Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Graviteti” si kronikë e realitetit shqiptar në përvjetorin e “Odës”

Prishtinë, 4 mars – Po të mos jetë komedia, tragjeditë kapërdihen më me zor. Shfaqja “Graviteti” – që u shfaq premierë në ditën e parë të marsit, duke shënuar njëherësh 16-vjetorin e themelimit të teatrit të pavarur “Oda” – është kombinim mes këtyre të dyjave. Në 7 korniza të madhësive të ndryshme, sa gjenden në skenë, tregohet nga një histori ndryshe: disa të huaj dëgjojnë historinë e Skëndeërbeut, disa të tjerë përpiqen të ndërtojnë jetën në shtetin e tyre të dalë nga lufta, në televizor jepen lajme për Kosovën e asisoj tragjedia dhe komedia e zëvendësojnë njëra-tjetrën.

Shfaqja me tekst të Lirak Çelajt, nën regji të Florent Mehmetit, u hap me prezantimin e aktores Daniela Markaj në rolin e një ciceroneje, pasi lufta kishte mbaruar. Tregohet historia e Skënderbeut, jo rastësisht pasi që shfaqja “Graviteti” ishte punuar më 2018-n, në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes së tij. “Skënderbe në shqip do të thotë Aleksandër i Madh, lidhja e shqiptarëve me vendin e vet është e çuditshme, kur janë aty mendojnë si të ikin, ndërsa kur nuk janë mendojnë si të kthehen”, janë fjalët që kumton ajo.

Në kornizën tjetër me të njëjtin personazh vazhdojnë lajmet nga kultura, ku, ndër të tjera, jepet njoftimi se “për herë të parë shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të shfaqen në Shqipëri”. Tutje buçet kënga “Besa-besë”, ku Leonit Maloku dhe Flamur Ahmeti diskutojnë për atdhedashurinë. I pari në rolin e një bashkatdhetari që në Kosovë kishte ardhur enkas për të festuar Pavarësinë, i dyti që Kosovën do ta linte në çast po të mundte. Mërgimtari që jeton në Australi kur kthehet në vendlindje edhe ëndrrat i sheh kuqezi. Atij që jeton këtu, “guri i rëndë që peshon në vend të vet” i është bërë barrë. Në një tjetër kornizë shihen njerëzit të ngulfatur në anije tek po marrin botën në sy. Ata ikin nga vendi i tyre i djegur. Korniza e radhës është letra nga burgu që një djalë (luajtur nga Flamur Ahmeti) i nisur drejt Italisë ia shkruante nënës. Lajmet ndërkombëtare tregojnë sa njerëz janë zhdukur pa nishan duke ikur nga Kosova. Historia tjetër është ajo e një djali që lë punën në Amerikë për të luftuar në vendin e tij përkrah shokëve. Diku kah mesi i shfaqjes zë vend historia e azilantëve, historia e fëmijëve të lindur jashtë Kosovës, ku i quajnë “kosovarë” e me t’u kthyer këtu janë “të huaj”, duke i lënë në lajthitje për identitetin e tyre. Parakalimin me flamur kombëtar e pasojnë ofertat bombastike të agjencive të udhëtimit dhe amanetet që lënë pas njerëzit që ikin.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")