Teatri i Operës dhe Baletit si gjithmonë prin në premtimet e partive politike në fushatë zgjedhore. Sivjet janë shtuar edhe premtime për ndërtesë të re të Teatrit Kombëtar të Kosovës, muze të paqes e memorial të gjenocidit, por si zakonisht, pa detaje kohore apo lokacione specifike. Janë më shumë zotime sesa pjesë të programeve të detajuara. Kurse sa i përket grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës me këtë rast, nuk është marrë asnjë parti politike. E të pyetur për këtë rast, premtohet një marrëveshje
Projektet që u janë ofruar gati dy dekadave që “ndërtohen” gjatë fushatave elektorale vijnë si pjesë e programeve të partive politike edhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Teatri i Operës dhe Baletit prin, duke vazhduar me Muzeun e Artit Bashkëkohor. Sivjet janë shtuar edhe premtime për ndërtesë të re të Teatrit Kombëtar të Kosovës, muze të paqes, muze të gjenocidit, por si zakonisht pa detaje kohore apo lokacione specifike. Janë më shumë zotime sesa pjesë të programeve të detajuara.
Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka publikuar program zgjedhor dhe në komunikim publik në fushatë kultura zë vend shkarazi. Sipas renditjes aktuale, partia e dytë për nga numri i votave, Partia Demokratike e Kosovës në programin e saj parasheh adaptimin e trashëgimisë kulturore, si promotore të vlerave identitare, për t’i shërbyer jetës bashkëkohore. Në këtë rast parashihet rritje e mbështetjes financiare për mirëmbajtjen e monumenteve dhe kthimin e tyre në atraksion turistik. Nxitja e ekonomisë kreative dhe “pavarësimi e depolitizimi i institucioneve të kulturës” janë po ashtu pjesë e këtij programi. Diplomacia kulturore zë vend në zotime duke u përmendur edhe një program i titulluar “Arti në Ambasada”. Ndërtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve Pamore hyn po ashtu te programi i PDK-së.
“Ndërtimi i shkollës së restaurimit dhe konservimit të trashëgimisë kulturore si dhe rehabilitimi i qendrave historike të Kosovës”, është pjesë e programit të kësaj partie. Ndërtimi i qendrës kombëtare të arteve performuese në Kosovë dhe ndërtimi i Memorialit të Gjenocidit në Kosovë hynë te zotimet e PDK-së.
“Kosova ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe potencial të madh për zhvillimin e artit, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Arteve Performuese. Kjo qendër do të shërbejë si një platformë për Teatrin Kombëtar, Operën, Filarmoninë dhe Baletin Kombëtar”, shkruhet në programin e PDK-së. Krejt këto o ka përmendur edhe përfaqësuesi i PDK-së në debatin për kulturën në KTV të hënën. Në debatin “Zgjedhjet në KOHË”, kandidati i PDK-së për deputet Genc Prelvukaj ka thënë se kjo parti do të krijoi kushte më të mira për artistët.
“I kemi pasqyruar nëntë pika. Fillimisht është strategia për kulturën që duhet bërë me emergjence, edukimin nëpërmjet kulturës, fuqizimi e depolitizimi i institucioneve të kulturës janë po ashtu pjesë e platformës sonë”, ka thënë ai. Sipas Prelvukajt, PDK-ja ka përcjellë gjendjen në kulturë dhe mandej ka hartuar programin.
“Disa asete të trashëgimisë kulturore mund të gjenerojnë të ardhura... Duhet shtimi i inspektorëve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë midis të tjerash ai. Programin “Arti nëpër Ambasada” e ka sqaruar si nismë që veprat e artistëve të Kosovës të vendosen në ambasadat e Kosovës nëpër botë.
Në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parashihet ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit. Për këtë projekt “puna” ka nisur qysh më 2006. Në kohën kur LDK-ja ka udhëhequr me Ministrinë e Kulturës, më 2009 është vënë guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Ishin shpenzuar mbi një milion euro. Puna qe ndërprerë, pasi projekti që shpallur si i parealizueshëm. Prej atëherë deri me tash MKRS-ja është menaxhuar nga PDK, LDK dhe Vetëvendosje por nuk është arritur që të ketë as dokument bazë për këtë nismë, plan ideor. Menaxhmenti aktual i MKRS-së vjet kishte dështuar të ketë një projekt ideor shkaku i shkeljeve të veta në procedurat e prokurimit. Tentativa e dytë tash është në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. për dallim prej vitit 2009, tash lokacioni nuk është afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, por prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Ndërtimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës është zotimi i dytë programor i LDK-së.
“Rreth 10 milionë do të ndahen për ndërtesën e re të Teatrit Kombëtar. Ky projekt do të realizohet brenda katër viteve”, shkruhet në program. Këtë premtim e kishte pasur edhe Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara. Por pak muaj pas nisjes së qeverisjes, Ministria e Kulturës kishte vendosur për renovim të tërësishëm të ndërtesës aktuale të TKK-së, gjë që ka nisur në vjeshtën e vitit të kaluar me kosto prej 7 milionë eurosh. Krijimi e ndërtimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë është po ashtu pjesë e programit të LDK-së. Menaxhmenti aktual i MKRS-së e ka bërë pjesë të legjislacionit Muzeun e Artit Bashkëkohor. Ka themeluar një grup iniciues që ka hartuar konceptin e funksionimit të këtij institucioni dhe është vendosur që të funksionojë në hapësirën e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes”.
Hapa të tjerë nuk janë bërë, përderisa sipas konceptit parashihet që funksionimi të nisë më 2028. Themelimi i Qendrës së Librit hyn te programi i LDK-së.
“Qendra do të krijohet, duke u mbështetur në disa shtylla programore, që do të kenë në fokus stimulimin e krijimtarisë letrare dhe leximin; mbështetjen për krijuesit përmes ofrimit të bursave dhe granteve letrare, si dhe ndërmjetësimin në veprimtarinë përkthyese, përmes krijimit të Fondit të Përkthimit”, shkruhet aty. Lidhja Demokratike e Kosovës synon edhe themelimin e Muzeut të Paqes dhe të Rezistencës“, i cili do të jetë i pari i këtij lloji, do të përfshijë veprimtarinë shoqërore, politike, humanitare të Kosovës gjatë viteve të 90-ta”. Sikurse edhe për ndërtesat e tjera për të cilat zotohet LDK-ja edhe në këtë rast ka përmendur shumën prej 10 milionësh. Një qendër multifunksionale po ashtu, është pjesë e programit të LDK-së. E te trashëgimia kulturore synohet një muzeun arkeologjik dhe “krijimi i kushteve për zhvillimin e punimeve arkeologjike në Kështjellën e Artanës, në lokalitetin arkeologjik në Ulpianë, Dresnik të Klinës, si dhe në lokalitetin arkeologjik ‘Vendenis’, që ndodhet në fshatin Gllamnik të Podujevës, derisa këto dy lokalitete arkeologjike ta arrijnë statusin ‘park arkeologjik’”, shkruhet në program. Në këtë rast përmenden 8 milionë euro për këtë institucion të ri.
Këto synime janë përmendur në debatin për kulturën nga kandidatja për deputete e LDK-së, Sibel Halimi.
“LDK-ja e konsideron kulturën si një prej shtyllave kryesore të identitetit të Kosovës”, ka thënë ajo. Sipas saj, grupi punues në kulturë ka përfshirë shumë artistë e artdashës. Programin e ka ndarë në tri shtylla, investimet kapitale, pavarësimin e institucioneve vartëse dhe përkrahje e fuqizim të artit të pavarur.
“E konsiderojmë shumë të nevojshme infrastrukturën fizike”, ka thënë ajo.
Në programin e koalicionit AAK-Nisma Socialdemokrate kultura përmendet shumë pak. Ka zotime për investime në art e kulturë e rritje të mbështetjes për institucionet aktuale. Po ashtu, ka zotime edhe për trashëgiminë kulturore si potencial turistik.
“Teatri i qytetit të Prishtinës dhe muzeu etnografik që nuk e kemi janë midis premtimeve tona”, ka thënë kandidati i këtij koalicioni, Veli Bytyqi.
Nga Lëvizja Vetëvendosje e pranishme në debat ka qenë kandidatja për deputete, Arjeta Fejza. Nuk ka dhënë sqarime përse nuk ka ende program zgjedhor partia që ajo përfaqëson. Ka thënë se për katër vjet janë miratuar disa ligje në kulturë që paraqesin një reformë të thellë. Sipas saj, është bërë punë e madhe në infrastrukturën kulturore.
“Buxheti që i është ndarë kulturës ndër vite ka shkuar duke u rritur. Me përgjegjësi të plotë mund të them se reformat e mira ose punët e mira që kanë nisur do të vazhdojnë edhe në mandatin tjetër”, ka thënë ajo. E pyetur se çfarë ka të re në programin e VV-së për kulturë, ajo ka thënë se reformat po zbatohen në kulturë.
“Sukseset e punët e mira do të vazhdohen edhe në mandatin e dytë”, ka thënë ajo. Sipas saj, mirëqenia e artistëve është rritur. Ka përmendur rritjen e buxhetit për skenën e pavarur të kulturës dhe renovimet që kanë nisur në disa institucione.
Të pyetur për grevën e aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila ka nisur qysh në mesin e nëntorit, përfaqësuesit politikë kanë pasur pikëpamje të ndryshme, sidomos pozita e opozita. Sipas kandidates së VV-së, Arjeta Fejza, kërkesat për ngritje pagash janë të paligjshme, pasi Ligji mbi pagat nuk e lejon. Ajo ka thënë se paga e aktorit në TKK është 880 euro. Nuk e ka përmendur faktin se këtë pagë e marrin veç disa aktorë të këtij institucioni që rangohen në nivelin “të parët e teatrit”. Ka thënë se një grevist është pjesë e fushatës së një kandidati të opozitës. Në anën tjetër, partitë opozitare kanë premtuar dialog e një marrëveshje kohore me aktorët nëse vijnë në pushtet.