Rrëfimi i tij nëpërmjet kitarës është i pashtershëm. Midis një kalendari të ngjeshur koncertesh anekënd botës, maestroja Petrit Çeku në itinerarin e tij ka futur edhe Prishtinën, në të parin edicion të “Prishtina Guitar Week”. E ka përmbyllur atë me koncert solistik në Kishën e Shën Ndout, të premten mbrëma dhe hapësira ka qenë e vogël për krejt publikun e interesuar.
Performancën e ka nisur me paraqitjen e tij në skenë nën ovacione e duartrokitje të bujshme për t’u venitur ngadalë nga një heshtje e rëndë, si respekt për veprën hyrëse – “Sonatën e dytë” të Johann Sebastian Bachut për violinë, të transkriptuar për kitarë nga Valter Deshpali.
Nis magjishëm duke u zgjeruar në harmoni perfekte. E përfundoi me gjallërishëm me efektet e saj të jehonës. Çeku e formëson një vepër të tillë sikur të jetë shkruar për kitarë që në zanafillë.
Si një botë e pafundme tingujsh ishte përmbyllja që Çeku ia ka bërë “Prishtina Guitar Week”.
“I kam mbyllë sytë, isha i ulur diku nga fundi dhe i kam shijuar tingujt që Petriti ishte në gjendje t’i luaj, më bënin të mendoj ishte instrument tjetër e jo kitarë!”, deklaroi artisti Astrit Ismaili.
Edhe
Petrit Çeku në Prishtinë krijon botë të pafundme tingujsh
Përmbylljen e pjesës së parë e ka bërë me Bachun të cilin e solli edhe në majin e sivjetmë në Mitrovicë e në Prizren.
Se sa në detaje e njeh artisti anatominë e instrumentit të kitarës, e tregoi dhe me pjesën e dytë e cila përmbante valse të Augustin Barrios, virtuozit nga Paraguai, vepra të cilat përçojnë doza romantizmi te publiku.
Në mesin e publikut ka qenë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Koncert i jashtëzakonshëm. Ishin momente shumë të mira të cilat nuk i gjen mbase jo vetëm brenda kufirit të Kosovës por edhe jashtë”.
Duket se nga ideja fillestare e deri te realizimi i natës kurorëzuese, ka shkuar mbarë duke i përmbushur pritjet e organizatorëve të “Prishtina Guitar Week”.
“Ideja është që festivali të vazhdojë me gjeneratat e reja, por normalisht gjithmonë duke qenë mirënjohës pa fund për gjeneratat e vjetra”, përfundoi Florin Fanaj, kitarist dhe bashkëorganizator.
Edhe
Çeku në Prizren harmonizon artin e interpretimit dhe dëgjimit me suitat e përjetshme
Si një vjegëz për edicionin e radhës, ka qenë edhe vepra e fundit që ka luajtur Petrit Çeku në përmbyllje. Ka qenë klasikja “Choro de Saudade” e Barrios që përkthehet në “Lëngim për nostalgjinë”, e cila zhyti publikun në një atmosferë melankolike nën tingujt e kitarës.
Pas përfundimit, artistit iu desh një pauzë disasekondëshe si për t’u kthyer në realitet nga udhëtimi me kitarë, me duartrokitje e ovacione që e kthyen në skenë disa herë radhazi. Edhe si një shenjë për koncerte të radhës në Kosovë.