bashkëkohor. Prishtinën, vendlindjen e tij, ku i ka kryer studimet e artit dhe ka vendosur që ta ketë temë gati të përhershme të tablove të tij, si dhe Bremenin, ku jeton vitet e fundit, ai i sheh me sy dashamirës, afirmues, madje edhe ‘zbukurues’”, shkruan Maliqi.

Ai konsideron se, “veprat e Qenës nuk e neglizhojnë natyrën në favor të betonit. Natyrën e gjallë ai e gjen prezente gjithandej: në pikturat me drunj, lulishte, saksitë në ballkone, oleandrat përgjatë mureve të ndërtesave”.

“Më tej, në pikturat e fundit, Qena vendos me bollëk gonxhe të mëdha lulesh, që gati tërësisht e mbulojnë pamjen e qytetit të betonizuar. Kjo nuk është pamje dëshirore e qytetit të rregulluar si ‘kopsht me lule’, por më shumë një kthesë konceptuale dhe stilistike në artin e Rron Qenës. Këto piktura me lule nuk e sforcojnë vetëm ekspresivitetin, por janë thuajse abstrakte. Ose ndoshta Qena u përgjigjet antiromantikëve që qytetin e shohin vetëm si zymtësi: Mbushni ballkonet me lule dhe muret e dhomave tuaja me art”, ka shkruar më tej Maliqi.

Ekspozita me veprat e Rron Qenës e mbyll programin e sivjetmë të kafe-galerisë “Hani i Dy Robertëve”.