Kulturë

“Moda si akt i shërimit” me gratë që sfidojnë industrinë e shpejtë

“Moda si akt i shërimit: gratë në front midis mjedisit, komunitetit dhe sipërmarrjes”, ka qenë konferenca e katërt dhe e fundit e ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week”

“Moda si akt i shërimit: gratë në front midis mjedisit, komunitetit dhe sipërmarrjes”, ka qenë konferenca e katërt dhe e fundit e ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week”

Në një botë të përballur me pasojat e modës së shpejtë dhe shkatërrimin e ekosistemeve, diskutimi rreth temës “Moda si akt i shërimit” në “Prishtina Sustainable Design Week” ka vënë në pah potencialin e praktikave qarkore, të trashëgimisë artizanale dhe të inovacionit si mjete për të ndërtuar sisteme më të barabarta e më human. Ka sjellë në qendër të debatit mënyrën se si moda mund të jetë jo vetëm estetikë apo treg, por edhe mjet i kujdesit dhe i rigjenerimit shoqëror e mjedisor

Moda shpesh shihet si industri e shpejtësisë dhe e konsumit, por për dikë ajo mund të trajtohet edhe si mundësi shërimi. Konferenca e katërt dhe e fundit e ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week”, me temën “Moda si akt i shërimit: gratë në front midis mjedisit, komunitetit dhe sipërmarrjes”, të enjten mbrëma në kino “Armata” ka sjellë perspektiva mbi mënyrat se si sipërmarrëset dhe disenjatoret po sfidojnë narrativat shfrytëzuese të industrisë dhe po krijojnë modele të reja të qëndrueshmërisë.

Në një botë të përballur me pasojat e modës së shpejtë dhe shkatërrimin e ekosistemeve, diskutimi ka vënë në pah potencialin e praktikave qarkore, të trashëgimisë artizanale dhe të inovacionit si mjete për të ndërtuar sisteme më të barabarta e më humane.

Si pjesë përmbyllëse e festivalit, kjo konferencë ka sjellë në qendër të debatit mënyrën se si moda mund të jetë jo vetëm estetikë apo treg, por edhe mjet i kujdesit dhe i rigjenerimit shoqëror e mjedisor. Përmes rrëfimeve personale dhe përvojave profesionale janë hapur horizonte të reja mbi fuqinë e grave krijuese për të ndërtuar modele biznesi të ndershme dhe gjithëpërfshirëse.

Diskutimi është moderuar nga Esther Olivier, ndërsa në panel kanë marrë pjesë disenjatorja çeke Martina Spetlova, aktivistja serbe Katarina Ejdus nga iniciativa “Women on the Way”, si dhe disenjatoret nga Kosova: Hana Zeqa e Vlera Cocaj. Ato kanë prezantuar secila punën e tyre profesionale, duke reflektuar kështu aktivizimin disavjeçar në fushën e modës dhe sipërmarrjes

E para ka folur disenjatorja kosovare Hana Zeqa, e cila është themeluese e studios “Fight or Flight”, një hapësirë e modës dhe kostumeve në Prishtinë që eksploron kufijtë mes teknologjisë, performancës dhe tekstilit. Puna krijuese e saj zakonisht përfshin metoda alternative të krijimit të tekstileve, duke përdorur përbërës organikë me burime nga kuzhina, të cilat i shndërron në materiale eksperimentale. Në panel ajo ka sjellë perspektivën si disenjatore që sfidon format e zakonshme të modës. Në këtë mënyrë, ajo krijon rrugë të reja për ndërthurjen e krijimtarisë, komunitetit dhe teknologjisë.

“Njoftimi im me teknologjinë në veshje ka qenë për qëllime të performancës dhe më argëtuese dhe pastaj është zhvilluar edhe në pjesën se si mundet teknologjia të inkuadrohet në veshje të përditshme dhe ta bëjë veshjen pak më funksionale dhe më afatgjate. Një kohë shumë të shkurtër kam studiuar psikologji, kështu që ajo ka qenë si burim i inspirimit për një kohë dhe fillimi i projekteve e ka pasur atë bazë në psikologji, në proceset organike, në gjendjen emocionale e në atë psikike. Edhe në kuadër të projekteve të tjera pastaj, bashkë me ekipin, jemi rritur në idenë për të hulumtuar edhe metoda të tjera”, ka thënë disenjatorja, e cila ka studiuar dizajn kostumesh për performancë në Kolegjin e Modës në Londër.

Katarina Ejdus nga Serbia ka paraqitur shembuj konkretë të mënyrës se si sipërmarrëset po krijojnë modele të reja biznesi, të bazuara në kujdes, drejtësi dhe të mirën e përbashkët. Ajo është themeluese e “Women on the Way” dhe bashkëthemeluese e Festivalit të Modës së Ndryshme, të cilat janë dy iniciativa për fuqizimin e grave përmes modës së qëndrueshme, me fokus te refugjatet dhe krijueset nga zonat rurale.

“Kemi dashur që ‘Women on the Way’ të jetë një markë e qëndrueshme e modës, që ta përdorim tekstilin që veçse e kemi në dispozicion, por edhe ta inkorporojmë diversitetin kulturor që bartin refugjatet. Çantat kanë qenë një koleksion i pantallonave të ngjyrosur me dorë, krijuar nga refugjatet, kështu që secili motiv i ngjyrosur me dorë është inspiruar më së shumti nga kultura perse dhe meqë shumica e pantallonave me madhësi të vogël nuk na hynin më në punë, shkuam në një shkollë në Novi-Pazar, që është një qendër për prodhimin e pantallonave në Serbi dhe i ricikluam ata me nxënës të shkollave të mesme, për t’i shndërruar në çanta dhe secila prej tyre është tërësisht unike”, ka thënë ajo.

Qasja e saj thekson fuqizimin, solidaritetin dhe përgjegjësinë mjedisore, duke e trajtuar modën jo thjesht si një formë estetike, por si mjet për ndryshim shoqëror, promovim të diversitetit kulturor dhe shërimin e komunitetit.

Pas saj, ka prezantuar punën e vet disenjatorja Martina Spetlova. Me formim në biokimi dhe me përkushtim ndaj qëndrueshmërisë dhe burimeve etike, Spetlova bashkëpunon ngushtë me komunitete grash artizane, duke zhvilluar modele biznesi që promovojnë barazinë, mbrojtjen e mjedisit dhe drejtësinë sociale. Në panel ka sjellë një perspektivë të fuqishme mbi mënyrat se si sipërmarrëset mund të krijojnë sisteme që shërojnë komunitetet dhe planetin.

“Jam disenjatore, por prapavija ime është në biokimi dhe studimet për biokimi në laborator më kanë mësuar se si t’u qasem materialeve në aspektin eksperimental, po ashtu edhe kurioziteti. Me t’i përfunduar studimet Master, e themelova markën time që ishte pjesë e qarkut të modës. Krijonim dy koleksione në vit, pa pushim, gjithmonë duke u munduar të jemi në vijë me prodhimin dhe qarkullimin. Isha me fat që shpejt u shpërndanë blerjet globalisht në dyqane shumë të mira konceptuale”, ka treguar ajo. E njohur për xhaketat, palltot dhe veprat e brendshme prej lëkure të endura me dorë, ajo ndërthur mjeshtërinë tradicionale me teknologjinë digjitale, duke dokumentuar me kujdes materialet dhe origjinën e çdo krijimi.

E fundit ka folur disenjatorja kosovare, Vlera Cocaj. Ajo është themeluese e markës “Vlerë”, duke eksperimentuar me materiale të qëndrueshme dhe teknologji të avancuara si printimi 3D. Në këtë mënyrë, ajo krijon koleksione që tregojnë vendosjen e etikës në qendër të estetikës bashkëkohore.

“Unë kam filluar dhe vazhdoj të punoj me bindjen që procesi është gjithmonë po aq i rëndësishëm sa produkti. Një prej këtyre shembujve është edhe çanta që ka qenë pjesë e koleksionit tim të parë, i titulluar ‘Wish Me Luck’. Kjo çantë, në njëfarë forme ka bartur emocionet që i kam eksploruar në atë kohë dhe që ka përfaqësuar emocione të shtypura, por kam pasur qejf t’u jap formë atyre emocioneve dhe kështu ka lindur forma e zemrës”, ka thënë Cocaj, puna e së cilës ofron një model të ri të sipërmarrjes së përgjegjshme e që e ka bërë të njohur në revista ndërkombëtare si “L’Officiel”, “Kaltblut” dhe “Badlon”.

Të premten, kur edhe është paraparë të mbyllet kjo javë e edicionit të parë të ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week”, është organizuar një ekspozitë e cila prezanton prototipat dhe zgjidhjet kreative të zhvilluara gjatë maratonës së dizajnit. Kështu, aty shfaqen shembuj konkretë të dizajnit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor.