Kulturë

Piktura e “Blossom” pritet të shitet për 1.7 milion euro

“’Blossom’ është një nga pikturat më emocionuese me të cilat kam punuar prej shumë kohësh”, thotë Tessa Lord nga shtëpia e ankandeve “Christie’s”. Foto: David Zwirner

“’Blossom’ është një nga pikturat më emocionuese me të cilat kam punuar prej shumë kohësh”, thotë Tessa Lord nga shtëpia e ankandeve “Christie’s”. Foto: David Zwirner

Vepra që paraqet përdorimin karakteristik të jashtëqitjes së elefantit nga fituesi i çmimit “Turner”, do të dalë në ankand për herë të parë në tetor. Në të kaluarën, shtëpia e ankandeve “Christie’s” në Londër po ashtu e ka shitur pikturën e artistit britanik, “The Holy Virgin Mary” në çmim prej mbi milion eurosh

Një vepër kyçe nga artisti britanik i shpërblyer me çmimin “Turner”, Chris Ofili, që përfshin përdorimin karakteristik të jashtëqitjes së elefantit, do të dalë në shitje për herë të parë në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në muajin tetor.

Piktura e vitit 1997 ,“Blossom”, një portret i krijuar një vit para se Ofili të bëhej artisti i parë me ngjyrë që fiton çmimin Turner në vitin 1998, pritet të shitet për një çmim mes 1 deri në 1.7 milion euro. Vepra përzien ikonografinë e shenjtë me kulturën popullore dhe simbolizmin afrikan, duke përdorur materialet karakteristike të Ofilit si, shkëlqyes, rrëshirë dhe jashtëqitje elefanti.

Tessa Lord, drejtuese e veprave të artit bashkëkohor dhe të pas Luftës së Dytë Botërore në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në Londër, ku do të shitet piktura më 15 tetor, tha: “Kjo është një nga pikturat më emocionuese me të cilat kam punuar prej kohësh. Veprat e Ofilit janë në përmasa të mëdha dhe shumë të rralla në ankande”.

“Blossom” do të dalë në shitje së bashku me katër vepra të piktorit skocez, Peter Doig, të cilat gjithashtu do të ofrohen në ankand për herë të parë: “Ski Jacket”, “Country Rock”, “Concrete Cabin” dhe “Yara”. Në mesin e veprave tjera të rëndësishme në këtë koleksion janë edhe ato të piktorit amerikan, Jean-Michel Basquiat dhe veprat e artistes suedeze, Karin Mamma Andersson.

Ofili, i lindur në Manchester me prejardhje nigeriane, studioi në Kolegjin e Arteve “Chelsea” dhe në Kolegjin Mbretëror të Artit. Në vitin 2003, ai përfaqësoi Britaninë në Bienalen e Venecias. Aktualisht, ai jeton mes Londrës, New Yorkut dhe Trinidadit.

Piktura “Blossom” u ekspozua në vitin 2010 si pjesë e retrospektivës së mes-karrierës së Ofilit në galerinë e arteve “Tate Britain” në Londër, ekspozita më e madhe e punës së tij deri më sot. Ajo u përfshi gjithashtu në ekspozitën e viteve 2014-2015 në Muzeun e Ri në New York. Kjo vepër e popullarizuar mbështetet në idetë tradicionale të nënës dhe fëmijës, duke përshkruar një grua me një gji të zbuluar dhe një lule portokalli në flokët e saj. Në anën e majtë, titulli i pikturës, “Blossom”, është shkruar vertikalisht, i gdhendur në sfera të bëra nga jashtëqitje elefanti.

“Sipërfaqja është e jashtëzakonshme”, tha Lord. “Ka pika teksturore thuajse si nga teknika ‘pointiliste’ në të gjithë sipërfaqen dhe rrëshirë që krijon shtresa që në realitet janë vërtet të bukura”.

Vepra vjen nga një vit shumë i rëndësishëm në karrierën e artistit, tha Lord. Ekspozita personale e Ofilit në vitin 1997, e cila u hap në galerinë e artit në qytetin Southampton, në galerinë “Serpentine” në Londër dhe në galerinë e artit “Whitworth” në Manchester, e vulosi nominimin e tij për çmimin “Turner”, të cilin ai e fitoi në vitin 1998.

Përveç se ishte artisti i parë me ngjyrë që fitoi këtë çmim, Ofili ishte edhe piktori i parë në më shumë se një dekadë i shpërblyer.

“Më parë kishte qenë më shumë një çmim konceptual; kështu që Ofili përfaqëson vërtet forcën e pikturës britanike në vitet ’90 dhe fillimin e viteve 2000”.

Koleksioni i veprave të përfshira në ankandin e “Christie’s” është në pronësi të Ole Faarup, një sipërmarrës dhe filantrop danez i ndjerë, i cili e bleu pikturën “Blossom” në vitin 1997. I gjithë koleksioni u mblodh gjatë një periudhe prej 50 vitesh. Të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojnë për Fondacionin e Artit “Ole Faarup”, i cili synon të mbështesë artistët e rinj danezë dhe ndërkombëtarë, duke vendosur veprat e tyre në muze anekënd botës.

“Kryeveprat në këtë koleksion janë nga dy artistë britanikë”, ka treguar Lord.

Ofili dhe Doig kishin një “lidhje personale”. Të dy u takuan fillimisht si studentë në Kolegjin e Arteve “Chelsea”; më vonë Doig qëndroi me Ofilin në Trinidad në fillim të viteve 2000, një përvojë që frymëzoi veprën “Yara”, e cila do të dalë gjithashtu në ankand.

Stili i Ofilit shpesh konsiderohet si “art punk” dhe ndikohet nga artistë të tillë si, Basquiat dhe Philip Guston. Puna e tij ka tërhequr vëmendje për guximin dhe provokimin, veçanërisht për përdorimin e shpeshtë të jashtëqitjes së elefantit dhe imazheve pornografike.

Piktura e tij “The Holy Virgin Mary” (Virgjëresha e Shenjtë Mari) shkaktoi polemika në vitin 1998 për përshkrimin e një Virgjëreshe me ngjyrë, të rrethuar me imazhe nga filmat “blaxploitation” dhe revista pornografike. Ajo u shit mbi 3 milionë milionë euro në “Christie’s”.

“Nuk kemi pasur diçka të tillë apo një vepër të kësaj cilësie që nga viti 2015 kur shitëm ‘The Holy Virgin Mary’”, tha Lord duke folur për pikturën “Blossom”.