Kulturë

Posta Mbretërore e Britanisë me “Monty Python” në pulla postare

Monty Python

Seria me 10 pulla, e paralajmëruar të enjten, nderon disa nga personazhet dhe frazat më ikonike të grupit komik, nga “nudge, nudge” deri te “The Lumberjack Song”

Posta Mbretërore e Britanisë ka nxjerrë në treg pulla postare që nderojnë komedinë absurde të “Monty Python”. Seria me 10 pulla, e paralajmëruar të enjten, nderon disa nga personazhet dhe frazat më ikonike të grupit komik, nga “nudge, nudge” deri te “The Lumberjack Song”.

Gjashtë pulla përshkruajnë skena nga seriali televiziv me skeçe humoristike, “Monty Python’s Flying Circus”, duke përfshirë Inkuizicionin Spanjoll, Ministrinë e shëtitjeve qesharake,  papagallin e ngordhur dhe organistin lakuriq.

Katër të tjera shënojnë 50-vjetorin e filmit kult klasik të vitit 1975, “Monty Python and the Holy Grail”, përfshirë një që tregon Kalorësin e Zi që humb krahun dhe insiston se “është vetëm një gërvishtje”.

I përbërë nga, Michael Palin, John Cleese, Eric Idle, Terry Gilliam, Terry Jones dhe Graham Chapman, grupi “Monty Python” solli një përzierje unike satire, surrealizmi dhe budallallëku në ekranet televizive britanike në një serial që u transmetua nga viti 1969 deri më 1974-n. Grupi gjithashtu realizoi disa filma, përfshirë “And Now for Something Completely Different”, “Monty Python’s Life of Brian” dhe “Monty Python’s The Meaning of Life”,

David Gold, drejtori i punëve të jashtme në Postën Mbretërore, tha se koleksioni “nderon një sërë veprash që ka formësuar peizazhin komik për gati gjashtë dekada”.

Palin tha se ishte “shumë i lumtur që ndan një pullë postare me organistin lakuriq!”.

Grupi u shpërbë kryesisht në vitet ‘80, ndërsa Chapman vdiq nga kanceri në vitin 1989. Pesë pjesëtarët e mbijetuar të “Monty Python” u ribashkuan më 2014-n për një seri të shfaqjeve komike në skenë.

Jones vdiq në vitin 2020 nga një lloj i rrallë i demencës. Pullat e reja postare mund të porositen paraprakisht që nga e enjtja dhe do të dalin në shitje për publikun e gjerë më 14 gusht.