Në frymën e eksplorimit artistik, “Festivali Ndërkombëtar i Posterit Prishtina 2023” shpalosi edicionin e tij të tretë me temën e emigrimit. Në hapësirën e Galerisë së Fakultetit të Arteve, mbrëmja e së martës u kthye në një vend për dialog global nëpërmjet posterëve. Nën kurimin e kujdesshëm të Rrezeart Galicës, ekspozita jo vetëm që zbulon një sërë posterësh, por gjithashtu sjell një eksplorim kolektiv të emigrimit. Ndërsa juria, duke përfshirë edhe disenjatorin Faik Krasniqi, vlerësoi suksesin e ekspozitës
Janë gati 100 posterë nga vende të ndryshme të botës që emërues të përbashkët kanë emigrimin. I ka bërë bashkë në Prishtinë “Festivali Ndërkombëtar i Posterëve Prishtina 2023”, që vjen me edicionin e tretë. Artistët e kanë shndërruar Galerinë e Fakultetit të Arteve në një eksplorim të thellë të natyrës shumëplanëshe të emigrimit dhe ndikimit të tij në kuptimin kolektiv të asaj që ta jep ndjenjën e shtëpisë.
Një endje nëpër hapësirën e galerisë lehtazi jep ndjesinë se emigrimi i kapërcen kufijtë duke shpërndarë një rrëfim që rezonon prej individëve prejardhjesh të ndryshme. Secili artist ka sjellë një këndvështrim unik mbi temën duke kapur thelbin e emigrimit.

”Heavy rain”, ”Home/Hope”, ”Emergency exit” dhe ”Kosovo calling” janë vetëm disa nga 95 titujt e 95 posterëve të realizuar nga artistë që vijnë prej 20 shteteve të ndryshme të botës. Posterët përmbledhin nuancat emocionale që lidhen me emigrimin, duke i bërë ftesë shikuesit të mendojë për kompleksitetin e largimit nga mjedisi i njohur në ndjekje të një fillimi të ri.
”Heavy rain” i bën jehonë udhëtimit të trazuar që shpesh karakterizon emigrimin, duke pasqyruar sfidat me të cilat përballen individët, ndërsa lundrojnë në të panjohurën. Ndërkohë ”Home/Hope” thellohet në marrëdhënien e ndërlikuar midis konceptit të shtëpisë dhe fillit optimist që shoqëron emigrantët në udhëtimet e tyre transformuese. ”Emergency exit” prezanton një perspektivë që provokon mendime që çojnë drejt reflektimit mbi urgjencën dhe domosdoshmërinë që i shtyn njerëzit të kërkojnë një dalje nga rrethanat e tyre aktuale. Ndërsa ”Kosovo Calling” shton një prekje lokale. E bazon temën globale në kontekstin specifik të vendndodhjes së festivalit dhe reagon se si emigrimi nuk është vetëm një fenomen universal, por gjithashtu një përvojë thellësisht personale dhe e përbashkët që rezonon brenda narrativave kulturore dhe historike të një rajoni të caktuar.
Rrezeart Galica, kurator dhe udhëheqës i Festivalit, ka theksuar rëndësinë që i është dhënë temës së këtij edicioni. Sipas tij, tema u bë një fije unifikuese duke paraqitur interpretimet e ndryshme të shpalosura nga artistët dhe duke i inkurajuar të pranishmit të reflektojnë mbi dimensionet universale dhe personale të emigrimit.
“Ky edicion është përgatitur me një kujdes te tema e cila i përgjigjet aktualitetit dhe e cila ka ngacmuar artistët nga mbarë bota që të marrin pjesë në këtë edicion dhe të sjellin punime kreative”, ka thënë Galica.
Vëzhgimi i Galicës mbi përgjigjet e pjesëmarrësve nëpërmjet posterëve të punuar nga ta ia shton ekspozitës një shtresë intriguese. Duke vënë në dukje reagimet e ndryshme ndaj temës së emigrimit, ai theksoi perspektivat unike të paraqitura nga individë që, sipas punës së tyre, mund të thuhet se nuk e paramendojnë veten tek e braktisin vendlindjen.
“Është shumë interesante sikur te studentët, entuziastët e të rinjtë se si kanë reaguar ata ndaj kësaj teme, si e kanë trajtuar. Nuk e shohin veten emigrantë dhe kjo shihet mirë edhe prej punimeve të tyre dhe janë të lidhur me Kosovën dhe kjo na ka lënë mbresa shumë të mëdha te ky edicion. Gjithmonë entuziastëve dhe studentëve do t’u jepet hapësirë në këtë festival, mirëpo gjithmonë edhe me një përkrahje më të madhe institucionale, sepse ajo është e vetmja rrugë që ky festival të fillojë ta mbajë veten”, ka thënë Galica.
Festivali ka karakter garues dhe çmimet jepen në tri kategori: atë profesionale, studentore dhe të entuziastëve.
Faik Krasniqi, anëtar i jurisë, e ka vlerësuar ekspozitën si mbresëlënëse dhe duke krahasuar përvojat e tij me mundësitë e disenjatorëve tash, thotë se me kalimin e kohës zhvillimi është i dukshëm në cilësinë dhe ndikimin e ngjarjeve të tilla.
“Unë jam i kënaqur me ekspozitën. Mirë është e përgatitur dhe ka punime të mira, mjaft moderne dhe tema është e qëlluar në shumicën e rasteve. Është kënaqësi e veçantë, sepse më parë nuk kemi pasur diçka të tillë, por kjo tash është kënaqësi t’i shohim studentët”, ka thënë Krasniqi.
Ka theksuar vështirësitë e përzgjedhjes së fituesve duke marrë parasysh punimet që janë paraqitur në edicionin e tretë të ”Festivalit Ndërkombëtar të Posterit Prishtina 2023”.
“I vështirë është kur ka një konkurrencë bukur të madhe. Megjithatë vetë eksperienca e ka krijuar atë mundësinë që sa më shpejt të vijmë të zgjedhja. Secili anëtar e ka dhënë mendimin e vet dhe besoj se do të përfundojë me sukses”, ka bërë të ditur Krasniqi.
Mirënjohja e shprehur nga studentët pjesëmarrës ia shton një shtresë kuptimplote festivalit. Vlerësimi i tyre pasqyron rëndësinë e platformës në ofrimin e një hapësire për artistët në zhvillim për të shfaqur punën e tyre dhe për të kontribuuar në një bisedë globale mbi tema të caktuara.
Me certifikatë për pjesëmarrjen në ekspozitë u shpërblye Flandra Kelmendi me “Never let your way home fade away” dhe “No place like home”. Për të është hera e parë që merr pjesë në një ekspozitë. Ka thënë se e çmon si mundësi.
“Jam tejet e emocionuar për mundësinë e ekspozimit të posterit tim të parë. Në posterin me temën e emigrimit kam dashur që ta paraqes hartën e Kosovës dhe disa shtëpi si silueta me mbishkrimin ‘Never let your way home fade away”, ndërsa tjetri është ‘No place like home’ dhe një tiketë që tregon se asnjëherë nuk do ta braktis Kosovën. Edhe nëse shkoj diku tjetër pavarësisht qëllimeve, tiketën për t’u thyer në Kosovë e kam çdoherë”, ka thënë Kelmendi.
E studentja e dizajnit të komunikimit Marigona Sverka, pjesëmarrjen në festival ka thënë se e sheh si një derë të hapur drejt zhvillimit të mëtutjeshëm në këtë fushë.
“Fakti që profesori Rrezeart Galica na ka ftuar që të marrim pjesë në këtë ekspozitë, është një prej shtysave më të mëdha që ne të vazhdojmë të marrim pjesë në të tjera ngjarje që kanë të bëjnë me dizajn grafik”, ka thënë Sverka.
Në ndërthurjen e shprehjeve të larmishme artistike ”Festivali Ndërkombëtar i Posterëve Prishtina 2023” arrin të krijojë një platformë ku diskursi mbi emigrimin nuk kufizohet në një këndvështrim të veçantë, por lulëzon në një mozaik zërash. Është 28 Nëntori data kur ekspozita do të udhëtojë për në Tiranë, ku edhe do të shpallen fituesit për edicionin e sivjetmë dhe do të përmbyllet më datë 13 dhjetor.