Organizata “Anibar” në fillimet e saj, para 11 vjetësh besonte se animacioni mund të shërbente si një katalizator për të nxitur aktivizmin në shoqëri. Së fundmi i ka hyrë një misioni të ri. Beson se muzika mund të jetë një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjinë. Jazzin, stilin që nisi të zhvillohej në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX po shihet si i duhuri për diçka të tillë.
Organizata e cila vepron në qytetin perëndimor të Kosovës – organizatore e njërës prej ngjarjeve kryesore në skenën kosovare dhe jo vetëm, festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” – ka paralajmëruar themelimin e “Peja Jazz”. Është menduar që të jetë një seri koncertesh që do të mbahen më 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
“Në një kohë kur e ardhmja është e turbullt dhe për më tepër kur po testohen themelet e shoqërisë bashkëkohore, ‘Peja Jazz’ vjen si çlirim prej shablloneve e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore me dëshirën që të sjellë shpresë dhe afërsi mes njerëzve, në kohën kur distanca sociale mund t’i thellojë edhe më shumë ndarjet”, është shkruar në njoftimin e “Anibarit”.
Drejtori i kësaj organizate, Vullnet Sanaja – një nga themeluesit edhe i festivalit të filmit të animuar “Anibar” – ka thënë se “Peja Jazz” synon të nisë si një seri tradicionale koncertesh dhe ngjarjesh përcjellëse që në fokus kryesor e kanë promovimin e muzikës jazz dhe ideve të reja progresive. Ka treguar se organizimi i koncerteve në kinemanë “Jusuf Gërvalla” kishte nisur që nga viti 2015. Mirëpo tani sipas tij, janë pjekur kushtet për të filluar edhe më këtë organizim të cilin e kanë menduar që nga fillimet e punës së tyre si “Anibar”.
“Kryesisht koncertet që i kemi organizuar gjatë viteve të fundit kanë përfshirë edhe koncerte jazz. Ne e kemi parë këto vitet e fundit që ka pasur interesim të rritur për këtë zhanër në qytetin e Pejës, prandaj, edhe kemi menduar që këtë vit, marrë parasysh edhe nevojën për aktivitete kulturore ta fillojmë këtë organizim”, ka thënë ai.
Sipas tij, në kohën kur pandemia COVID-19 ka goditur skenën e kulturës gjithandej globit, organizatorët kanë dashur ta sfidojnë veten duke realizuar një ngjarje të re kulturore, që sipas tij, ka për qëllim zvogëlimin e distancës me njerëzve, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Përderisa jemi në një kohë të turbullt, ne nuk kemi vendosur ta quajmë këtë organizim një festival të parvjetshëm, ne po bëjmë një ndërhyrje këtë vit, për ta shikuar mundësinë e vazhdimit edhe në vitet e ardhshëm”, ka thënë ai. Organizimi do të mbahet në formë hibride. Numri i pjesëmarrësve në kinemanë “Jusuf Gërvalla” do të jetë i limituar gjatë koncerteve. Performancat do të incizohen dhe do të transmetohen edhe virtualisht në mediat sociale të kinemasë “Jusuf Gërvalla” dhe “Peja Jazz”.
Emra e pjesëmarrësve pritet që të bëhet e ditur ndërkohë. Deri të dielën nga “Peja Jazz” është bërë i ditur vetëm emri i kitaristit Armend Xhafer i cili do të performoj së bashku me miqtë e tij, kontrabasistin Kiril Tufekcievski dhe bateristin Viktor Filipovski. Figurimi i emrit të Xhaferit, lë të kuptojë që organizatorët janë duke mbledhur me të mirët e skenës së jazzit në Kosovës.
Kitaristi, ka thënë se dashuria për muzikën dhe qëllimi që të ndikojë pozitivisht te njerëzit e kanë shtyrë që ta pranoj ftesën.
“Besoj që të gjithë ne do të kemi kujdes të posaçëm me distancën. Edhe mbyllja totale nuk është e shëndetshme. Është kohë e vështirë dhe po luftojmë të gjejmë një mes”, ka thënë ai.
Ky edicion i parë i “Peja Jazz” po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” i “Anibarit” që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”.