Kulturë

Elina Duni dhe Rob Luft prej tingujve shqip bashkojnë botën me jazz

E natyrshme që muzika, e aq më tepër ajo jazz, arrin të bashkojë kultura nga të katër anët e botës, por unik ka qenë rrugëtimi që kanë sjellë këngëtarja Elina Duni e Rob Luft në kitarë, në koncertin i cili ka hapur edicionin e tretë të “Peja Jazz”. Pikënisja ka qenë Shqipëria, për të vazhduar në Lindje, nëpër shkretëtira, e për t’u kthyer në Evropë në Francën e viteve ‘60

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë tashmë është kthyer në skenë jazzi, së paku për katër net. Gërshetim kulturash ka qenë interpretimi në natën e hapjes së edicionit të tretë me koncertin e kantautores Elina Duni dhe kitaristit e kompozitorit anglez Rob Luft.

Hyrjet deri në sallë përcillen me pritjet në rend për t’u pajisur me “çelësat” që ia hapin secilit dyert. Perdet janë ndriçuar prej dritave shumëngjyrëshe, një qilim është shtruar në skenë, ca orendi e suvenire të moçme ia japin frymën antike e klasike. Aty janë krejt instrumentet e nevojshme, prapa të cilave qëndron i projektuar posteri i “Peja Jazz”

.

Image
Hapja e “Peja Jazz” me dyshen, ka qenë një përzgjedhje e qëlluar në serinë e koncerteve që gërshetojnë kultura të ndryshme (Foto: Peja Jazz)

Nga dyert e kinemasë vazhdimisht hyjnë njerëz me bileta në duar. Përkundër se ishin shtuar karrige të tjera tek rendet e ulëseve, interesimi ka qenë shumë më i madh në natën e parë të serisë së koncerteve, një ngjarje e cila për çdo edicion e më shumë po merr formën e vet duke zënë vend në krye të kalendarit kulturor në vend. “Peja Jazz” qe një nga ngjarjet e pakta që lindi në pandemi dhe ky është edicioni i parë me praninë e plotë të publikut dhe me të drejtë, disa ditë para hapjes, ishte paralajmëruar si çlirim prej shablloneve të organizimit. E ka dëshmuar këtë që në hapje.

Pikënisja me tinguj shqip

Disa minuta pas orës 20:00 është pritur në skenë jazz-artistja Elina Duni bashkë me Rob Luft, jazz-kitarist, kompozitor dhe aranzhues. Dyshja në koncertin e së shtunës mbrëma ka sjellë atmosferën magjepsëse të muzikës që interpretojnë tash e sa vjet në skenën ndërkombëtare muzikore. Artin e të kënduarit bashkë me tingujt unikë të “Gibsonit”, herë pas here edhe të defit nga Duni, e kanë sjellë mrekullisht bashkë me gërshetimin e kulturave.

Me zërin e jashtëzakonshëm e shkathtësitë në kitarë, koncerti ka filluar me këngë tradicionale popullore të nuseve, por përshtatur mrekullisht në versionin jazz. Loja në vokal me secilin varg të këngës flet për një artiste të vërtetë që nuk e ka aspak të vështirë ta gjejë harmoninë. Luft është mjeshtër në zbërthim akordesh njashtu si në solo me pak nota, por të sakta e me ndjeshmëri.

Image
E vogël ka qenë salla e kinemasë “Jusuf Gërvalla” për publikun e natës së parë të “Peja Jazz”, të shtunën mbrëma

Që në fillim të lojës me daulle e kitarë, melodia vjen familjare për të pranishmit. Sa vjen e qartësohet për të prezantuar këngën “Hajde shpirto ti”, që është përcjellë me duartrokitjet e publikut.

Kënga “Hape derën” ka sjellë frymën e Shqipërisë së Jugut me interpretimin fantastik në çdo pjesë, duke e ruajtur origjinalitetin e këngës. Këngë të tjera si “Mora testin” dhe “Sytë për ty i kam të njomë” të interpretuara nga bilbili Nexhmije Pagarusha, “Vaj si kenka ba dynjaja” e shumë të tjera kanë sjellë tradicionalitetin shqiptar të këngës së bukur shqipe. “Mallëngjimi” i Muharrem Qenës ka qenë tjetër nivel, ku paraqitja e saj flet shumë për secilin tingull që e ndien thellësisht. Ritmin shpesh e ka mbajtur publiku.

“E shihni, nuk kemi nevojë për baterist, u kemi juve”, ka thënë Elina Duni nga skena.

Udhëtimi prej Shqipërisë për në Egjipt e Francë

Ndërthurja e kulturave të tjera me atë shqiptare është shpërfaqur në interpretim të këngës arabe që gjithashtu përfshihet në albumin e përbashkët të Dunit dhe Luft-it, “Lost Ships” që ishte publikuar në nëntorin e 2020-ës. Nga aty ku ka interpretuar, Duni ka treguar se kur të gjitha shtetet ishin mbyllur dhe koncertet ishin anuluar, kishte mbetur vetëm një derë e hapur: Festivali i Jazzit në Kajro.

“Atje mund ta imagjinoni nuk kishte shumë maska, po ndodhnin koncerte. Pas koncertit, drejtori i Festivalit na tha të rrimë. Vendosëm të rrimë për pesë-gashtë muaj, buzë Detit të Kuq në shkretëtirën e Sinajit. Shkonin shumë në det dhe luanim pak muzikë dhe aty luajtëm shumë këtë këngë të traditës arabe. Është këngë e shekullit të 13-të që është një poezi dashurie”, ka thënë ajo.

Image
“Lost Ships” titullohet albumi i fundit i Dunit dhe Luft, publikuar në nëntorin e 2020-ës me 12 këngë disa prej të cilave janë edhe ripërpunime unike të këngëve tradicionale shqipe

Në një udhëtim për në Paris, dyshja e ka nxjerrë publikun për disa minuta nëpërmjet këngës “Couleur Cafe” për ta rikthyer këngën franceze të viteve ‘60. Këngën e ka aranzhuar Rob Luft, bashkëshorti i Dunit, i cili, po ashtu, ka përcjellë me vokal bashkë me të në interpretim të refrenit të këngës. “Duam t’u çojmë të gjithëve kështu siç jeni në Parisin e viteve ‘60 me një këngë të cilën Robi e ka aranzhuar si një samba braziliane. Kjo këngë quhet ‘Couleur Caffe’”, ka treguar Duni.

Diversitet kulturash në qytetin e Pejës

Elina Duni ka thënë se është e lumtur të jetë në hapje të “Peja Jazz” derisa ka vlerësuar punën e organizatorëve të tij.

“Këngët kanë efekt shumë popullor në sensin që janë të dashur me këngët dhe fillojnë të duartrokasin. Është diçka shumë dinamike dhe emocionuese gjithashtu. Vij shumë shpesh në Kosovë, është hera e tretë që interpretoj në Pejë. Është çdoherë ndjesi e bukur. Publiku qëndroi deri në fund dhe atëherë u ngritëm të gjithë në këmbë, ishin shumë të dashur. Ndihem shumë e lumtur”, ka thënë Duni për KOHËN.

Kompozitori Rob Luft ka thënë se ka qenë e mrekullueshme të performojë në Pejë. Ai interpreton në këtë qytet për herë të dytë, pasi kishte qenë katër vjet më parë për të interpretuar në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”.

“Duket si kohë shumë e largët, por është kënaqësi të jem këtu, është gjithmonë ashtu. Jam shumë me fat që Elina më ka njohur me shumë muzikantë të mëdhenj në Kosovë dhe në Shqipëri. Është një tjetër arsye që më ka mësuar trikët për të luajtur këngët shqiptare që janë shumë të bukura edhe nëse interpretohen në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Angli dhe që për mendimin tim janë universale”, ka thënë Luft.

Organizatorët e Festivalit janë kujdesur që në edicionin e tretë të mbledhin emra të shquar të jazzit, ku artistë vendorë e të huaj mblidhen në skenë për të prezantuar diversitet kulturash në qytetin e Pejës. Ky edicion vjen pas një viti i mbajtur në formë virtuale e në transmetim të koncerteve në Kohavision, gjatë vitit 2020, kur vendi ishte mbyllur për shkak të pandemisë. Në vitin 2021 ishte mbajtur në versionin hibrid, ku përveç përçimit të atmosferës së koncerteve nëpërmjet mediumeve, një pjesë e publikut ishte lejuar të marrë pjesë në kinema.

Image
“Vij shumë shpesh në Kosovë, është hera e tretë që interpretoj në Pejë. Është çdoherë ndjesi e bukur. Publiku qëndroi deri në fund dhe në fund u ngritëm të gjithë në këmbë, ishin shumë të dashur. Ndjehem shumë e lumtur”, ka thënë Elina Duni

“Ky është edicioni i parë ku publiku vjen në kinema dhe për ne kjo ka veçantinë e hapjes me Elinën. Ka hapur Festivalin që gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdojë të jetë ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Pejën, por për gjithë Kosovën. Në këtë edicion kemi një program shumë më të fuqishëm se vitet e tjera, por gjithashtu kemi një program ku shumica e performuesve janë gra të cilat mbajnë koncerte në kuadër të Festivalit”, ka thënë Vullnet Sanaja, drejtor i “Peja Jazz”.

Ndërsa kuratori artistik, Dardan Selimaj, është shprehur se Festivali kishte filluar në rrethana të vështira. Ndër të tjera, ka thënë se qyteti i Pejës ka privilegjin për të qenë nikoqir i të vetmit festival të muzikës jazz në vend. “Kur e kemi nisur para tre vjetëve këtë festival e kemi nisur në rrethana shumë të vështira, pandemia, kemi pasur shumë pak mundësi t’ju presim në koncerte të Festivalit. Ekipi që ka punuar për edicionin e tretë e ka përjetuar si edicionin e parë. Sonte e kemi nderin ta hapim Festivalin me Elina Dunin, e cila dhjetë vjet më parë në Pejë, në njërin prej organizimeve të ‘Anibarit’, në kushte dhe rrethana jashtëzakonisht problematike, kemi organizuar koncertin në një kafene shumë të vogël”, ka thënë Selimaj në fjalën e tij hapëse të koncertit.

Edicioni i tretë i Festivalit zgjat deri më 8 nëntor. “Peja Jazz” organizohet në kuadër të projektit “Anibar”, komunitet i fuqizuar përmes artit dhe kulturës i mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut, nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës, Ambasada italiane në Prishtinë, Instituti Italian i Kulturës - Tiranë dhe Kohavisioni si partner medial.