Ndjeshmëria dhe ekspresiviteti i mprehtë i Petrit Çekut bëri dhe një herë për vete audiencën vendore. Edhe pse i vetëm me kitarën e tij në mes të kishës, përshtypja se një orkestër komplekse po fshihej diku, mbase brenda vetë kitarës së tij, qe ndjesia e parë. Dhe po ajo e mban publikun deri në fund. Me maestron e kitarës, ka kulmuar i pari edicion i “Prishtina Guitar Week”
Sa herë që Petrit Çeku mban koncert, kurdo kudo, në cilindo qytet e sado shpesh, ka fuqinë të shndërrohet në ngjarje madhore në skenën vendore. Rrëfimi i tij nëpërmjet kitarës është i pashtershëm. Midis një kalendari të ngjeshur koncertesh anekënd botës, maestroja në itinerarin e tij ka futur edhe Prishtinën, në të parin edicion të “Prishtina Guitar Week”. E ka përmbyllur atë me koncert solistik në Kishën e Shën Ndout, të premten mbrëma dhe hapësira ka qenë e vogël për krejt publikun e interesuar. Njësoj si në dy koncertet e tija gjashtë muaj më parë në Prizren e në Mitrovicë.
Ndjeshmëria dhe ekspresiviteti i mprehtë i tij bëri dhe një herë për vete audiencën vendore. Edhe pse i vetëm me kitarën e tij në mes të kishës përshtypja se një orkestër komplekse po fshihej diku, mbase brenda vetë kitarës së tij, qe ndjesia e parë.
Artisti i afirmuar ndërkombëtarisht, i cilësuar nga kritika edhe si “interpretues pa mundim, me një tingull të fortë dhe projektues”, e dëshmoi jo vetëm mjeshtërinë për të cilën shquhet, por edhe anën mbase më të fuqishme të tij, ndjeshmërinë në lojë. Mbi një orë ka zgjatur koncerti i cili sjell në përjetime të pakoha.
Performancën e ka nisur me paraqitjen e tij në skenë nën ovacione e duartrokitje të bujshme për t’u venitur ngadalë nga një heshtje e rëndë, si respekt për veprën hyrëse – “Sonatën e dytë” të Johann Sebastian Bachut për violinë, të transkriptuar për kitarë nga Valter Deshpali.
Nis magjishëm me “grave” e pastaj vazhdon me “fuga” dhe “largo” që tingëllojnë krejtësisht të natyrshme këtu, pavarësisht polifonisë së tyre që kërkojnë një lloj harmonia perfekte. E përfundoi me gjallërishëm me efektet e saj të jehonës që duket pothuajse ironike në qëllim. Çeku e formëson një vepër të tillë sikur të jetë shkruar për kitarë që në zanafillë.
“Gjashtë suitat për violonçel” të Bachut, të transkriptuara për kitarë nga violonçelisti Valter Deshpali, do t’i ringjallte magjishëm në majin e sivjetmë Muzeun e Mitrovicës në një përjetim të jashtëzakonshëm, në të parin koncert për të në qytetin verior. “Pa ju këto suita nuk do të ishin të gjalla. Prandaj për tash e 300 vjet janë të gjalla, për shkak të njerëzve si ju. Faleminderit!”, kishte qenë paralajmërimi i tij. Me të njëjtin program, dy ditë më vonë, në maj do të ndalej edhe në qytetin e tij të lindjes, në Prizren në Katedralen e “Zojës Ndihmëtare”. Magjinë e Bachut dhe jo vetëm e ka risjellë edhe tash në Prishtinë ku për herë të fundit interpretoi në janar, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës në koncertin simfonik, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Asokohe risi për publikun ishte premiera botërore e “Koncertit për kitarë” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, e cila erdhi në interpretim mjeshtëror të Çekut, nën drejtimin e dirigjentit izraelito-gjerman Maayan Franco. Po aty do të interpretonte edhe “Koncerti i Aranjuezit” nga Joaquín Rodrigo për të vazhduar me simfoninë e nëntë të Antonín Dvořák, “Nga bota e re”.
Si një botë e pafundme tingujsh ka përmbyllja që Çeku ia ka bërë “Prishtina Guitar Week”.
“I kam mbyllë sytë, isha i ulur diku nga fundi dhe i kam shijuar tingujt që Petriti ishte në gjendje t’i luaj, më bënin të mendoj ishte instrument tjetër e jo kitarë!”, ka thënë Astriti Ismaili, artist i njohur për vepra publike tek ka shtuar se është ndjerë i privilegjuar që ka mundur të ndjekë në Prishtinë performancën e një artisti të kalibrit të Çekut.
Edhe pse ishte një detyrë sfiduese si në aspektin muzikor, ashtu edhe në atë fizik, gjersa jep përshtypjen se po përpëlitej për t’u bërë një trup me kitarën e tij, Bachut i erdh fundi, e dhe publiku u relaksua pak nga vigjilenca e lartë, e domosdoshme për ta kapur rrjedhën e pjesë së parë.
“Përnjëmend është një fenomen me ardhë me e përjetu një diçka të tillë, është si të dëgjosh me dëgju një orkestër, një lloj alkimie të cilën është në gjendje vetëm ai ta bëjë”, ka thënë kantautorja Edona Vatoci.
Se sa në detaje e njeh artisti anatominë e instrumentit të kitarës, e tregoi dhe me pjesën e dytë e cila përmbante valse të Augustin Barrios, virtuozit nga Paraguai, pjesë këto të cilat përçojnë doza romanticizmi te publiku, i cili, e natyrshme, e shpërblen lojën e tij me duartrokitje e ovacione.
Në mesin e publikut ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Koncert i jashtëzakonshëm” ka qenë vlerësimi i parë i tij. “Ishin momente shumë të mira të cilat nuk i gjen mbase jo vetëm brenda kufirit të Kosovës por edhe jashtë”, ka thënë ai duke shpresuar se “Prishtina Guitar Week” si një festival i konceptuar mirë do të vazhdojë dhe në të ardhmen.
Duket se nga ideja fillestare e deri te realizimi i natës kurorëzuese, ka shkuar mbarë duke i përmbushur pritjet e organizatorëve.
“Ideja është që festivali të vazhdojë me gjeneratat e reja, por normalisht gjithmonë duke qenë mirënjohës pa fund për gjeneratat e vjetra”, ka thënë Florin Fanaj, njëri nga organizatorët e “Prishtina Guitar Week”. Ka thënë se shpreson që do të vazhdojë kështu dhe në edicionet e ardhshme.
Si një vjegëz për edicionin e radhës, ka qenë edhe vepra e fundit që ka luajtur Petrit Çeku në përmbyllje. Ka qenë klasikja “Choro de Saudade” të Barrios që përkthehet në “Lëngim për nostalgjinë”, e cila zhyti publikun në një atmosferë melankolike nën tingujt e kitarës.
Pas përfundimit, artistit iu desh një pauzë disasekondëshe si për t’u kthyer në realitet nga udhëtimi me kitarë, me duartrokitje e ovacione që e kthyen në skenë disa herë radhazi. Edhe si një shenjë për koncerte të radhës në Kosovë.