Dëgjuesit kroat do t’i shpaloset rrëfimi me plot histori, detaje e të pathëna deri më tani për Petrit Çekun. Nis që nga fëmijëria, rrugëtimi i tij në botën muzikore për të arritur kulmin, aty ku është sot.
Vetë ai është personazhi kryesor i radiodokumentarit te Radioja e Kroacisë, që në thelb zbërthen botën e tij të mrekullive. Është titulluar thjesht: “Bota e mrekullive muzikore e Petritit”.
Autor është kritiku i njohur i muzikës Branimir Pofuk, i cili ka vite që ka shkruar për Çekun si kitarist kulmor, i cili jeton në Kroaci, ku ka një numër të madh fansash. Dokumentari, ndër të tjera, ngërthen pjesë të incizuara nga koncertet e ndryshme të Çekut e po ashtu edhe intervista.
“Petritov svijet glazbenih čudesa” do të transmetohet sot në kuadër të ciklit të radiodokumentarëve “Oda-birano”. Sipas Pofukut, ky është një prej cikleve më të mira dhe reprezentative në Radio-Kroacisë dhe tashmë disa produksione kanë marrë çmime ndërkombëtare prestigjioze për radiodokumentarë.
Në një përshkrim që i bëhet këtij dokumentari në faqen zyrtare të “Hrvatski Radio”, thuhet se cikli “Oda-birano” me krenari prezanton premierë, rrëfimin dokumentar e muzikor të Branimir Pofukut që sjell botën e mrekullive të Petrit Çekut me performanca nga skenat koncertale.
Muajin e kaluar Çeku u bë pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Evropë, “Night of the Proms” bashkë me emra të mëdhenj të muzikës në botë, në mesin e të cilëve edhe Seal, Millow, John Miles, Bryan Ferry e shumë të tjerë.
“Petriti në të vërtetë ka qenë ylli më i madh i festivalit dhe pati mbrëmjen e vet me përzgjedhjen e tij të veprave dhe muzikantëve të mrekullueshëm”, ka thënë Pofuk.
Çeku u bë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit prestigjioz të muzikës kamertale “Zagreb Kom 13”, që u mbajt prej 12 deri më 20 tetor....(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)