Loja në njërën prej pjesëve të serisë së “Études-Tableaux” të Sergei Rachmaninoff dhe “Danse – Tarantelle Styrienne” të Claude Debussy ka bindur jurinë e çmimeve prestigjioze “Golden Classical Music Awards” që pianistja Denita Dedushaj të vlerësohet me Çmimin e parë. Pas vlerësimit të performancave nëpërmjet videove, juria ka vendosur që si fituese, Dedushaj të interpretojë Rachmaninoffin në sallën e recitaleve të “Carnegie Hall” në New York. “Ky moment është thelbësor për karrierën time në muzikën klasike, pasi që besoj se do të sjellë më shumë mundësi dhe hapësirë në skenën ndërkombëtare...”, ka thënë pianistja Dedushaj
Interpretimi i “Études-Tableaux Op. 39 No.1” bashkë me një tjetër vepër kanë bërë që një juri ndërkombëtare ta vlerësojë pianisten kosovare Denita Dedushaj për të interpretuar në një prej sallave më me nam që njeh bota e muzikës klasike. Dedushaj në korrik të këtij vitit do t’ia mësyjë “Carneigie Hall” të New Yorkut si fituese e Çmimit të parë në kategorinë e saj në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”. Për pianisten nga Peja, kjo është një kthesë e rëndësishme në karrierën e saj.
Interpretimi i njërës prej pjesëve të serisë së “Études-Tableaux” të Sergei Rachmaninoff dhe “Danse – Tarantelle Styrienne” të Claude Debussy ka bindur jurinë e çmimeve prestigjioze “Golden Classical Music Awards” që Dedushaj të vlerësohet me Çmimin e parë. Pas vlerësimit të performancave nëpërmjet videove, juria ka vendosur që si fituese Dedushaj të interpretojë Rachmaninoffin në sallën e recitaleve të “Carnegie Hall”.
“Vetë organizatorët kanë përzgjedhur që fituesit të paraqiten në koncertet që mbahen në praninë e publikut dhe aty dorëzohen çmimet. Pra, janë koncerte të organizuara për fituesit në ‘Weill Recital Hall’ të ‘Carnegie Hall’”, ka thënë pianistja Dedushaj.
Paraprakisht ajo si anëtare e korit “Siparantum” ka interpretuar në Belgjikë, Slloveni, Portugali, Zvicër, Gjermani, Suedi, Kore të Jugut e së fundmi në Vjenë. Në një skenë në New York do të paraqitet për herë të parë.
Pjesa që Dedushaj do ta interpretojë, është e para me radhë e nëntë sosh që Rachmaninof i ka kompozuar në kuadër të serisë së dytë të “Études-Tableaux” më 1917. Kjo pjesë “Allegro agitato në C minor” sipas studiuesve të muzikës ka ritëm të shpejtë dhe kërkon shkathtësi të konsiderueshme. Teknikisht, muzika është vazhdimisht në kulm.
Këtë “Étude” Dedushaj e kishte interpretuar edhe në një prej koncerteve të saj recitale. Është prej pjesëve më të dashura për të.
“Është një ndër pjesët e mia më të preferuara të cilën e luaj me shumë dëshirë, edhe pse gjithmonë ka qenë sfiduese, për shkak të vështirësisë teknike dhe emocionale që ka si çdo vepër tjetër e kompozitorit Rachmaninoff”, ka shpjeguar ajo.
Qëllimi i “Golden Classical Music Awards” është të zbulohen artistë me talent dhe të ndajnë çmime që mund të ndihmojnë në nxitjen e karrierës së tyre në rang ndërkombëtar.
“Çdo pjesëmarrës duhet të paraqesë prej një deri në tri regjistrime nga periudhat barok, klasik, romantik ose bashkëkohore”, sqarohet në ueb-faqen e organizatorëve ku bëhet e ditur se “Carnegie Hall” do të jetë nikoqire e interpretimeve. Nëpërmjet këtij konkursi në sallën prestigjioze më 2021 kishin interpretuar edhe pianistet Anila Aliu dhe Adea Badivuku.
Gara edhe vjet, ka qenë e hapur për të gjitha kombësitë dhe moshat në instrumente me tela, piano, frymorë dhe për këngëtarë. Çdo disiplinë ndahet në kategori të ndryshme moshash si “Young Musician”, “Junior”, “Intermediate”, “Advanced” dhe “Senior”. Në këtë të fundit ka garuar pianistja Dedushaj.
“Ky Çmim për mua është mjaft motivues, pasi që vlerësimi i këtij konkursi shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjes dhe suksesit në skenën ndërkombëtare. Kjo arritje më inkurajon të vazhdoj punën me pasion dhe përkushtim drejt sukseseve të tjera që synoj si çdo artist”, ka thënë Dedushaj. E ka konsideruar hap të rëndësishëm në karrierën e saj mundësinë për interpretim në New York.
“Ky moment është thelbësor për karrierën time në muzikën klasike, pasi që besoj se do të sjellë më shumë mundësi dhe hapësirë në skenën ndërkombëtare, njohje dhe bashkëpunime të reja të cilat do të zgjerojnë horizontet në fushën e muzikës klasike dhe do të shtojnë vlera në rrugëtimin tim artistik. Vetë interpretimi në sallën e recitaleve të ‘Carnegie Hall’ është moment i veçantë dhe hapësirë që synohet nga secili artist. Besoj fort që do të jetë një moment kthese në karrierë, të paktën në motivim”, ka thënë pianistja Dedushaj.
Ajo shkollën fillore dhe të mesme të muzikës e ka përfunduar në Pejë, ndërsa studimet bazike dhe master për piano në Fakultetin e Arteve në klasën e profesoreshës Lejla Pula. Ajo ka qenë dy herë pjesëmarrëse në koncertin pianistik “Fqinjët” në Tiranë në mesin e pianistëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Ka interpretuar edhe në kuadër të bienales nomade evropiane “Manifesta” në “Open Piano Recital” në edicionin që u mbajt në Prishtinë dy vjet më parë. Ka ndjekur masterklasa me pianistë të njohur si Stephen Prutsman, Hakon Autsbo, Anna Magdalena Kokits, Jerome Granjon, Giovanni Belluci, Violetta Egorova dhe Ruben Dalibaltayan. Punon si mësimdhënëse e pianos në shkollën e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë.
Sivjet e pret një prej sfidave më të mëdha në karrierë, interpretimi në sallën e recitaleve të “Carnegie Hall”. Hapësira me 268 ulëse e dy nivele për publik sa elegante dhe intime është “shtëpia” e qindra recitaleve, koncerteve të muzikës kamertale, paneleve të diskutimeve dhe masterklasave.