Muzika vjen e gërshetuar me koreografi nga katër anëtarët e grupit i cili me daulle e flaut japonez, me energjinë e jashtëzakonshme në skenë, e prezanton kulturën muzikore në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të jazzit “Peja Jazz” në Pejë të shtunën e të dielën në Prishtinë. Ansambli prej tupanësh e një flauti tradicional japonez kanë sjellë ngjyrat e kulturës muzikore që vijnë të ndërthurura me muzikën tradicionale të kombinuar me ritme bashkëkohore
Ansambli i shquar në botën muzikore, “Wadaiko Sai”, ka zbërthyer ritmet e muzikës tradicionale japoneze duke ndërthurur me ato bashkëkohore. Aty muzika vjen e gërshetuar me koreografi nga katër anëtarët e grupit i cili me daulle e flaut japonez, me energjinë e jashtëzakonshme në skenë, e prezanton kulturën muzikore në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të jazzit “Peja Jazz” në Pejë të shtunën e të dielën në Prishtinë.
Padyshim se një koncert si ai i së dielës mbrëma në teatrin “Oda” duhej të transferohej në kryeqytet, pas atij në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Ka qenë ngjarje e pazakontë në rrugëtimin pesëvjeçar të Festivalit ndërkombëtar të jazit “Peja Jazz”.
Ansambli prej tupanësh e një flauti tradicional japoneze kanë sjellë ngjyrat e kulturës muzikore që vijnë të ndërthurura me muzikën tradicionale të kombinuar me ritme bashkëkohore.
Energji e jashtëzakonshme është reflektuar te publiku ndërsa atraktiv ka qenë koncerti bashkë me interaktivitetin midis instrumentistëve në skenë dhe publikut. Koreografi më vete ka qenë koncerti dhe jo thjesht lojë instrumentale.
Përtej dinamizmit e kulmimit me tingull, anëtarët e ansamblit arrijnë të krijojnë një lloj tensioni e situate dramatike me lojë më të qetë. Nga përshtypja e parë është e qartë se ansambli e ka një motiv të qartë: ose e lë gjithë energjinë në skenë, ose nuk del para publikut fare.
Në skenë janë katër daulle. Njëra prej tyre veçohet pasi është e përmasave më të mëdha dhe është i dyanshëm. Është ilustruar me efekte që e bëjnë të bukur vizualisht lojën e më pas ata marrin instrumentit. Ata luajnë me disa lloje daullesh që dallojnë shumë në mënyrën sesi tingëllojnë.
Kumbuese, dinamike e dramatike mbi të gjitha, është loja e tyre. Aty janë edhe taktikat në lojë të cilat e demonstrojnë profesionalizmin dhe zotërimin e instrumentit. Interpretimi i tyre, sado që shkon në drejtime të ndryshme nga instrumentistët, tingulli shpesh bashkohet në një linjë.
Befasia për publikun ka qenë luajtja e himnit të Kosovës me tupan e flaut.
Për anëtarët e ansamblit ka qenë hera e parë që kanë luajtur në Kosovë. Takehiro Shiomi ka thënë se ajo çfarë kanë prezantuar është stil unik i tyre.
“Wadaiko është instrument tradicional, por ne sjellim gjëra të tjera me të, performanca të reja, muzikë të re, kështu që kjo muzikë është tradicionale, por e re. Ky është stili ynë”, ka thënë ai.
Kështu është shprehur edhe instrumentisti Hidetoshi Sai. “Është kombinim i veprave origjinale me ato tradicionale”, ka thënë ai shkurt.
Fjalëpak kanë qenë anëtarët e ansamblit japonez. Atsuharu Tohnishi është shprehur i lumtur me interesimin e publikut për kulturën muzikore japoneze.
“Koncerti në Pejë është vërejtur që është pëlqyer dhe ka qenë shumë emocionues. Njerëzit na kanë mirëpritur, por edhe këtu jemi ndier shumë mirë. Ka qenë kënaqësi të shohim që shumë njerëz kanë ardhur për të na parë. E kemi shijuar shumë”, ka thënë Tohnishi.
Ryoga Ozeki është shprehur se “njerëzit ishin shumë të afërt, të dashur dhe koncerti në Prishtinë ishte më emocionues sesa në Pejë”.
Ansambli ka shumë më shumë anëtarë. Ai u formua në vitin 2005. Ata kanë performuar në shumë vende të ndryshme. Në vitin 2012, ansambli u bë kampioni i garës së daulles “Japan Taiko association sponsered Wadaiko contest East Japan region”. Ata kanë bërë muzikë për shumë kompani botërore si “McDonald's” (2014) dhe “Google” (2015).
Festivali edhe sivjet ka sjellë emra të shquar artistësh të cilët dallohen nga stilet e zhanret dhe fryma e muzikës së tyre. Ky është edhe misioni i “Peja Jazz” sipas kuruesit të programit të festivalit, Dardan Selimaj.
“Është hera e parë që një koncert i ‘Peja Jazz’ organizohet në kryeqytet. Është një rrugëtim që ka nisur para pesë vjetësh me iniciativën e ‘Anibarit’ dhe kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ dhe është ndërtuar gradualisht. Shpresojmë që do të mbërrijmë të vazhdojmë tutje këtë rrugëtim që e kemi nisur para pesë vjetësh, në një vit në të cilin shumë ngjarje anuloheshin dhe ‘Anibari’ me kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ patën vendosur ta themelojnë një ngjarje të re kulturore për qytetin e Pejës”, ka thënë Selimaj.
Koncertin e fundit të festivalit e ka konsideruar të jashtëzakonshëm.
“Sonte është koncerti i fundit i edicionit të pestë. Një natë më parë ka qenë i njëjti koncert në Pejë me një prej ansambleve shumë të dalluara japoneze që ka performuar mbi dy mijë performanca. Është një tjetër koncert i jashtëzakonshëm i radhës dhe më vjen mirë që bashkë e ndajmë një eksperiencë si kjo sonte”, ka thënë ai në skenë, para nisjes së koncertit.
I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi. Ky institucion edhe e ka përkrahur këtë koncert.
“Ne donim të prezantojmë Japoninë këtu dhe të kemi mundësi të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë. Ky ka qenë aktivitet për prezantimin e kulturës”, ka thënë ai.
Edicioni me pesë koncerte është mbyllur me ansamblin e mirënjohur japonez “Wadaiko Sai” të cilët kanë sjellë traditën muzikore në Pejë e në Prishtinë.
Në natën e parë të festivalit ka interpretuar Laura Prince, vokaliste dhe kompozitore e talentuar me prejardhje nga Togo e Franca bashkë me pianistin Julian Caetano.
Dyshja hungareze, Miklós Lukács dhe Káláman Balogh, kanë shkrirë kulturat e vendeve të ndryshme që e kanë këtë instrument në frymë jazzi e në ritme bashkëkohore. “Cimbalomduo” në natën e dytë ka qenë veç një pjesë e rrëfimit të festivalit “Peja Jazz”.
Vokalistja me origjinë shqiptar nga Belgjika, Ceylan Taci, me grupin “Astrit Stafai & Friends” ka ndërthur muzikën ballkanike, jazzin dhe ritmet botërore.
“Peja Jazz Festival” në kapitullin e pestë, përtej sjelljes së frymës së jazzit në Pejë e me një koncert edhe në Prishtinë, ka gjurmuar kultura muzikore duke i bërë bashkë në një adresë.