Gjatë pushimit veror shumë prindër në pamundësi se ku t’i lënë fëmijët gjatë kohës që janë në punë, i angazhojnë ata në aktivitete të ndryshme. Përveç lehtësirave për prindër, këto aktivitete janë të nevojshme dhe shumë të dobishme edhe për vetë fëmijët, që pushimet verore t’iu bëhen sa më atraktive përmes lojërave të ndryshme, e që janë një mundësi e mirë edhe për të mësuar gjëra të reja.
Në mes të gjelbërimit dhe ajrit të pastër, larg teknologjisë, fëmijët kanë zgjedhur një mënyrë ndryshe për të kaluar pushimet verore, me joga në natyrë.
Nën kujdesin e instruktores dhe gjatë qëndrimit ditor, fëmijët jo vetëm që mësojnë pozicionet bazë të jogës, por zhvillojnë edhe aftësi për përqendrim, frymëmarrje të thellë dhe ndjeshmëri ndaj natyrës.
Aktivitetet zhvillohen çdo mëngjes, në orët kur ajri është më i freskët dhe energjia natyrore më e pastër. Përveç që mësojnë për trupin e tyre, fëmijët mësojnë edhe për respektin ndaj mjedisit dhe bashkëmoshatarëve.
“Fillimisht fillojmë me një teknikë të thjeshtë të frymëmarrjes ku për fëmijët është më e lehtë për t’u larguar nga çdo gjë që i shqetëson dhe i përqendron në të tashmen dhe i bën të ndihen më të qetë. Pastaj i praktikojmë disa pozicione të jogës. Disa prej pozicioneve sot ka qenë i pemës që i ndihmon të kenë një ekuilibër. Pozicioni që i sjell liri në trupin e tyre. Dhe në fund është përsëritja e disa fjalive të thjeshta i ndihmon shumë për vetëbesimin dhe qetësinë në përditshmërinë e tyre”, thotë Jehona Gashi, instruktore e jogës dhe meditimit.
Aktivitetet verore ndihmojnë fëmijët edhe të qëndrojnë larg teknologjisë, që sot është bërë pothuajse e pandarë nga jeta e tyre.
“Është e rëndësishme për shkak se kohëve të fundit po e vërejmë që fëmijët po rrinë shumë në telefon dhe është e rëndësishme të fillojnë ditën me një aktivitet të jogës për shkak të mos jenë mbyllur në shtëpi por ta shijojnë natyrë dhe të mësojnë diçka”, deklaron Gashi.
Fëmijët po e shijojnë shumë jogën, por edhe të gjitha aktivitetet e tjera që i kanë gjatë ditës.
“Unë në këtë qëndrim ditor jam duke u kënaqur shumë dhe jam duke mësuar teknologji se si të bëjmë video me AI, matematikë dhe shumë të tjera. Këtu ia ka vlejtur shumë të vijmë sepse kam bërë edhe shumë shokë e shoqe të reja”, thekson Kemza Gashi.
Rika Gashit thotë se ia vlen të vish këtu.
“Këtu po kënaqëm shumë ia ka vlejtur shumë sepse po mësojmë shumë gjëra, matematikë, teknologji. Ia ka vlejtur të vijmë këtu sesa të qëndrojmë në shtëpi”, thotë ajo.
Deina Kida thotë se këtu po mëson shumë. “Unë këtë qëndrim ditor po e shijoj shumë dhe ia ka vlejtur shumë për të ardhur këtu. Po mësojmë shkencë, matematikë, gjuhë e shumë gjëra të tjera”.
“Unë i bëj ushtrimet dhe pastaj po shkoj te shtëpia e pastaj vetëm kur po vij”, theskon Unik Kida.
Ata tregojnë se cili nga aktivitetet iu pëlqen më së shumti.
“Këtu ia ka vlejtë të vijmë shumë sesa të qëndrojmë në shtëpi nëpër telefona e TV. Këtu kam mësuar shumë si matematika që më pëlqen shumë”, deklaron Amar Alaj.
“Kam ardhur në këtë qendër sepse nuk kam dashur të qëndroj vetëm në shtëpi dhe të qëndrojmë në telefon. Aktivitetet që më pëlqejnë më së shumti janë matematika dhe anglishtja”, shton Ajen Sejdiu.
Art Hasanaj thotë se i pëlqen matematika. “Këtu kur po vij po bëj ushtrime, matematikë, anglisht, teknologji. Më pëlqen më së shumti matematika”, thekson ai.
Aktiviteti i fëmijëve fillon me joga dhe rekreacion, ndërsa gjatë ditës fëmijët marrin pjesë në aktivitete të ndryshme si anglisht me robotin Miko, punë dore, matematikë dhe fizikë, ku mësimi bëhet në mënyrë argëtuese për të shmangur ndjesinë e shkollës gjatë pushimeve.