“Festivali Ndërkombëtar i Posterit Prishtina 2023” ka hapur edicionin e tretë duke shpalosur ekspozitën me posterë që sjellin perspektiva globale në temën e emigrimit. Artistë nga e gjithë bota janë ekspozuar në Galerinë e Fakultetit të Arteve, duke e shndërruar mbrëmjen e së martës në një eksplorim të thellë të natyrës shumëplanëshe të emigrimit dhe ndikimit të tij në kuptimin kolektiv të asaj që të jep ndjenjën e shtëpisë.
Në hapësirën e galerisë, emigrimi i kapërcen kufijtë, duke shpërndarë një rrëfim që rezonon nëpërmjet individëve nga prejardhje të ndryshme. Secili artist ka sjellë një këndvështrim unik mbi temën, duke kapur thelbin e emigrimit.
”Heavy rain”, ”Home/Hope”, ”Emergency exit” dhe ”Kosovo calling” janë vetëm disa nga 95 tituj të 95 posterëve të punuar nga artistë që vijnë prej 20 shteteve të ndryshme të botës. Posterët përmbledhin nuancat emocionale që lidhen me fenomenin e emigrimit, duke i bërë ftesë shikuesit të mendojë për kompleksitetin e largimit nga mjedisi i njohur në ndjekje të një fillimi të ri.
Rrezeart Galica, kurator dhe udhëheqës i Festivalit, ka theksuar rëndësinë që i është dhënë temës së këtij edicioni. Sipas tij, tema u bë një fije unifikuese, duke paraqitur interpretimet e ndryshme nga artistët dhe duke i inkurajuar të pranishmit të reflektojnë mbi dimensionet universale dhe personale të emigrimit.
“Ky edicion është përgatitur me një kujdes te tema e cila i përgjigjet aktualitetit dhe e cila ka ngacmuar artistët nga e mbarë bota që të marrin pjesë në këtë edicion dhe të sjellin punime kreative”.
Vëzhgimi i Galicës mbi përgjigjet e pjesëmarrësve nëpërmjet posterëve i shton ekspozitës një shtresë intriguese. Duke vënë në dukje reagimet e ndryshme ndaj temës së emigrimit, ai theksoi perspektivat unike të paraqitura nga individë, që sipas punës së tyre mund të thuhet se nuk paramendojnë veten tek e braktisin vendlindjen.
“Është shumë interesante që sikur studentët, entuziastët e të rinjtë se si kanë reaguar ata ndaj kësaj teme, si e kanë trajtuar. Nuk e shohin veten emigrantë dhe kjo shihet mirë edhe prej punimeve të tyre dhe janë të lidhur me Kosovën dhe kjo na ka lënë mbresa shumë të mëdha te ky edicion. Gjithmonë entuziastëve dhe studentëve do t’u jepet hapësirë në këtë festival, mirëpo gjithmonë edhe me një përkrahje më të madhe institucionale, sepse ajo është e vetmja rrugë që ky festival të fillojë ta mbajë veten”.
Festivali ka karakter garues dhe çmimet jepen në tri kategori: atë profesionale, studentore dhe të entuziastëve.
Faik Krasniqi, anëtar i jurisë e ka vlerësuar ekspozitën si mbresëlënëse dhe duke krahasuar përvojat e tij me mundësitë e disenjatorëve tash, thotë se zhvillimi është i dukshëm në cilësinë dhe ndikimin e ngjarjeve të tilla me kalimin e kohës.
“Unë jam i kënaqur me ekspozitën. Mirë është e përgatitur dhe ka punime të mira, mjaft moderne dhe tema është e qëlluar në shumicën e rasteve. Është një kënaqësi e veçantë sepse më parë nuk kemi pasur diçka të tillë por kjo tash është kënaqësi t’i shohm studentët”.
Mirënjohja e shprehur nga studentët pjesëmarrës e çon Festivalin një hap më pranë përmbushjes së misionit. Vlerësimi i tyre pasqyron rëndësinë e platformës në ofrimin e një hapësire për artistët në zhvillim për të shfaqur punën e tyre dhe për të kontribuar në një bisedë globale mbi tema të caktuara.
Me certifikatë për pjesëmarrjen në ekspozitë u shpërblye Flandra Kelmendi me “Never let your way home fade away” dhe “No place like home”. Për të është hera e parë që po merr pjesë në një ekspozitë. Ka thënë se e çmon si mundësi.
“Jam tejet e emocionuar për mundësinë e ekspozimit të posterit tim të parë. Në posterin me temën e migrimit kam dashur që ta paraqes hartën e Kosovës dhe disa shtëpi si silueta me mbishkrimin ‘Never let your way home fade away” ndërsa tjetri është ‘No place like home’ dhe një tiketë që tregon se asnjëherë nuk do ta braktis Kosovën. Edhe nëse shkoj diku tjetër pavarësisht qëllimeve tiketën për t’u thyer në Kosovë e kam çdoherë”.
E studentja e dizajnit të komunikimit, Marigona Sverka pjesëmarrjen në Festival është shprehur se e sheh si një derë të hapur drejt zhvillimit të mëtutjeshëm në këtë fushë.
“Fakti që profesori Rrezeart Galica na ka ftuar që të marrim pjesë në këtë ekspozitë është një prej shtysave më të mëdha që ne të vazhdojmë të marrim pjesë në të tjera ngjarje që kanë të bëjnë me dizajn grafik”.
Në ndërthurjen e shprehjeve të larmishme artistike, ”Festivali Ndërkombëtar i Posterëve Prishtina 2023” arrin të krijojë një platformë ku diskursi mbi emigrimin nuk kufizohet në një këndvështrim të veçantë, por lulëzon në një mozaik zërash. Është 28 nëntori data kur ekspozita do të udhëtojë për në Tiranë, ku edhe do të shpallen fituesit për edicionin e sivjetmë dhe do të përmbyllet më datë 13 dhjetor.