Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është duke qëndruar në Paris, ku do të marrë pjesë në një diskutim në kuadër të Forumit të Paqes. Para nisjes së punimeve të këtij mekanizmi, Kurti ka qenë i ftuar në një darkë të shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, e ku e ka shprehur rëndësinë që e mbart për Evropën anëtarësimi i Kosovës dhe i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në NATO
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka theksuar rëndësinë e angazhimit dhe vlerën e shtuar për Evropën të anëtarësimit të Kosovës dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Këtë ai e ka thënë të martën vonë, gjatë pjesëmarrjes në një darkë të shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, para nisjes së Forumit të Paqes.
Ky forum i ka nisur punimet të mërkurën, ndërsa në kuadër të tij Kurti të enjten do të marrë pjesë në një tryezë diskutimi me temën “Paqeruajtja në udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe Përgjegjësia Globale. Koalicionet e reja për Paqe”.
“Në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ndër të tjera theksova rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe shoqërive tona, bashkëdyzimin e vlerave evropiane dhe interesave shtetërore, dhe se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në interesin ekonomik dhe të sigurisë së vetë Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri në detyrë ka udhëtuar të martën në Paris, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron. Para nisjes së Forumit të Paqes, ai ka marrë pjesë edhe në një diskutim të organizuar nga instituti francez “Jacques Delors”. Kurti ka bërë të ditur se në këtë tryezë diskutimi, në të cilin ka marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, temat kryesore të trajtuara kanë qenë situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi i Ballkanit Perëndimor. Ai ka shtuar se është biseduar edhe për mbrojtjen, të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pakicave, si dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Takim ai ka pasur në Paris edhe me kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Finlandës, Johannes Koskinen, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Kryeministri theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane dhe Planin e Rritjes xë BE-së, si dhe avancimin në integrimin evropian gjatë katër vjetëve të fundit, gjersa vendi ynë vazhdon edhe të linjëzojë politikën e jashtme në tërësi me atë të Bashkimit Evropian, duke dënuar ashpër agresionin e pajustifikuar rus ndaj Ukrainës dhe vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, është bërë e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. “Ai shprehu synimet për integrim në BE dhe NATO, gjersa vlerësoi edhe përkrahjen e Finlandës në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri theksoi edhe objektivin e Kosovës për përfshirje e anëtarësim edhe në Kartën e Adriatikut. Shtoi se shteti ynë vijon të ketë rol proaktiv në promovimin e demokracisë, sigurisë dhe paqes në rajon”.
Forumi i Paqes i Parisit është ngjarje ndërkombëtare vjetore e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore. Është iniciativë e presidentit francez, Emmanuel Macron, për t’i bërë bashkë protagonistët e qeverive dhe të qeverisjes nga e gjithë bota dhe për të diskutuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë. Sivjet, ky forum e shënon edicionin e tij të tetë.