Komisioneri për Tregtinë i Bashkimit Evropian, Marosh Shefkoviq, ka thënë të hënën se bisedimet tregtare me SHBA-në do të vazhdojnë, porse blloku evropian duhet të jetë “i përgatitur për të gjitha rezultatet”, pas shpalljes së papritur të tarifave prej 30 për qind nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai i ka bërë këto komente teksa ministrat evropianë të Tregtisë u mblodhën të hënën gjatë ditës në Bruksel për të diskutuar rreth politikave tarifore të Washingtonit zyrtar, ka raportuar AP.
“Nuk mund ta imagjinoj që të largohemi pa një përpjekje të sinqertë”, ka thënë Shefkoviqi para gazetarëve.
“Duke e thënë këtë, pasiguria aktuale e shkaktuar nga tarifat e pajustifikuara nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe për këtë arsye duhet të përgatitemi për të gjitha rezultatet, përfshirë, nëse janë të nevojshme, kundërmasa të mirëpeshuara dhe proporcionale për të rivendosur ekuilibrin në marrëdhënien tonë tregtare”, ka theksuar ai.
BE-ja është partneri më i madh tregtar i Amerikës dhe njëkohësisht blloku më i madh tregtar në botë.
Ndërkohë, Brukseli zyrtar ka vendosur të pezullojë tarifat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane që do të hynin në fuqi të hënën, duke shpresuar se shtyrja e këtij vendimi do t’i jepte më shumë kohë e hapësirë arritjes së marrëveshjes tregtare me administratën Trump deri në fund të muajit.
Kundërmasat e BE-së, e cila i ka negociuar dhe vazhdon t’i negociojë marrëveshjet tregtare në emër të 27 vendeve anëtare, do të shtyhen deri më 1 gusht.
E vendimi i SHBA-së do të prodhojë pasoja për qeveritë, kompanitë dhe konsumatorët në të dyja anët e Atlantikut.
Tarifat, të cilat do të vendosen gjithashtu edhe ndaj Meksikës, mund t’i bëjnë mallrat me origjinë evropiane që hyjnë në Amerikë gjithnjë e më të shtrenjta, duke filluar nga djathi francez, produktet prej lëkurës italiane, pajisjet elektronike gjermane dhe farmaceutikët spanjollë, si dhe të çrregullojnë ekonomitë e disa prej vendeve të kontinentit të vjetër.