Posterët në “Festivalin Ndërkombëtar të Posterit Prishtina 2025” vijnë si fragmente të një bote që lëviz në ritme të ndryshme. Diku liria e shprehjes paraqitet si megafon i gjymtuar. Diku vota shfaqet si pemë me rrënjë të cenueshme. Diku kufijtë e brishtë mes së drejtës dhe kontrollit vizualizohen me kontraste të forta. Në një tjetër poster, një hartë e Kosovës mban të shtrënguar simbolin e paqes, duke e lidhur tregimin global me kontekstin lokal. I bashkon demokracia që është tema e edicionit të pestë të këtij Festivali me veprat e disenjatorëve nga 38 shtete të botës, duke e vendosur Prishtinën në një qendër simbolike të debatit grafik për demokracinë
Korridori i bardhë i Galerisë së Fakultetit të Arteve është mbushur me ngjyra që herë shpërthejnë e herë heshtin. Posterët e varur në rreshta të gjatë sikur e zgjatin hapësirën përtej dimensioneve të galerisë. Kështu ka nisur edicioni jubilar i “Festivalit Ndërkombëtar të Posterit Prishtina 2025”, që për herë të pestë i ka bërë bashkë gjuhët e dizajnit grafik nga vende të ndryshme, këtë herë nën një temë që prek thelbin e ekzistencës shoqërore: demokracinë. Ajo që shihet në muret e galerisë nuk është vetëm një ekspozitë, por një hartë e mendimit global mbi lirinë, konfliktin, pjesëmarrjen dhe frikën që shpesh e shoqëron të vërtetën publike.
Posterët vijnë si fragmente të një bote që lëviz në ritme të ndryshme. Diku liria e shprehjes paraqitet si megafon i gjymtuar. Diku vota shfaqet si pemë me rrënjë të cenueshme. Diku kufijtë e brishtë mes së drejtës dhe kontrollit vizualizohen me kontraste të forta. Në një tjetër poster, një hartë e Kosovës mban të shtrënguar simbolin e paqes, duke e lidhur tregimin global me kontekstin lokal. Përmbledhja e këtyre qasjeve krijon një mozaik që e zhvendos vëmendjen nga estetika drejt mendimit kritik, duke e rikthyer posterin në statusin e tij të dikurshëm si medium i drejtpërdrejtë politik.

Nga të gjitha punimet e ekspozuara, ndriçon fakti se shumë prej tyre e trajtojnë demokracinë si nocion të lëkundur, që mund të zbehet lehtë po aq sa mund të rigjallërohet. Një ekran i thyer nga fluturimi i zogjve, një grusht që tenton të rizgjidhë nyjat e padrejtësisë, të gjitha krijojnë një lexim të ndërthurur mes frikës, rezistencës dhe shpresës.
Pikërisht kjo shumësi idesh ka qenë arsyeja që ka shtyrë organizatorët të ftojnë disenjatorë nga 38 shtete të botës, duke e vendosur Prishtinën në një qendër simbolike të debatit grafik për demokracinë.
“Në këtë edicion ka pasur një temë shumë interesante, ka provokuar dizajnerët nga e mbarë bota. Kemi pasur dizajnerë nga 38 vende të botës, të cilët përmes këndvështrimit të tyre kanë shfaqur idenë e vet për demokracinë, duke marrë shembull vendin e tyre, por në të njëjtën kohë edhe Kosovën”, ka thënë themeluesi i festivalit, Rrezeart Galica të enjten mbrëma në hapje të Festivalit.
E numri rekord i aplikimeve prej mbi 300 posterësh, prej të cilëve vetëm 100 janë përzgjedhur, e ka dëshmuar se tema ka kapur një nivel global.
“Ky edicion ka qenë i veçantë, përveç për temën që ka trajtuar, edhe për anën e profesionistëve, të cilët kanë aplikuar me posterët e tyre. Kemi pranuar një numër rekord, më shumë se 300 nga këta dizajnerë dhe juria profesionale ka pasur një punë shumë të madhe për të përzgjedhur vetëm 100 prej tyre që të ekspozohen sot dhe ky numër”, ka shtuar ai.
Fakti që festivali këtë vit ka zgjedhur një temë kaq universale, nuk e ka larguar nga realiteti vendor. Përkundrazi. Në shumë prej posterëve, Kosova shfaqet si hapësirë nga e cila mund të lexohet klima politike rajonale: tranzicioni i zgjatur, ndëshkimi i ngadalshëm, mekanizmat e brishtë të përfaqësimit dhe pritjet e vazhdueshme për konsolidim. Grafikat që paraqesin zinxhirë të këputur, harta të rimenduara, duar që kërkojnë votën si akt të fundit të mbijetesës politike, ose thirrjen e hapur “Your rights are not decorative”, krijojnë një reflektim të qartë mbi tensionin mes aspiratës dhe realitetit.

E këtë e ka vënë në pah edhe anëtarja e jurisë nga Turqia, Şükran Bulut, duke theksuar mënyrën se si posterët shfaqin një shumësi qasjesh, por me një bosht të përbashkët.
“Demokracia u takon dhe u nevojitet të gjithë njerëzve, kudo në botë. Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme e trajtuan këtë temë secili sipas mënyrës së vet, në gjuhën dhe kulturën e tyre, duke sjellë interpretime të ndryshme dhe qasje individuale. Disa u shprehën më drejtpërdrejt, ndërsa të tjerë zgjodhën një ton më të butë, por secili prej tyre solli gjuhën dhe stilin e vet të komunikimit. Të bashkuara, këto qasje krijuan një paraqitje tërësisht të suksesshme”, ka thënë ajo.
Përveç ekspozitës së sivjetshme, festivali ka arritur ta ndërtojë një arkiv të konsiderueshëm, që tashmë arrin në dy mijë posterë nga edicionet e kaluara. Sipas profesorit Galica, ky arkiv ka nisur të shihet si bazë për ta zgjeruar festivalin edhe në fusha të tjera, me qëllim që posterët të mos jenë vetëm ekspozim i përkohshëm, por pjesë e një rrëfimi të dokumentuar që mund të përdoret më vonë për studim, qarkullim dhe edukim vizual.
“E kemi rritur edhe arkivin e edicioneve të kaluara, bashkë me këtë edicion, me një sasi prej dy mijë posterësh, të cilët tani i kemi si arkiv dhe me të cilët po mendojmë të vazhdojmë këtë projekt edhe në një sferë tjetër”, ka thënë ai.
Edicioni i sivjetmë ka sjellë edhe pjesëmarrjen e shumë artistëve, disa prej të cilëve marrin pjesë për herë të parë në një ngjarje ndërkombëtare të kësaj “gjuhe”.
Artisja Mjellma Goranci Firzi, e cila ka paraqitur një poster, e ka parë temën si mundësi për të ngritur një zë që shpesh ndihet i mbyllur.
“Është një temë, me të cilën ballafaqohemi çdo ditë, e kërkojmë, e kërkojmë dhe a e gjejmë?! Ka qenë shumë motivuese ta punoj si poster, ta ngre zërin përmes dizajnit grafik, përmes posterit, përmes një ekspozite të tillë që është internacionale. Unë u mahnita prej punimeve këtu, çdo punim e çdo vepër, përveç që prezanton artistin, prezanton edhe vendin. Mund të dallojmë motive të ndryshme të shteteve të ndryshme”, është shprehur ajo.
Në disa nga punimet studentore dhe të entuziastëve, demokracia paraqitet si përpjekje e brendshme, një ndjenjë e kërkuar e jo gjithmonë e gjetur. Këtu përfshihet një vizualitet që shpesh i shmanget retorikës së madhe politike dhe i drejtohet përditshmërisë që përfshin të drejtën për të folur, praninë e grave në hapësirat vendimmarrëse, frikën e heshtjes, por edhe shpresën.
Ekspozita e edicionit të pestë nuk përfundon në Prishtinë. Ajo do të udhëtojë më 2 dhjetor në Tiranë, ku pritet të shpallen edhe fituesit e këtij viti. Kjo lëvizje mes dy kryeqyteteve e shndërron festivalin në një platformë ndërkufitare, që e vendos dialogun vizual mes vendeve të rajonit si pjesë të domosdoshme të procesit demokratik. Në fund të ceremonisë hapëse, janë ndarë edhe certifikata pjesëmarrjeje për artistët e disenjatorët nga Kosova.