Kulturë

Pianistja nga Kosova drejt të famshmes “Carnegie Hall” të New Yorkut

Nga interpretimi në pianon e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ajo vendosi t’i rreket garës së njohur ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”. E loja e saj e bindi jurinë e kësaj gare që ta shpërblejë me vendin e parë, ani pse në garë ishin kandidatë nga mbarë bota. Ia ka dhënë “biletën” për interpretim në “Carnegie Hall”, ku interpretojnë e kanë interpretuar muzikantët më me nam

Lidhja me pianon e ka bërë të rritet me dashurinë për skenën. Për 20-vjeçarjen nga Gjilani, Anila Aliu, skena si depërtim drejt suksesit veç po rritet, bashkë me synimet e saj. As situata me pandeminë s’ia ka ndalur hovin. Kur tingujt pushuan në skenat botërore gjatë vitit që lamë pas, Aliu nisi preokupimet e saj për ta mposhtur këtë mungesë. Bota virtuale ishte opsioni i saj i parë. Kështu filloi hulumtimin për garat online.

Nga interpretimi në pianon e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ajo vendosi t’i rreket garës së njohur ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”. E loja e saj e bindi jurinë e kësaj gare që ta shpërblejë me vendin e parë, ani pse në garë ishin kandidatë nga mbarë bota. Ky sukses që ia bëri realitet ëndrrën e pianistes së re ia hapi dyert për të interpretuar në njërën prej sallave më prestigjioze botërore, në “Carnegie Hall” të New Yorkut. Qëllimi i kësaj salle që hapi dyert për herë të parë në vitin 1891 është që të prezantojë muzikën nëpërmjet muzikantëve të jashtëzakonshëm dhe të përcjellë fuqinë transformuese të muzikës tek një numër sa më i madh i publikut.

Aliu ka thënë thotë se ky sukses i jep një ndjenë të papërshkrueshme pasi që i erdhi shumë herët në jetë.

“Kohëve të fundit fillova ta ndieja mungesën e garave dhe skenës kështu që fillova të hulumtoja për garat që zhvilloheshin online në raundin e parë, kurse fituesit që do të përzgjidheshin do të interpretonin në ‘Carnegie Hall’ në New York. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme të cilën nuk kam pritur që do të më vijë në këtë moshë”, ka thënë Aliu për KOHËN.

Anila Aliu në garë ka marrë pjesë me interpretimin e veprave “Sonata D minor L.108” të Domenico Scarlatti, “La Poule” të Jean-Philippe Rameau, “Auf dem Wasser zu singen” të Schubert Liszt dhe “Prelude no. 7 op. 23” të Sergei Rachmaninoff. Me këto vepra po vazhdon të punojë, pasi që çmimi ia ka shtuar goxha përgjegjësinë e interpretimit në New York, por shpreson që pandemia të mos vazhdojë të jetë akoma pengesë për të.

“Unë kam filluar menjëherë përgatitjet, por shpresoj që deri në korrik, kur do të jetë paraqitja ime, të rregullohet situata me pandeminë”, shprehet Aliu.

Pianistja nga Gjilani, qëkur nisi të ndërvepronte me tastet e pianos, asnjëherë nuk është shkëputur prej saj e ka qenë vazhdimisht në kërkim të sfidave që ia kërkon skena. Karriera e saj filloi 13 vjet më parë në Shkollën e Muzikës në Gjilan, në klasën e profesor Visar Osmanit, me të cilin përfundoi shkollimin e mesëm. Aktualisht është studente e vitit të tretë në klasën e Valbona Petrovcit, në Degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

“Talenti për muzikën është vërejtur qysh prej moshës së hershme dhe kur fillova me piano prej moshës 8-vjeçare kam filluar menjëherë me paraqitje skenike, me pjesëmarrje në gara të ndryshme. Që nga viti 2009 deri tash nuk ka pasur vit në të cilin kam pauzuar. Kam qenë vazhdimisht në përballje me skenën dhe sfidat”, tregon ajo.

Dashuria e madhe për skenën e ka bërë pianisten e re që të interpretojë edhe në skenat evropiane dhe të jetë fituese e shumëfishtë të çmimeve brenda dhe jashtë Kosovës. Me lojën e saj ka rrugëtuar edhe në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Itali, Lituani, Luksemburg, Gjermani e Francë.

Ndër çmimet kryesore të saj janë “Pianisti i ri”, që e bëri atë të përcjellë në piano Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës. Me pjesëmarrjen e saj në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë, ajo e rangoi Kosovën përkrah Rusinë dhe Estonisë si tri shtetet finaliste fituese. Përveç tjerash, ajo është shpërblyer edhe me çmimin “Solist me Orkestrën Ballkanike në Itali”, “Çmimi Absolut në Garat Internacionale në Gjevgjeli”, Çmimi special në San Dona Piave në Venecia të Italisë. Sukseset thotë se veçse ia kanë shtuar dashurinë për të depërtuar më tutje.

“Pas secilit sukses e ndiej që duhet të vazhdoj edhe më shumë që të arrij edhe më larg kështu që është gjithmonë ai motivimi për të arritur edhe më larg”, ka thënë ajo.

Thotë se në asnjë formë tjetër nuk ndihet më e përmbushur se sa pranë pianos. Derisa luan në të nuk i heton orët, andaj pianon e përkufizon më shumë sesa profesion. Është diçka që e dikton çdo ditë të saj.

“Pianoja për mua është jetë, është edhe pasion. Është më shumë se profesion. Për mua është mënyrë e të jetuarit kështu që ndjenja që ma fal interpretimi në të nuk krahasohet me asgjë tjetër”, ka theksuar Anila.

Anila Aliu teksa mendjen e përkushtimin e ka tek përgatitja për sallën prestigjioze në New York, thotë se gjatë këtij viti shpreson që të koncertojë edhe në festivalin “Robert Schumann” në Bonn të Gjermanisë, përderisa ftesën për të interpretuar atje e kishte marrë me interpretimin e saj gjatë vitit 2019 në Gjermani. Derisa skenat e huaja nuk janë të panjohura për 20-vjeçaren nga Gjilani, depërtimi në “Carnegie Hall” të New Yorkut, ku interpretojnë e kanë interpretuar muzikantët më me nam, e fusin emrin e saj në mesin e emrave më premtues pianistikë të Kosovës.