Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, “Polip” me edicionin e 11-të i hapur të premten mbrëma, vjen edhe si dëshmi për fuqinë e artit letrar në kapërcim sfidash si këto të pandemisë. Kapërcen kufij edhe në kohë të çuditshme. Krejt kësaj situate i kundërpërgjigjet me pyetje, e prej jonormalitetit mëton t’i sjellë normalitet. “Cancel Culture”, është tema e sivjetme, e njëra praj temave që u ka paraprirë diskutimeve e leximeve treditore, ka qenë kritika letrare në kohën e “Cancel Culture”
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip” me gjithë vështirësitë, nuk ka hequr dorë nga miqësia e krijuar për më shumë se një dekadë me njerëzit e letërsisë. Ka insistuar që, pavarësisht situatës me pandeminë, shumicën e shkrimtarëve t’i sjellë në Kosovë.
Rreth njëzet prej tyre do të qëndrojnë për tri ditë në Prishtinë që bashkë me kolegët e tyre në Kosovë, të zbërthejnë pyetjet qe lidhen me temën “Cancel Culture”. Rreth kësaj teme do të zhvillohen aktivitetet letrare, leximet e diskutime për një epokë sfiduese për letërsinë e për kulturën, në përgjithësi.
“Kemi zgjedhur një titull të mirë, sepse do të pyesim për kohët e çuditshme në të cilat po jetojmë”, ka thënë autorja kroate, Alida Bremer, në hapje të ceremonisë së edicionit të 11-të të “Polip”-it, me një ceremoni modeste e pa publik, të premten mbrëma në teatrin “Oda”. Krejt programi i edicionit të sivjetmë do të ndahet virtualisht me publikun nëpërmjet rrjeteve sociale të qendrës “Multimedia”. Me këtë organizatorët synojnë të arrijnë te një publik më i gjerë ani pse larg diskutimeve të rëndomta.
“Pas tri ditëve ne do të jemi të pasur për pyetjet dhe jo për përgjigjet. Por, është e rëndësishme t’i diskutojmë të gjitha. Do të donim të ishim bashkë por edhe ‘online’ ne do të vazhdojmë lidhjen që kemi krijuar”, ka thënë tutje Bremer. Për “Polip”-in, që më shumë se një dekadë sfidon kufijtë e letërsisë, rrethanat e jashtëzakonshme për të funksionuar nuk janë të panjohura. Prej jonormalitetit përherë janë përpjekur të sjellin normalitet sepse fundja këtë më së miri e bën letërsia.
“Festivali është krijuar që të bëjë përpjekje që nga jojonormaliteti të sjellë normalitet aty ku komunikimi mes njerëzve është i vështirë, aty ku njerëzit e perceptojnë tjetrin me përbuzje, me sjellë normalitet aty ku urrejtja dhe paragjykimi kanë zënë rrënjë”, ka thënë Jeton Neziraj, themelues i festivalit “Polip”. Me leximet e Arlette-Louise Ndakoze , Dimitris Lyacos, Francesca Borri, Milosh Zhivanoviq, Etrit Hasler, Arben Idrizi dhe Saban Sarankapiq ka nisur nata e parë e festivalit.
Diskutimet e “Cancel Culture” fokusohen në kritikën letrare, lirinë e shprehjes dhe ndërlidhjes së artit e gjuhës. Disa nga pyetjet që shtrohen lidhen me atë se ku përfundon liria artistike dhe kur fillon nevoja për të qenë “politikisht korrekt” në krijimin artistik? Krejt këto pyetje janë të bazuara në një realitet që sfidohet me ndryshime të mëdha. Të një komunikimi virtual – që është bërë hapësirë e re prej nga letërsia komunikon me lexuesit.
Pikërisht diskutimi në temën ”Kritika letrare në epokën ‘Cancel Culture’”, i mbajtur në Fakultetin e Filologjisë, i ka paraprirë hapjes zyrtare të edicionit të sivjetmë të “Polip”-it. Aty është diskutuar për ndikimin e lexuesit proaktiv dhe ndryshimi që ka pësuar kritika ndër vite. Gjatë diskutimit të udhëhequr nga Valon Veliqi nga instituti “Goethe”, janë shtruar pyetje se kush shkruan sot kritikë dhe si kanë ndikuar rrjetet sociale te shkrimtarët dhe lexuesit e sotëm.
Shkrimtari nga Gjermania, Ralph Hammerthaler, ka thënë se rrjetet sociale kanë ndikuar që të ketë ndryshime në aspektin strukturor.
“Vlerësimet në rrjetet sociale janë të kufizuara në ‘më pëlqen’ ose ‘nuk më pëlqen’. Nuk ka ndonjë analizë më të thellë. Ka të bëjë me shijen dhe kjo është një temë më e gjerë. Nëse e bazojmë edhe këtë do të na mungojë një vlerësim më profesional me letërsinë”, ka thënë shkrimtari Hammerthaler, i cili shkruan romane, ese, tregime dhe drama. Në vitin 2020 ka shkruar librin “Bijat e Kosovës”.
Jehona Kicaj, e cila në Gjermani udhëheq shtëpinë botuese “re: sonar verlag”, ka vlerësuar se duhet të shikohen edhe aspektet pozitive të rrjeteve sociale pasi që po luajnë një rol tjetër të rëndësishëm në promovimin e letërsisë.
“Rrjetet sociale janë bërë më të rëndësishme, por nuk e shoh me aq kritikë, sepse rrjetet sociale i shoh edhe si një medium më demokratik”, ka thënë Kicaj. Sipas saj, kritika letrare është diçka tjetër nga shkenca e letërsisë. Ajo ka thënë se është mirë që në rrjetet sociale diskutohet për letërsinë dhe ajo si botuese përherë tenton t’i përdorë avantazhet e saj.
“Kjo është ajo që unë si botuese kam provuar të realizoj, që të jemi prezent aty ku janë të rinjtë dhe shkrimtarët e rinj dhe lexuesit e ndryshëm. Që të jemi fqinjët e tyre”, ka thënë ajo.
Studiuesi Bardh Rugova ka thënë se beson që në Kosovë është i pranishëm një përafrim mes teorisë letrare dhe kritikës letrare. Tregu relativisht i vogël, sipas tij, ka ndikuar që të dominojnë interesat e grupeve të vogla dhe miqësive.
"Në rrafshin e parë shpesh brenda kritikës gjejmë elementet subjektive të vlerësimit, e vlerësojmë dikë më shume sepse e kemi mik dhe e shajmë dikë tjetër që nuk e kemi. Kjo është instaluar në fillim të shekullit XX - Kristë Maloku thoshte: ‘A është Lasgush Pogradeci poet, sepse donte që Fishta të ishte më i vlerësuar” , ka theksuar Rugova gjatë diskutimit me temën “Kritika letrare në epokën e ‘Cancel Culture’”.
ka ilustruar një studim të bërë me studentët, i cili nxjerr në pah se si kritika letrare ndikon në mosleximin e disa librave. U kishte dhënë studentëve për detyrë që të lexojnë disa romane të autorëve vendorë dhe që të shkruajnë për ta. Rezultati që mori e befasoi dhe e bëri të kuptojë për ndikimin e kritikës te lexuesi. “U befasova kur i mora tekstet, ishin shembuj të mirë të leximit”, ka treguar Rugova.
Autorja Jehona Kicaj, e cila së shpejti do të botojë romanin e saj të parë me titullin “Ë”, ka thënë se edhe ata që nuk janë profesionistë në letërsi duhet të kenë të drejtë të gjykojnë mbi të.

“Pajtohem me dy kolegët në diskutim se ata që i bëjnë këto komente nuk kanë ndonjë gjykim cilësor dhe profesional për librin që e gjykojnë. Jo gjithmonë, por shpesh. Nga vështrimet e mia edhe në kritikat letrare në Gjermani janë duke i mëshuar atij aspektit më skandaloz”, ka thënë ajo duke treguar shembullin se si një tekst i kolumnes së një autoreje gjermane u bë shkas që të diskutohet më shumë për të se sa për romanin që ka shkruar. Dhe kjo, sipas Kicajt, shpesh edhe i shërben promovimit të letërsisë së një autori.
“Skandali i mëhershëm ka ndikuar që të flitet më shumë për librin. Por pyetja që shtrohet është me çfarë legjitimiteti. Vepra është diskutuar vetëm për shkak të një skandali të mëhershëm dhe ka vepra të shumta që nuk trajtohen fare që vijnë nga botues më të vegjël. Edhe një recension i keq është një recension dhe e kthen vëmendjen e lexuesve”, ka thënë ajo. Kicaj, e cila ka studiuar për filozofi e për letërsi moderne gjermane në Hanover, ka thënë se letërsia në Gjermani ka pësuar ndryshime duke marrë parasysh diversitetin dhe përpiqet të ketë një korrektësi politike. Por, që sipas saj, sa i përket letërsisë, njerëzit me një të kaluar të emigrantit zakonisht janë shkrimtarë dhe nuk mbajnë ndonjë pozitë.
“Edhe kritika letrare, por edhe gjithë procesi letrar është shumë i ‘bardhë’, po e them në kuptimin që është kryesisht i zënë me gjermanët. Ky është qëndrimi im. Parimisht, pozitat e pushtetit brenda gjithë tërësisë që përfshin procesi letrar (shkrimtarët, revistat, botuesit) janë me gjermanët. Këta që kanë sfond emigracioni janë vetëm si shkrimtarë, nuk ka juri që përbëhet prej tyre”, ka thënë tutje ajo.
Edhe mbrëmja e parë, si rëndom në “Polip”, është përmbyllur me lexime nga krijimtaria letrare e autorëve pjesëmarrës nga vendi e bota.
“Polip”-i edhe për dy ditë do të zhvillojë edhe shumë aktivitete të tjera letrare e diskutime rreth kritikës letrare, lirisë së shprehjes dhe ndërlidhjes së artit e gjuhës. Organizatorët kanë veçuar edhe njërën prej ngjarjeve: diskutimin me shkrimtaren e njohur turke Elif Shafak, e cila do të bashkohet online të dielën për të diskutuar mbi punën e saj, trendët letrarë e ndikimin e letërsisë në zhvillimet shoqërore.