Kulturë

Pianisti Dino Imeri me kryevepra gjen harmoninë e lirinë në muzikë

Për pianistin Dino Imeri nga Maqedonia e Veriut muzika është gjithçka. Një medium universal, që i lidh njerëzit, por edhe tek i cili gjejnë gjithçka që u duhet. Vetë ai e ka me rëndësi që të përçojë emocione nëpërmjet muzikës pa e kufizuar veten. Një interpretim të tillë ia ka dhuruar edhe Prishtinës

Që në fillim të interpretimit të Dino Imerit vërehet ngjyrimi artistik që ai ua jep veprave të njohura. Emocionet e ndjenjat nuk i kursen edhe në veprat të cilat i ka kompozuar vetë. E rëndësishme për të është që kurdo që i jepet mundësia nëpërmjet muzikës t’i shprehë emocionet. Beson se nëse luan një program që ai e ka për zemër, edhe publiku do ta ketë më të lehtë që të krijojë lidhshmëri me punën e tij. Kështu ishte edhe të hënën mbrëma. Imeri ishte mysafir i radhës në kuadër të edicionit të 11-të të “Chopin Piano Festit”. Edicioni i sivjetmë nisi më 30 maj dhe përfundon më 30 qershor.

Dino Imeri njihet për punën e tij në muzikën klasike, si dhe në një larmi zhanresh të ndryshme. Ai ka performuar me Filharmoninë e Maqedonisë, Filharmoninë e Sofjes, Orkestrën “JMM”. Ka perfomuar në shumë recitale në shumë vende evropiane dhe festivale prestigjioze, si në “Vatroslav Lisinski” në Zagreb të Kroacisë, “Schloss Esterhazy” dhe “Liszt Zentrum” në Austri, “Piano Plage Festival” në Francë, në Festivalin e Lubjanës, Festivalin Veror të Ohrit, Festivalin Veror të Shkupit dhe “Interfest” në Manastir e Strugë, si dhe në organizime të tjera.

Koncertin në Prishtinë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e nisi me “Rapsoditë dhe valset” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms. Mbrëmjen e vazhdoi me kompozitorin hungarez Franz Liszt. Interpretoi “Rapsodinë hungareze nr. 12”. Me pas solli një kompozim të vetin, inspiruar nga vepra të Liszt – “Rapsodinë hungareze nr.15” dhe “Rakoczy-March”.

Dino Imeri ka thënë se për të është kënaqësi që rikthehet në Prishtinë. Ka treguar se ka pranuar ftesën me kënaqësi, pasi për të “Chopin Pino Festi” është një mundësi shumë e mirë që njerëzit të perfomojnë dhe të shprehen, të ndiejnë anën humane të tyre në këto kohëra sfiduese.

“Një koncert me rapsodi dhe valse, një koncert i përgjithshëm, por në të njëjtën kohë një formë që të ofron më shumë mundësi për shprehje dhe për liri në muzikë. Nuk është një program shumë kontrollues, është më shumë i mbushur me emocione, ndjenja, një lloj programi që unë me të vërtetë e dua”, ka thënë Imeri në anglisht. Veprat që i luajti ka kohë që janë në repertorin e tij, megjithatë e ka sfiduar veten me Frédéric Chopinin. Ishte hera e parë për të, pas një kohe të gjatë që ka luajtur diçka nga kompozitori polak. Nga Chopini solli “Waltz op.34 nr.1 A-flat-major”, “Waltz op.64 no.2 c-sharp-minor”, “Waltza op.64 nr.1 ‘Minute Waltz’”. “Zakonisht nuk luaj shumë vepra të tij, por ndoshta kjo do të më motivojë që ta kem në repertor”, ka thënë 31-vjecari, i cili koncertin e vazhdoi me një kompozim të vetin. Solli veprën “Sentimental Waltz (from ‘Reflection’)” për ta përfunduar koncertin me “La Valse” të kompozitorit francez, Maurice Ravel.

Image

“Një koncert me rapsodi dhe valse, një koncert i përgjithshëm, por në të njëjtën kohë një formë që të ofron më shumë mundësi për shprehje dhe për liri në muzikë”, ka thënë pianisti Dino Imeri për programin, me të cilin iu prezantua publikut në “Chopin Piano Fest”


Sipas pianistit Dino Imeri, muzika tejkalon gjithçka, është një medium universal, shumë i rëndësishëm, që i lidh njerëzit, pasi që ka “brenda gjithçka që na duhet dhe gjithçka që do të na duhet çdoherë”.

“Jetojmë në kohë që janë shumë të vështira, jetojmë mbrapa dyerve të mbyllura, nëpërmjet internetit, ekraneve, rrjeteve sociale. Kjo është jetesa jonë tani, fatkeqësisht. E të vish në koncert është një përkujtim se ka më shumë në jetë sesa një ekran me fotografi e fjalë”, ka thënë Imeri.

Në mesin e atyre që ndoqën koncertin e tij ishte edhe pianistja kosovare Pranvera Hoxha. Për të kjo ishte hera e parë që e dëgjoi live pianistin nga Maqedonia e Veriut. Nuk u zhgënjye nga pritjet që i kishte.

“Më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Një pianist shumë i formuar për moshën e re që ka, gjithashtu edhe një teknikë shumë e mirë, një tingull shumë i butë, i bukur. Më ka lënë përshtypje se secilën epokë të veprave e përshtati me karakterin e po atij kompozitori që e ka kompozuar. Secilit ishte munduar, ashtu edhe si duhet, t’ia gjejë ngjyrat dhe karakteristikat”, ka thënë ajo. Ka falënderuar organizatorët e stafin që ia kanë mundësuar që nga afër të përjetojë muzikalitetin e tij.

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Festit”, pianistja Lejla Pula ka theksuar se Dino Imeri është një nga pianistet më të mirë nga Maqedonia e që ka arritur edhe karrierë ndërkombëtare.

“Krahas rapsodive dhe valseve nga kompozitorët Brahms Litzs, Chopen, dhe nga Brahama, në fund ai shpalosi edhe një vepër të veten, pasi që përveçqë është pianist i jashtëzakonshëm, është edhe kompozitor i njohur dhe është shumë aktiv dhe shkon edhe paralelisht me koncertimet e tij”, ka thënë ajo.

Koncerti i radhës në kuadër të “Chopin Piano Festit” është të mërkurën me studentë të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës. Do të interpretojnë pianistët: Dafina Kerleshi, Poema Zhaveli, Melos Buza, Viola Sylejmani dhe Adea Mala në kornë.