Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dyshja italiane në lirinë e improvizimit mban ritmin e “Peja Jazz”

Bandeonisti italian, Daniele di Bonaventura, dhe kitaristi Roberto Zechini përveç miqësisë, i bën bashkë edhe muzika dhe skena. Njësoj ndodhi edhe në Kosovë. Një koncert atraktiv e sollën përmes improvizimit të veprave aty për aty dhe me të hapën edicionin e dytë të “Peja Jazz”

Ende pa filluar koncerti me të cilin është prerë shiriti i edicionit të dytë të festivalit “Peja Jazz”, skenografia tërheq vëmendjen. Minimaliste, por kuptimplote, me qilima motivesh tradicionalë nën hijen e së kuqes e të bardhës, bashkë me llambën antike dhe dizajnin disa topësh që pushton ekranin e madh të kinemasë “Jusuf Gërvalla”.

Pikërisht në këtë skenë të kuruar me elegancë, ishin dy emra eminentë të muzikës jazz, ata të cilët për një orë e pak minuta do të merrnin vëmendjen e dëgjuesve.

Bandeonisti italian, Daniele di Bonaventura, dhe kitaristi Roberto Zechini përveç miqësisë, i bën bashkë edhe muzika dhe skena. Njësoj ndodhi edhe në Kosovë. E nisën në koncertin me “I solisti romani” në “Kino Armata” mbrëmjen e së martës, për të vazhduar pastaj edhe me Pejën të mërkurën mbrëma. Me vete në të dyja sollën komunikimin e mirëfilltë muzikor, harmoninë ritmike mes vete dhe mbi të gjitha energjinë e mirë që përçojnë te publiku përmes afërsisë së tyre. Kësisoj mbajtën edhe ritmin e “Peja Jazz”, lindur në kohë pandemie si kontrapunkt i gjendjes.

Ata u kursyen së qeni nën rregullat e një programi ku veprat janë të listuara. E lanë veten krejtësisht të lirë. Pak minuta para ekzekutimit para publikut vendosën se me çka do të paraqiteshin. Kjo ishte veç një shenjë e profesionalizmit të tyre. Rrëfim në vete është mënyra se si kjo u ndje dhe u pranua, krejtësisht natyrshëm, njësoj sikurse interpretimi i tyre që vjen si sinonim i origjinalitetit.

Ishin veprat në jazz standard, si “Like Beautiful love”, “My romance”, “Someday my prince will come” ato të cilat i performuan me shumë endje. Por, edhe pikërisht profesionalizmi prej kompozitorësh, bëri që ata vetë t’i luajnë veprat të cilat i kanë krijuar. Si “Gulla”, “Il Mentecatto”, “Una specie d’Irlanda” nga Zechini dhe “Paquito”, “Ballata triste”, “Cosi lontano cosi vicino” nga Bonaventura, të cilat si pjesë përbërëse e albumit 14 pjesësh “Ava Tera”, sollën magjinë ritmike herë deri në qetësim të publikut, e herë kombinimit sharmant të dy artistëve në skenë.

Edhe “Peja Jazz Festival” nëpër nuancat e traditës vendore e ndërkombëtare Kulturë “Peja Jazz Festival” nëpër nuancat e traditës vendore e ndërkombëtare

Për disa në sallë ishte hera e parë që po dëgjonin tinguj të instrumentit të bandeonit, njësoj siç kishte për të parën herë performimin në Kosovë edhe bandeonisti i cili kishte nisur rrugëtimin me muzikën që nga mosha 8-vjeçare.

“Është hera e parë e imja në Kosovë, unë e shoh energjinë te njerëzit e rinj në qytete, bare, restorante. Është shumë interesante ardhja këtu për mua. Jetoj në Itali, por u tregova shokëve të mi se aty është shumë atmosferë depresive në gjithë shtetin për shkak të pandemisë. Kur erdha këtu pashë një rrugë të re...”, ka thënë për KOHËN, Daniele di Bonaventura, emri i të cilit kalon në muzikë, kinema dhe në teatrin italian.

“Kemi luajtur sonte nga kompozimet tona, nga albumi ynë i fundit ‘Ava Tera’, jazzi standard dhe nga folku i Italisë”, ka thënë kompozitori i cili ka interpretuar në Spanjë, Zvicër, Francë, Portugali, Brazil e Argjentinë.

I pyetur për dallimet mes Prishtinës e Pejës, ai ka thënë se kryeqyteti është “i madh”, ndërkaq qytetin që gjendet në pjesën perëndimore të Kosovës e cilëson malor.

“Roberto është vëllai im, luaj me të qe 30 vjet, është shumë lojë natyrale, mund të shkojmë në drejtime të kundërta dhe muzika na bën ta ndjekim njëri-tjetrin. Është shumë e lirë dhe mund të takohemi në një pikë prapë”, është shprehur ai, duke aluduar te programi improvizues i koncertit.

Lidhje të veçantë emocionale me Kosovën ka kitaristi Roberto Zechini, për të cilin ardhja s’është për të parën herë. Madje ai, përgjatë ekzekutimit, njërën nga këngët e tij ua dedikoi shokëve të dhomës, muzikantëve kosovarë.

“Ishte viti 2006, hera e parë kur erdha të luaj në një Festival në Tiranë. Ka qenë një trio shumë e fuqishme nga Kosova, e kanë dashur shumë muzikën time dhe kanë ardhur të më dëgjojnë në çdo koncert. Në fund të koncertit, kemi luajtur së bashku”, ka thënë për KOHËN, duke e çmuar si kujtimin më të mirë me shqiptarët.

Edhe “Prishtina Jazz Orchestra” në rrëfimin origjinal që frymon shqip Kulturë “Prishtina Jazz Orchestra” në rrëfimin origjinal që frymon shqip

Në sytë e kitaristit, i cili përveç muzikës si kompozitor e instrumentist, merret edhe me filozofi dhe gjuhën e letërsinë ruse, Kosova është vendi energjik me të rinjtë e saj.

“Unë e njoh traditën e këtij vendi dhe muzika është bashkuese e jona (si njerëz) dhe e traditave”, ka thënë kitaristi i cili ka rrugëtuar me muzikën në shumë vende evropiane, aziatike e afrikane.

“Kemi vendosur pesë minuta para koncertit”, është përgjigja e Zechinit për interpretimet improvizuese e me një format tërësisht të lirë në përzgjedhje. “Ne ishim këtu me “I solisti romani”, klasiken muzikore. Këtu jemi të lirë që të kemi një lojë të lirë jo vetëm me muzikën, por edhe me shokët tanë. A dëshiron ta luajmë këtë? Po, atëherë le ta luajmë”.

Dardan Selimaj, në cilësinë e kuratorit të edicionit të dytë të “Peja Jazz”, që në hapje, ka thënë se ky festival ka nisur në kohën kur gjithçka anulohej nga pandemia.

“Edhe këtë vit i kemi katër koncerte, njëri veç ka kaluar, i cili ka qenë paralajmërim i këtij edicioni”, duke aluduar te koncerti i “Contraccordiano Trio” dhe Claude Vadasz, i cili u mbajt në nëntor në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë.

Rina Statovci, në cilësinë e organizatores së “Peja Jazz”, ka thënë se ishte nder performimi i dy artistëve, sipas saj, të jashtëzakonshëm.

Edhe Muzika unike japoneze me ngjyrime moderne mbyll “Peja Jazz-in” Kulturë Muzika unike japoneze me ngjyrime moderne mbyll “Peja Jazz-in”

“Publiku me të vërtetë është kënaqur nën tingujt e muzikës së tyre, e cila ka qenë total improvizim, nuk është një program që e kanë pasur në mendje. Ka qenë mahnitëse me i pa dhe jemi shumë të lumtur që kemi pasur rastin t’i sjellim diçka të tillë publikut të Pejës”, u shpreh ajo.

“Peja Jazz” ka vazhduar rrugëtimin me koncertin e “AJS Quartet” nga Tirana me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura.