EXPRESS

Festë për muzikën

Ka pak fenomene që e zotërojnë aftësinë për të kapërcyer kohën dhe për të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin aq sa forca e muzikës. Si një gjuhë universale, muzika hyn në skutat më të thella të mendjes. Ngjall kujtime të fjetura e bashkon kultura.

Për këtë magji që muzika e përçon u festua të mërkurën, më 21 qershor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Në amfiteatrin e pishinës së Gërmisë filloi mbrëmja e në skenë u ngjitën bende të njohura vendore e edhe të huaja. Ashtu si muzika e bën të mundur dallimet u shpërbënë edhe te publiku. Të rinj e të reja , të moshuar e njerëz të profesioneve të ndryshme ishin bërë bashkë për ta shijuar muzikën si pjesë e programit të ngjarjes së organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Data 21 qershor përkon edhe me solsticin e verës dhe nata e gjatë filloi me tingujt e muzikës flameko interpretuar nga duo José Palomo dhe Raphawl Faÿs. Dyshja nga Franca e falënderoi publikun për t’ia lënë skenën rock bendit të njohur të skenës në vend “Asgjë Sikur Dielli”. “Ma leht’ pa dhimbje”, “Ndoshta”, “Një grimcë ti, një grimcë unë” dhe “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” ishin vetëm disa prej këngëve të cilat frontmeni i bendit, Alban Nimani, nuk i këndoi i vetëm. Publiku i bashkohej njëzëri.

Mes këngësh Nimani bënte thirrje për dashuri dhe komunikimin me publikun e pati gjatë tërë performancës. Ai ka thënë se dashuria në të gjitha format është zgjidhje për çdo problem.

“Unë personalisht mendoj se duhet ta shfrytëzojmë çdo moment që e kemi duke u kënaq, me i këndu dashurisë, muzikës dhe gjërave të mira sepse asnjëherë nuk i dihet. Një telefonatë mundet me t’i shkatërru të gjitha, tërë jetëssi është më së miri. Kjo mund të jetë metaforë edhe për dashurinë, edhe për shtetin dhe çdo gjë tjetër të cilën mund ta humbim. Kontakti sonte me publikun ishte i mrekullueshëm,ishte publik i ri që kanë nevojë për dashuri dhe e kuptojnë dashurinë dhe e kaluam mirë sot”.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzikës në këtë mënyrë ka thënë se e ka bërë të lumtur. Për muzikën se është urë lidhëse midis njerëzve, kulturave dhe secilit pa dallim nacionaliteti, religjioni, orientimi seksual e race.

“Po mendoj që është një ditë e mirë, muzika është gjëja më e mirë që na ka dhënë zoti. Komunikimi më i mirë me njerëzit, edhe në situatat më të vështria muzika është lidhja ndërmjet njerëzve dhe që i balancon gjërat”, tha tutje Nimani.

Pas “Asgjë sikur dielli” në skenë u ngjit këngëtari Dren Abazi, i cili publikun e gjeti duke duartrokitur për të vazhduar ashtu gjatë tërë performancës së tij. Edhe Abazi i këndoi dashurisë. Përpos këngëve të tij interpretoi edhe këngën “Lamtumirë” të Muharrem Qenës dhe e përmbylli me këngën e famshme italiane të fundshekullit të 19-të “Bella Ciao”.

Ai ka thënë se mbrëmja u kthye në befasi të këndshme për të. Ka theksuar se Prishtinës po i mungojnë ngjarje të tilla kulturore.

“Mua në Prishtinë çdoherë më merr malli të luaj sepse kam përshtypjen që Prishtina e ka zbehë pak jetën kulturore dhe besoj se ka mungesë të koncerteve e shfaqjeve, po flas në përgjithësi në skenën artistike. Kur ndodhë diçka e bukur unë jam shumë entuziast edhe i lumtur. Kjo sonte dëshmoi që Prishtina në të vërtetë ka kulturë të muzikës, të koncerteve, ka njerëz të bukur, ka rini të cilët e kanë një etje për ngjarje të tilla, për zbavitje e kënaqësi”.

Sipas tij, e bukura e tërë koncertit qëndroi te publiku, pjesa më e madhe e të cilit ishin të rinj e këndonin bashkë me të.

“Ne po plakemi dhe publiku sa po vjen e po bëhet më i ri e më i bukur. Kjo është kënaqësi vërtetë e madhe. Po i dinë edhe këngët. Kjo ngjarje ishte e mrekullueshme në një vend i cili është shumë i bukur dhe jo shumë larg qendrës”.

Rinia e dominoni mbrëmjen, por të pranishëm pati prej moshave të ndryshme. Pianistja Besa Luzha ka thënë se energjia e të rinjve po reflekton edhe te më të moshuarit duke bërë që të vallëzojnë tok.

“Edhe ne e shfrytëzuam rastin pasi që i kemi edhe këta dy kitaristët me të cilët do ta mbajmë koncertin nesër në Sallën e Kuqe. Me që ishte Dita Ndërkombëtare e muzikës e shfrytëzuam rastin t’i prezantojmë këtu. Edhe unë si më në moshë njëmend u kënaqa edhe ndejta deri vonë. Edhe rinia janë kënaqur”.

Nata u përmbyll nën tingujt e muzikës elektronike të dyshes “Secret 47” për ta shënuar në këtë mënyrë edhe hapjen e sezonit veror në Komunën e Prishtinës. Këtë e ka treguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Kemi organizuar një ngjarje këtu së bashku me Bardhin, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme këtu duke përgatitë krejt pishinën e Gërmisë që të jetë e gatshme për verën e 2023-tës. Këtu e kemi një ngjarje të mrekullueshme sot me bende të ndryshme vedore e edhe ndërkombëtare. Kemi edhe muzicientë prej Spanjës si kitaristë fantastik dhe ju kemi treguar që qytetarët e Prishtinës janë mikëpritës, janë njerëz fantastik e kreativ dhe po kalojnë kohë të mrekullueshme sot këtu”.

Koncerti ishte pa pagesë dhe për të pranishmit u shërbye ushqim e pije po ashtu falas.