Është vetëm 29-vjeçare, por pasioni i saj jetësor është fare i parëndomtë. Interesimet mbi mënyrën sesi njerëzimi u qaset mjedisit dhe peizazhit të jashtëm ka bërë që ajo të zhytet gati në dimensione të tjetërbotshme.
Janë këto realitetet e reja në teknosferë, fryti i zbulimeve, risimeve dhe zhvillimeve teknike prej disa shekujsh, shkruan sot “Koha Ditore”. Disenjatorja italiane nga Rimini, Jessica Bizzoni, u është kushtuar prej vitesh zhbirimit të marrëdhënieve mes teknosferës dhe biosferës, hapësirave publike dhe sjelljeve që përftohen si rezultat i ndërveprimit mes njeriut dhe teknologjisë.
Ndërsa vijon studimet master për fotografi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Antwerp, ajo nuk rresht për asnjë çast kërkimet e saj, kërshëri e përhershme për të depërtuar në konceptimet hapësinore të publikes dhe efekteve të para të teknologjisë së ndriçimit në biosferë. Kur kishte diplomuar në Akademinë e Dizajnit të Eindhovenit (Holandë), puna dhe projektet e çuan atë në Gjermani, Zvicër dhe Britani të Madhe.
“Jeta në vende të ndryshme më ka treguar për mundësi të ndryshme të realiteteve", nis rrëfimin e saj Bizzoni.
Gjatë këtyre përvojave në qytete, periferi e fshatra, me sytë e saj të kureshtares ajo kishte nisur të krijonte rrëfimet e para konceptuale për mjedisin. Biosfera më nuk do të jetë kurrë e njëjta, përderisa njerëzimi pareshtur ndryshon formën e vet.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)