Katër veprat e përzgjedhura për këtë vit për “Turner Prize” paraqesin një “gamë të pasur dhe të larmishme veprash” që “ofrojnë këndvështrime të ndryshme përmes të cilave mund të eksplorohet bota përreth”
Steven McIntosh
Një performancë për jetën në veriun industrial dhe skulptura që shqyrtojnë historinë politike të naftës, janë ndër veprat e përzgjedhura në listën e ngushtë për çmimin “Turner” të këtij viti. Veprat e artistëve, Simeon Barclay, Kira Freije, Marguerite Humeau dhe Tanoa Sasraku, do të ekspozohen në Middlesbrough më vonë këtë vit, përpara se fituesi të shpallet në dhjetor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i jurisë, Alex Farquharson, ka thënë se veprat e përzgjedhura ofrojnë “një reflektim bindës të gjerësisë dhe gjallërisë së artit bashkëkohor britanik”.
Një nga çmimet më prestigjioze për artet pamore, “Turner Prize” u themelua në vitin 1984 për të nxitur debatin publik rreth zhvillimeve të reja në artin bashkëkohor britanik. Çmimi mban emrin e piktorit, JMW Turner, dhe i ndahet çdo vit një artisti britanik për ekspozitë të jashtëzakonshme ose prezantim tjetër të punës së tyre.
Katër veprat e përzgjedhura këtë vit do të ekspozohen në Institutin e Artit Modern në Middlesbrough, në Universitetin Teesside, dhe fituesi do të shpallet po aty më 10 dhjetor.
Farquharson ka thënë se përzgjedhja e këtij viti paraqet një “gamë të pasur dhe të larmishme veprash” që “ofrojnë këndvështrime të ndryshme përmes të cilave mund të eksplorohet bota përreth nesh”.
“The Ruin” nga Simeon Barclay
Performanca zanore njëorëshe e Barclayt mbështetet në fëmijërinë e tij në Huddersfield, dhe përvojën e tij me peizazhin industrial të veriut të Anglisë, e shoqëruar nga një kolonë zanore me perkusione dhe instrumente frymore të luajtura drejtpërdrejt. Juria e vlerësoi performancën debutuese të Barclayt për “eksplorimin e klasës, racës dhe identitetit mashkullor, përmes një përdorimi evokues dhe eksperimental të gjuhës dhe një ambienti zanor psikologjikisht përfshirës”.
Barclay dallohet ndër katër artistët e këtij viti si i vetmi, puna e të cilit bazohet në performancë të drejtpërdrejtë dhe jo në skulpturë. Përmbajtja e tij aktuale mund ta ndihmojë të sigurojë fitoren e parë për një vepër performuese, që nga viti 2019.

“Unspeak the Chorus” nga Kira Freije
Kira Freije përdor metal, tekstile dhe materiale të gjetura për të krijuar skulptura që eksplorojnë emocione universale njerëzore, si fytyra të derdhura në gur dhe figura në madhësi natyrale të ndërtuara nga struktura metalike. Juria vlerësoi “thellësinë emocionale” të veprës së saj, duke theksuar “fjalorin unik skulpturor të materialeve dhe formave, si dhe mënyrën e saj të përhumbur dhe ekspresive se si transformon hapësirën përmes vendosjes së figurave”.
Figurat anonime dhe androgjene të Freijes janë të hapura për interpretimin e shikuesve, por shumica do t’i konsideronin ato mbresëlënëse dhe të paharrueshme, pavarësisht kuptimit të tyre. Juria përcaktuese e fituesit të çmimit “Turner” ka shumë të ngjarë të impresionohet nga stili i veçantë i artistes.

“Torches” nga Marguerite Humeau
Vepra e Marguerite Humeaus shqyrton historinë e tokës dhe botë të imagjinuara të së ardhmes, përmes skulpturave që përfshijnë referenca ndaj specieve natyrore specifike dhe shoqërohen nga një cikël i përsëritur drite dhe tingulli. Juria u impresionua nga ekspozita e saj kinematografike dhe “angazhimi me temat ekologjike dhe ekzistenciale përmes formave shpikëse, skenarëve spekulativë dhe ndryshimeve dinamike”.
Ndryshe nga disa prej veprave tjera të përzgjedhura, instalacioni i Humeaus nuk vjen nga një perspektivë e përqendruar te njeriu. Në vend të kësaj, format e saj me frymëzim nga fantastiko-shkencorja mund të impresionojnë jurinë me cilësinë e tyre imagjinare.

“Morale Patch” nga Tanoa Sasraku
Instalacioni i Tanoa Sasraku eksploron ide gjeopolitike përmes skulpturave në formë objektesh, me fokus në historitë e fundit politike dhe ushtarake të naftës. Juria vlerësoi saktësinë dhe sofistikimin e instalacionit, duke thënë se ai “trajton çështje historike komplekse me një rezonancë të fortë bashkëkohore, dhe përdor një paraqitje klinike, minimaliste që përcjell njëkohësisht ironi dhe seriozitet”.
Në kohën e luftës në Iran dhe titujve kryesorë rreth çmimeve të naftës, puna e Sasrakus është ndoshta më aktualja në listën e këtij viti. Ka gjasa të mëdha që juria të impresionohet nga relevanca e instalacionit dhe mënyra klinike dhe korporative e paraqitjes së tij.
Vitin e kaluar ishte artistja Nnena Kalu ajo që bëri histori, duke rrëmbyer çmimin “Turner Prize”, si artistja e parë me aftësi të kufizuara që fiton.