Shtojca për Kulturë

Pianoja e kristaltë kulmon me dashurinë e pashtershme për Listzin

Pianisti Istvan Lajko në “Chopin Piano Fest”

Pianisti Istvan Lajko ka ardhur në “Chopin Piano Fest” për herë të tretë, pas edicionit të vitit 2014 dhe atij 2019

Tingulli i tij i pianos përshkruhet i kristaltë dhe me këtë lloj tingëllime, Istvan Lajko është rikthyer për të tretën herë në Prishtinë, në një rrugëtim që e ka shpënë audiencën në magjinë e Rachmaninoffit e të Franz Schubertit për të kulmuar me Listzin, një “dashuri që nuk shteron”

Skena e ndriçuar me të blertë dhe tingujt e ngadaltë të pianos, teksa në hije duket silueta e gishtave të hollë të pianistit hungarez Istvan Lajko e kanë karakterizuar natën e katërt të festivalit “Chopin Piano Fest”, i cili sivjet organizon edicionin e 15-të. 

Nën kërcitjet e tingujve me ngjyra të ëmbla të pianos, në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare kanë gëluar jo pak dashamirës të artit, derisa janë luajtur në dy pjesë copëza të përzgjedhura të kompozitorëve në formë recitali.

Pianisti Istvan Lajko, i cili është fitues i Çmimit Junior Prima, ka kryer studimet në Akademinë Liszt në Budapest, në kolegjet muzikore në Hanover dhe Weimar, si dhe në Shkollën Juilliard të Muzikës në New York dhe në festival vjen për herë të tretë, pas edicionit të vitit 2014 dhe atij 2019.
Me tinguj shumë të lehtë e ka nisur mbrëmjen duke e performuar copëzën “Variations on a Theme of Corelli Op. 42” të Sergei Rachmaninoffit dhe pas asaj edhe “3 Piano Pieces D. 946” nga kompozitori Franz Schubert. Në pjesën e dytë ka luajtur “Variations on a Theme of Bach: Weinen, Klagen, Sorgen, Zagen S. 180” të kompozitorit hungarez Franz Liszt, “3 Petrarch Sonnets S.161/4-6” dhe krejt në fund, pas një duartrokitjeje të gjatë, ka luajtur “Hungarian Rhapsody”.

Më 2019 ai ishte prezantuar para publikut kosovar me vepra të kompozitorëve Mozart, Franz Liszt e Tchaikovsky, si dhe me veprën “15 Hungarian Peasant Songs”, të frymëzuara nga folklori hungarez me aranzhim për piano të kompozitorit Bela Bartok.

Në këtë edicion, pianisti ka sjellë një recital të gjatë me misionin që t’i tregojë audiencës se sa “të rralla dhe të mrekullueshme” janë veprat të cilat i ka luajtur e edhe Prishtinën e ka vlerësuar lart

Në këtë edicion, pianisti ka sjellë një recital të gjatë me misionin që t’i tregojë audiencës se sa “të rralla dhe të mrekullueshme” janë veprat të cilat i ka luajtur e edhe Prishtinën e ka vlerësuar lart.

“Po vij për herë të tretë në ‘Chopin Fest’ pas viteve 2014 dhe 2019 dhe gjithmonë kaloj shumë mirë këtu. Është një qytet i mrekullueshëm, një audiencë e mrekullueshme, njerëz zemërgjerë dhe ushqim fantastik. Ishte program i gjatë dhe jam lodhur goxha, por shpresoj të kem mundur të transmetoj tek audienca atë që kam dashur ta tregoj për këto pjesë, sa të mrekullueshme, dhe të rralla janë këto pjesë nga Liszt dhe nga Schuberti dhe uroj t’u kenë pëlqyer, ndonëse ishte pak e gjatë, por dukeshin shumë entuziastë në fund të programit, kështu që jam i lumtur dhe kalova tepër mirë në skenë”, ka thënë pianisti hungarez Istvan Lajko për KOHËN në fund të koncertit.

Në një bisedë të shkurtër ka treguar historinë e lidhjes së tij personale me veprat që ka interpretuar megjithëse është përballur me sfida gjatë viteve të fundit. Duke rikthyer emocione të tubuara gjatë pandemisë, Lajkó ka folur për një repertor që për të është më shumë se thjesht një program koncerti.

“Gjithmonë më kanë pëlqyer variantet me temë të Corellit nga Rachmaninoff, ka një kohë të gjatë që kam qenë duke i studiuar gjatë pandemisë, meqë koncertet qenë anuluar, dhe më në fund më krijohet mundësia t’i performoj dhe nuk ka qenë e lehtë të mësoj diçka para një koncerti që anulohet, detyrohesh t’i riushtrosh pjesët për koncertet e tjera që prapë anulohen”, ka thënë ai në vazhdim.

Pianisti ndalet me emocion te një cikël i veçantë që më në fund ka arritur ta përmbyllë në skenë, si dhe te disa pjesë të tjera të pazakonta, por shumë të dashura për të, që rrallë përfshihen në repertorët e zakonshëm. Një reflektim mbi përvojën e të interpretuarit të Schubertit dhe një “dashuri që nuk shteron” për Lisztin përmbyllin rrëfimin e tij.

“Tri pjesët e Schubertit me piano janë botuar pas vdekjes së tij dhe mendoj se ato janë perla të Schubertit, të cilat ia vlen t’i performosh dhe nuk luhen shpesh, në krahasim me improvizimet dhe sonatat e tij, si pjesë më të famshme, prandaj vërtet më pëlqyen këto tri pjesë, edhe pse merr të paktën gjysmë ore për t’i luajtur, por audiencës i pëlqeu gjithashtu”, ka thënë me plot entuziazëm.

Sipas tij, Liszt është “dashuri e pashtershme”, duke marrë parasysh se është nga Hungaria dhe tregon se “gjithmonë mundohet t’i përfshijë edhe disa pjesë të tij”.

Me tinguj shumë të lehtë e ka nisur mbrëmjen duke e performuar copëzën “Variations on a Theme of Corelli Op. 42” të Sergei Rachmaninoffit dhe pas asaj edhe “3 Piano Pieces D. 946” nga kompozitori Franz Schubert

Në një reflektim pas interpretimit të tij në festival, ai ndalet te një nga figurat më sfiduese dhe më të dashura për të në historinë e muzikës: Fryderyk Chopin. Lajkó ka folur për kompleksitetin e thellë të muzikës së Chopinit.

“Chopin është mjeshtër fantastik i pianos, çdo herë është e vështirë të gjesh mënyrën e duhur për ta luajtur atë, se çdo kush mendon për vete se po e luan versionin më të mirë të Chopinit, por mua gjithmonë më duhet kohë të thellohem në punë të tij, gjithmonë duhet ta luaj një ose disa pjesë për t’u thelluar në muzikën e tij”, ka treguar ai.

Qasjen e Chopinit e krahason me atë të Lisztit, duke e përshkruar këtë të fundit si më të drejtpërdrejtë.

“Chopini është shumë i vështirë në krahasim me Lisztin ta zëmë, sepse ai gjithmonë i dinte cilat pjesë ishin të parat. Me Chopinin kurrë nuk mund të parashikosh andaj duhet t’i krahasosh versionet e ndryshme, të futesh komplet në botën e tij muzikore, për ta ndier çdo detaj të qasjes së tij poetike në piano”, ka thënë ai.

Pianistja Lejla Pula, drejtoreshë artistike e Festivalit ka thënë se pianisti Lajko është tashmë mik i Festivalit. 

“Lajko është i mrekullueshëm, profesor e pianist që luan në krejt botën dhe jam shumë e lumtur që përsëri muzikën e tij kishim mundësi ta shijojmë. Këtë lojë pianistike me këtë tingëllimë kaq të pastër, e të kristaltë”, ka treguar thënë ajo për KOHËN.

Të pranishëm në audiencë kanë qenë edhe studentë të pianos, të cilët, sipas drejtoreshës, janë kënaqur duke i dëgjuar veprat, posaçërisht veprat e Franz Lisztit dhe të Rachmaninoffit dhe ka treguar se ky është edhe misioni i tyre si organizatorë.

“Mendoj se misioni ynë i organizimit është pikërisht ky, që t’i biem këto vlera në Prishtinë, që Prishtina të frymojë si një kryeqytet i cili i kultivon edhe vlerat e mirëfillta, shumë të larta të muzikës klasike”, ka thënë ajo.

Festivali vazhdon tutje për t’i mbajtur të gjitha 15 koncertet e planifikuara, me artistë të njohur ndërkombëtarë, në mënyrë që të sjellë te publiku një laramani zhanresh të muzikës klasike.