Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

ODA sot shënon 16 vjet punë me premierën “Graviteti”

Teatri ODA sot shënon 16 vjetorin e themelimit me premierën e shfaqjes “Graviteti”.

“Graviteti”, një shfaqje teatrore e përbërë prej skenave – kronikë të bazuara në personazhe reale, ngjarje e fenomene nga e kaluara dhe e sotmja, që të përbashkët kanë lidhjen, shpeshherë edhe të pashpjegueshme, me atdheun. Graviteti – është forca që tërheq në mënyrat më të ndryshme personazhet e këtyre kronikave. Tablo e ngjarje fiktive të “muzeut gravitacional” nisin prej Skënderbeut, Arbëreshëve, emigrantëve të parë të Shqipërisë e deri te personazhet e ditëve të sotme të mërguar apo të kthyer, transmeton KultPlus.

“Graviteti” ofron një eksperiencë artistike të eksplorimit të lidhjes së veçantë të shqiptarëve me atdheun, prej këndvështrimeve dhe situatave nga më të ndryshmet, ku fuqia e gravitetit arrin deri edhe në aktet më sublime njerëzore.

Image

Tekstin e kësaj shfaqje e ka bërë Lirak Çelaj, regjinë Florent Mehmeti. Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqjes janë: Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Shfaqja “Graviteti” do të fillojë në orën 20:00 dhe përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës.

Kurse në emisionin SOT në KTV ishte i ftuar Florent Mehmeti për të dhënë më tepër detaje rreth shfaqjes së sotme në ODA.