Kulturë

Pianistja e re nga Kosova dëshmon talentin në Vjenë

Derisa dora e djathtë përshkon tastet e pianos sa aty sa këtu, me të majtën mban ritmin që vjen si përcjellje e butë melodike në “Ballade pour Adeline” të Paul de Senneville. Tingujt magjikë të Valsit në A-mol të Chopinit i lëkund me një lëvizje të kujdesshme kur dy taste ngjitur njëra-tjetrës i shtyp me gishtat e një dore. Nga këtu formësohet imazhi i një pianisteje të suksesshme në të ardhmen. 11-vjeçarja Aria Elize Bulliqi veçse ka nisur rrugëtimin.

Stacioni i fundit në skenën ndërkombëtare ka qenë gara ndërkombëtare e pianos “Aegio”. Aty pianistja 11 vjeçe ka fituar vendin e parë në grupin C që përfshin garuesit 11 dhe 12-vjeçar. Në fazën preliminare të garës, fitorja e saj ka qenë përfundimtare në kategorinë ku ka garuar. Shpërblimi ka qenë interpretimi në një gala koncert në qytetin e muzikës klasike në Vjenë.

Veprat e luajtura në studion ku vijon mësimet në piano do të dorëzoheshin në formë audio-incizimi në adresë të “Aegio International Piano Competition”.

Të enjten para publikut në sallën koncertale “Kaisersaal” në Vjenë ajo ka interpretuar veprat tradicionale për piano “Blue Mountain Waltz”, “Vezba Bayern”, “Lemon Allegred”, “Etude”, “Turkish March” të Mozzartit e “Moonlight Sonata” të Beethovenit. Krejt në fund ka interpretuar edhe një pjesë tradicionale shqiptare: Instrumentalin e këngës popullore “Ani mori nuse”.

Kjo nuk është hera e parë që ajo ka luajtur në skenën ndërkombëtare.

Gjatë rrugëtimit të saj si pianiste ka marrë pjesë në koncerte e festivale në Evropë.

Në vitin 2022 ka fituar vendin e parë në festivalin “Franz Listz” në Spanjë. Po në të njëjtin vit, Aria ka marrë pjesë edhe në garat rajonale. Ka fituar vendin e tretë në festivalin “Tempo” në Gjirokastër, vendin e dytë në festivalin “Epta” në Tiranë dhe vendin e tretë në festivalin
“Pjetër Gaci” në Shkodër.

E përkushtuar në pasionin e saj për pianon, vendin e dytë e fitoi në festivalin “Tiziano Rossetti” në Lugano të Zvicrës. Vitin e kaluar në Angli mori çmimin nderi në “Medici International Music Competition” dhe “Amadeus International Music Awards” në Gjenevë. Pianistja 11-vjeçare ka marrë pjesë edhe në koncertin “Danubia Talent” në Budapest, ku kishin qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës atje.

Për sukseset e saj dëshmon edhe rezultati në “Tallinn Piano & Choral Olympic Competition” në Estoni ku fitoi vendin e tretë dhe medaljen e bronztë në vitin 2023 në kategorinë e saj për piano.

Suksesin e saj e ka bërë të ditur fillimisht mësuesja e pianos, Agnesa Gërbeshi.

“Kosova me fitore në Vjenë, Austri. Aria Elize Bulliqi, një pianiste 11-vjeçare nga Prishtina, ka arritur sukses në garat më të njohura pianistike, AEGIO International Piano Competition - Europe. Në mesin e shumë shteteve, ajo fitoi vendin e parë, duke përfaqësuar Kosovën tonë”, ka shkruar Gërbeshi.

Të enjten gjatë ditës pianistja Aria Elize Bulliqi është pritur nga ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana.

“Në Ambasadën e Kosovës në Vjenë mirëpritëm pianisten 11-vjeçare nga Prishtina, Aria Elize Bulliqi, e cila ka arritur vendin e parë në garat pianistike, AEGIO International Piano Competition – Europe. Aria, e shoqëruar me profesoreshën e saj, znj. Agnesa Gërbeshaj, dhe nënën e saj, ishte shumë e lumtur dhe plot emocione për performimin që do të jetë në Vjenë. Në emër të Ambasadës i dëshiruam suksese dhe e falënderuam për përfaqësimin dinjitoz”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Austri në rrjete sociale.

Fituesit e çmimeve që shpërblehen me recitale, prej të cilëve ishte edhe pianistja nga Kosova, ishin bërë të ditur në korrik të vitit të kaluar. Aria Elize Bulliqi kishte dalë e para në grupin C në kategorinë “Vienna Regional Competition”. Gara e përmasave botërore përfshin shumë shtete që futen në kategori të ndryshme në bazë të shteteve prej nga vijnë.

Një pjesë të garuesve i pret finalja. Finalistët shpallen më 25 dhe 26 korrik, të cilët përfitojnë koncerte në kuadër të “BAMA International Music Festival” më 25 dhe 26 korrik në “Villa Medici Giulini Theatre” dhe “Teatro San Babila” në Milano të Italisë.

Aria ka qenë njëra prej konkurrenteve që ia ka dalë mbanë dhe ka siguruar qysh në nisje fitoren e saj. Ka nisur të merrej me muzikë në moshën pesëvjeçare. Gjatë rrugëtimit të saj ka marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale në vend, rajon dhe në garat evropiane. Qysh kur nisi të marrë pjesë në gara, në vitin 2021, mori çmimin e parë absolut në festivalin “Artisti i Ri” në Tetovë, si dhe vendin e tretë në festivalin “Pianisti i Ri” në Prizren dhe në “Ars Kosova”.