Kulturë

“Polip” vazhdon miqësinë e nisur para një dekade

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë vazhdon miqësinë e nisur një dekadë më parë. Sot (e premte) do të bëhet hapja e edicionit të 11-të. Ceremonisë së hapjes solemne do t’i paraprijë paneli “Kritika letrare në epokën e ‘cancel culture’”, në Fakultetin e Filologjisë të universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, për të vazhduar me ceremoninë zyrtare të hapjes në teatrin “Oda”.

Për tri ditë me radhë, “Polipi” i sivjetmë do t’i mbledhë shkrimtarët, gazetarët, poetët e artistët vendorë, rajonalë e evropianë rreth temës “Cancel Culture” për të performuar, diskutuar, lexuar e prezantuar pjesë nga krijimtaria e tyre. Programi i “Polipit” do të mund të përcillet vetëm online përmes web faqes dhe rrjeteve sociale të qendrës “Multimedia” (www.qendra.org; https://www.facebook.com/QendraMultimediahttps://www.youtube.com/channel/UCMilqKZkFR5AsAaTHD4icmg).

“Si edhe në edicionet e tjera, programi i pasur i festivalit tonë jep përmbajtje e informata të çmueshme për letërsinë e kulturën, që zhvillohet e krijohet në rajon e më gjerë. Diskutimet rreth kritikës letrare, lirisë së shprehjes dhe ndërlidhjes së artit e gjuhës janë vetëm disa nga platformat kulturore publike që kemi menduar t’i ndajmë me ju këtë vit”, kanë bërë të ditur organizatorët.

Sipas një komunikate për media, diskutimet mëtojnë të shtjellojnë, përveç tjerash, marrëdhënien në mes të lirisë dhe lirisë së shprehjes, dhe në cilin rast liria e shprehjes së një grupi kërcënon lirinë e një grupi tjetër?

“Ku përfundon liria artistike dhe kur fillon nevoja për të qenë ‘politikisht korrekt’ në krijimin artistik? A mund të konsiderohet një vepër artistike si ‘e mirë’ nëse anashkalon ndërlidhjen midis lirisë krijuese dhe korrektësisë politike? A mund të ketë letërsi të mirë që shkon kundër këtyre parimeve dhe që sfidon këtë ndërlidhje dhe këta kufij, të cilët shpesh janë të padukshëm? Cili është kufiri midis lirisë krijuese – kush e përcakton këtë kufi – dhe a është vjetruar apo përforcuar ky kufi nga ‘epoka’ e ‘cancel culture’?”, janë çështjet e tjera që trajtohen sivjet.

Organizatorët kanë veçuar edhe njërën prej ngjarjeve: diskutimin me shkrimtaren e njohur turke Elif Shafak, e cila do të bashkëngjitet online të dielën për të diskutuar mbi punën e saj, trendët letrarë e ndikimin e letërsisë në zhvillimet shoqërore.