Degustimi i specialiteteve Chef Chrostophe ka qenë intro sa për ta marrë shijen franceze, para përjetimit të jazzit francez me koncertin e “Contraccordiano Trio”, që vjen si paralajmërim i edicionit të dytë të “Peja Jazz”. Mozaikut të shpalosjes së kulturës franceze, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, i është shtuar edhe “Bal Poussière” i Henri Duparc
Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë – që është streha prej nga depërton kultura pejane dhe jo vetëm – të enjten mbrëma ka qenë nikoqire e një kulture tjetër përtej Kosovës. Me muzikë, ushqim e film ka servuar kulturën franceze. Chef Chrostophe i ka pritur mysafirët me tri specialitete, disa prej të cilave i ka përgatitur me produkte kosovare. Pasi që vizitorët kanë marrë këtë shije, janë futur në sallën e kinemasë, që është bërë gati për muzikë. “Contraccordiano Trio”, udhëhequr nga zëri i Claude Vadasz, ka përcjellë tinguj të jazzit francez, si paralajmërim për edicionin e dytë të “Peja Jazz” e bashkë me edicionin e 20-të të Javës së Filmit Frankofon në Kosovë.
Për këtë muzikantët francezë kanë përzgjedhur një program goxha reprezentues të kësaj rryme muzikore atje. Me këngën e parë të interpretuar kanë përshkruar jetën e një instrumentisti. Vadazs ka zbërthyer tekstin e saj me meloditë e Thibault Dille në harmonikë, Christophe Hache në bas-kitarë dhe Jeremie Ternoy në piano. Kënga e parë përshkruan vështirësitë e një muzikanti që bën muzikë në rrugë. Kënga e kompozuar në vitin 1962 nga Serge Gainsbourg ka bërë thirrje t’i ndihmohet muzikantit. Ani pse në frëngjisht muzika ka arritur të prekë publikun në një interpretim emocionues e të përcjellë me vallëzim nga këngëtari. Mesazhin e fuqisë së jazzit, grupi nga qyteti verior francez Lille e ka përcjellë përmes këngës “La jazz et la java”. “Le vieux Léon” e kënduar nga Claude Vadasz është një homazh tjetër për një instrumentist të harmonikës. Dialogu bëhet me një muzikant të ikur në parajsë e shumë pyetje shtrohen për të atje. Me interpretim e vallëzim, artisti Vadasz arriti ta fusë publikun në botën muzikore franceze. Për ta bërë këtë ka zgjedhur disa këngë të njohura.
“Ne erdhëm këtu për ta sjellë stilin e jazzit francez dhe për ta bërë një përzierje midis jazzit dhe këngëve franceze. Në program kemi zgjedhur disa prej këngëve më të njohura franceze nga kompozitorë të njohur atje dhe disa instrumentale të shkruara nga pianisti ynë”, ka thënë Vadasz, që është edhe drejtor artistik i festivalit “Wazemmes l'Accordéon” në Lille.
Vedasz është shkëputur nga skena për t’ia lënë radhën veprave instrumentale. Jeremie Ternoy, krahas lojës, para publikut në Pejë me vete ka sjellë edhe kompozimet e tij që i ka luajtur si “Contraccordiano Trio”. Ato përcjellin copëza historish personale të pianistit francez. Vepra “Picasso” e shkruar këtë vit sjell kujtimet e tij nga ekspozita e vepra “Le” e kompozuar në vitin 2010, e kthen në ditët para se të bëhej baba.

“Një prej kompozimeve që e luajtëm quhet ‘Picasso’ dhe e kam kompozuar së fundmi. E kam parë të arsyeshme ta shkruaj pas një ekspozite qe e kam vizituar. Ajo flet për atë që është duke u parë dhe që ngjall një dëshirë për t’u kthyer përsëri për ta parë. Një vepër tjetër e kam shkruar pas lindjes së djalit dhe është shprehja e pritjes”, ka treguar Ternoy për KOHËN. Me një ritëm më të shpejtë ka ardhur vepra tjetër e Ternoyt, “Contraccordiano”, bazuar në emrin e grupit, kombinim emrash të instrumenteve, me të cilat luajnë. I kanë bërë bashkë në titull për të treguar se në këtë vepër të gjitha instrumentet reagojnë me intensitetin e njëjtë e synojnë ta bëjnë konfuz publikun në dallimin e tingujve të tyre. Muzikantët francezë janë duke qëndruar tash e disa ditë në Kosovë në kuadër të rezidencës dhjetëditore të artistëve në Prishtinë, e mbështetur nga Instituti Francez, Qyteti i Lilleit, Region HDF, Ambasada Franceze në Prishtinë, Komuna e Prishtinës dhe “DAM Festival”. Këngëtari Claude Vadasz e sheh me shumë optimizëm zhvillimin e të rinjve muzikantë në Kosovë.
“Njerëzit këtu janë zemërgjerë dhe të hapur. E ndiejmë energjinë e mirë këtu. E dimë që është një vend me shumë rini dhe këtë e shohim ngado në rrugë, e marrim njëfarë optimizmi”, ka theksuar ai.
Ky program u shfaq për ta paralajmëruar edicionin e dytë të “Peja Jazz”, i cili u themelua në vitin më të brishtë, kur pandemia u përhap në gjithë botën. Mbështetja nga edicioni i parë i ka shtyrë organizatorët që ta vazhdojnë traditën me program akoma më të pasur.
“Kemi pasur shumë të interesuar edhe për këtë koncert dhe kemi vendosur ta vazhdojmë edhe për edicionet e ardhshme. Është një mënyrë shumë e mirë që t’i njoftojmë qytetarët dhe dashamirët e muzikës për jazzin në përgjithësi, që më pas bashkëpunim me artistë lokalë dhe ndërkombëtarë që t’i sjellim tingujt e jazzit në Pejë me një program sa më të pasur”, ka thënë koordinatorja e “Peja Jazz”, Rina Statovci.
Pas tingujve, rrjedha e Javës së Filmit Frankofon në Pejë ka vazhduar me filmin “Bal Poussière” të Henri Duparc. Filmi ka shtjelluar historinë e një fermeri të pasur dhe kryetar fshati me pesë gra. Kur vendos të martohet me të gjashtën, Binta e re, për të pasur një për çdo ditë të javës (përveç të dielës, ditës së pushimit), pesë gratë e tij revoltohen. Binta, një grua moderne, me vetëbesim, nuk dëshiron të mbahet në linjë. Së shpejti ka konflikt me burrin e saj, si dhe me pesë gratë e tjera, duke i dhënë filmit ngjyrim komik. Festivali i Filmit Frankofon synon, që përtej filmit, ta prezantojë kulturën franceze në përgjithësi. Për ta shkëmbimi kulturor është shumë i rëndësishëm.
“Gjatë këtij viti kemi pasur 35 vizita studimore të profesionistëve të fushës së kulturës dhe edukimit, të cilët i kemi dërguar në Francë. Është e rëndësishme që edhe ata të vijnë këtu”, ka treguar Valon Ibraj nga Ambasada Franceze, i cili ka treguar se gjatë kësaj jave kanë nënshkruar edhe tri marrëveshje me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta vazhdojnë punën e përbashkët për të dy shtetet.
“Peja Jazz”, e cila filloi me tinguj francezë, do ta shpalosë programin e edicionit të dytë prej 15 deri më 17 dhjetor. Ndalesa e radhës muzikore për “Contraccordiano Trio” është Prishtina me koncertin që do të mbahet të shtunën prej orës 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
